Lajme

“Rama dhe Vuçiq do ta fusin në sandwich Kurtin, do të cenohet territori i Kosovës”

Autori: Gazeta inFokus 22:54 | 28 April 2021

Ish këshilltari i Albin Kurtit, Shkëlzen Gashi ka thënë se zgjedhja e Edi Ramës kryeministër i Shqipërisë për herë të tretë nënkupton rritje të presionit ndaj kryeministrit të Kosovës.

Kjo për shkak të zgjidhjes së problemit me Serbinë duke cenuar integritetin territorial të  vendit tonë.

Gashi ka thënë se kjo edhe ishte arsyeja se pse do t’i konvenonte Kurtit humbja e Ramës, shkruan Gazeta inFokus.

-Advertisement-

“Kryeministri Edi Rama ka qenë ai që i pari ka ndërhyrë në Kosovë dhe ka bërë ndërhyrje tepër të ashpra. Ai ka tentuar që të cënojë integritetin territorial të Republikës së Kosovës. Për këtë ka me dhjetëra dëshmi, raporte dhe dokumente që ai bashkë me politikanë këtu në Kosovë kanë dashur ta shkelin dhe ta cenojnë integritetin territorial të Kosovës”.

“Kështu që ka qenë jetike për kryeministrin e Kosovës që ky njeri të mos i fitojë zgjedhjet për herë të tretë, sepse Republika e Kosovës do të sulmohet ashpër këtë vit dhe atë që po vjen në dialogun Kosovë-Serbi për normalizim të raporteve prej Aleksandër Vuçiqit dhe do të sulmohet edhe prej kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama. Dhe kryeministri Kurti do të jetë në sanduiç prej Vuçiqit dhe Ramës, nuk po them prej Serbisë dhe Shqipërisë. Nuk po bëhet Shqipëria, por Edi Rama bashkë me Aleksandër Vuçiqin. Presioni ndaj kryeministrit të Kosovës do të jetë ndaj këtyre dy politikanëve për të pranuar marrëveshje që e cenon integritetin territorial të Kosovës. Kjo është arsyeja pse kryeministri i Kosovës ka dalë kundër kryeministrit Edi Rama. Problemi tjetër është që presion do të ketë edhe prej bashkësisë ndërkombëtare, sepse edhe ajo ka interesat e veta”.

Po ashtu sipas tij Kurti do të ketë presion edhe prej partive opozitare që janë kundër tij dhe janë mbështetëse të idesë për ta prekur integritetin territorial të Kosovës.

Ai në Rubikon, duke komentuar marrëdhëniet e Kosovës dhe Shqipërisë, gjithashtu tha se është i shqetësuar për nivelin e arrogancës së Ramës.

Gashi nuk e kupton “pse votohet një njeri që shan, fyen dhe ofendon”./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera