Lajme

Rama liston investimet për Lojërat Mesdhetare, mes tyre edhe stadiumi olimpik

Autori: Gazeta inFokus 11:11 | 11 September 2023

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka folur për Lojërat Mesdhetare që do t’i organizojë Prishtina më 2030.

“Qysh prej dy ditësh, kur u mor vendimi në Komitetin Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, shteti ynë dhe Kryeqyteti ynë, kapërcyen një prag të ri në portat e historisë”, ka thënë Rama në konferencë për media.

“Është kjo një fitore madhështore, që e tejkalon traditën e deritashme të Lojërave Mesdhetare dhe madje e ripërkufizon edhe vetë thelbin e unitetit midis vendeve të Mesdheut. Me edicionin e 21-të, në vitin 2030, në historikun 70-vjeçar të këtyre lojërave prestigjioze nis një kapitull i ri. Për herë të parë, një qytet jobregdetar, Prishtina jonë, bëhet mikpritësi i tyre”.

-Advertisement-

“Do të jetë kjo edhe hera e parë në historinë e Lojërave Mesdhetare kur do t’i bashkojnë forcat dy shtete. Disiplina e lundrimit, thelbësore në Lojërat Mesdhetare, do të luhet në brigjet e Durrësit. Ky partneritet strategjik me vëllezërit tanë në Shqipëri e krijon një platformë barazie për të gjitha vendet pjesëmarrëse. Nëpërmjet tij, synojmë t’i frymëzojmë të tjerët me mendu përtej kufijve dhe me e përqafu frymën e bashkëpunimit sportiv që nuk njeh kufij”.

Ai tha se këto lojëra do ta forcojnë pozicionin e barabartë midis kombeve, si dhe foli për investimet që do t’i bëjë Kosova për t’u përgatitur për këto gara.

“Rëndësia historike e edicionit të 21-të të Lojërave Mesdhetare shkon përtej këtyre risive. Ato do të jenë ngjarja më e madhe ndërkombëtare që pritet të zhvillohet brenda vendit tonë, qysh prej pavarësimit e këndej. Ky eveniment do t’ia hapë një derë të madhe gjithë sportit kosovar, duke i mundësu më tej çdo federate me qenë nikoqire e ngjarjeve ndërkombëtare në disiplinën e saj përkatëse, si dhe federatave të tjera me u themelu e me u rritë”.

“Këto lojëra do të na e forcojnë pozicionin si të barabartë midis kombeve, duke na ngritë me krenari dhe me dinjitet edhe më lart në skenën botërore. Fuqia e tyre për me na e gjallëru dhe me na e konsolidu më tutje shtetndërtimin, është thjesht e pashoqe, dhe ne do ta mirëpresim këtë mundësi historike, të mirëpërgatitur dhe me vendosmëri të palëkundshme”.

“Vizioni ynë në Kosovë për Prishtina 2030 përputhet me fokusin e Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare për efiçencën dhe qëndrueshmërinë e burimeve. Ne do ta optimizojmë infrastrukturën ekzistuese dhe në mënyrë strategjike do të shtojmë objekte të reja. Po, do të ndërtojmë ambiente të reja sportive, sepse angazhimi ynë shtrihet edhe përtej këtyre Lojërave. Do ta ndërtojmë stadiumin olimpik të premtuar, me gjithë qendrën sportive, me qëllimin që të krijojmë një trashëgimi të qëndrueshme infrastrukturore, që do ta gëzojmë edhe përtej vetë ngjarjes, në shërbim të fuqizimit të mëtejmë të atletëve tanë, që të na shkëlqejnë kudo nëpër arenat sportive ndërkombëtare”.

“Për më tej, do ta shfrytëzojmë potencialin e stadiumeve dhe të palestrave ekzistuese në të paktën 10 komuna të ndryshme të Kosovës. Përditësimi i këtyre objekteve do ta krijojë një dinamikë të re të transformimit, që do ta përfshijë çdo cep të Kosovës. Prandaj, kur të nisin, Lojërat Mesdhetare do të kthehen në një festival mbarëkombëtar, duke e përhapë energjinë e tyre pozitive kudo e kahmos, e duke na e mbushë çdo pjesë të vendit me një shpirt uniteti e me frymë madhështie si kurrnjëherë ma parë”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Comodita po tërheq klientë seriozë në Panarin IMM, në Këln të Gjermanisë
-Advertisement-

Të tjera