Kulturë

Rama dekoron Qosjen, ky i kërkon të takohet më shpesh dy qeveritë shqiptare

Autori: Gazeta inFokus 16:15 | 27 September 2021

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka dekoruar me “Yllin e Mirënjohjes Publike”, akademikun Rexhep Qosja.
Përmes një ceremonie solemne në Prishtinë, vepra e Qosjes u vlerësua si pasuri kombëtare, derisa Qosja kërkoi nga kryeministri Edi Rama dhe kryeministri Albin Kurti të takohen më shpesh dhe të mbajnë mbledhje të përbashkëta qeveritare.

Kreu i qeverisë në Shqipëri, Edi Rama tha se këtë ditë e ka pritur prej kohësh dhe se ndihet krenar për dekoratën ndaj një veprimtari si Rexhep Qosja.

“Kjo ditë më bënë të ndjehem krenar dhe njëkohësisht i ndrojtur. Është një ditë që e kam dashur të vijë prej kohësh, por edhe thuajse më ka volitur ta shoh sa më të largët. T’i shprehësh mirënjohje dhe të nderosh një njeri të admirueshëm do të thotë të marrësh si rregull falas në këmbim uratën e tij. Sot kjo s’ka se si mos të më lumturoj, aq më tepër se unë jam kryeministri më i mirë mes artistëve, ndërsa profesori është më i larti i vetëdijshme të një gjuhe dhe gjaku për gjatë një jetë të përputhur me periudha më të zymtat dhe qestet më kulmore të historisë sonë”, tha Rama.

-Advertisement-

Nderime të larta ndaj veprimtarisë së Qosjes shprehu edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ndër tjera tha se kontributin e Rexhep Qosjes nuk e matin dot.

“Profesor Rexhep Qosja në më shumë se gjysmë shekulli veprimtari ka inspiruar dhe frymëzuar student në mësime dhe demonstrata. Veprimtar politik ilegal dhe legal, profesor dhe intelektual në përmasa gjigande sa që është e pamatshme. Pra është një ndër personalitetet e rralla që kontributin e tij nuk e matim dot”, theksoi Kurti.

Mirënjohje ndaj kësaj dekorate shprehu vet akademik, Rexhep Qosja, i cili tha se e njëjta ka një simbolik të rëndësishme kombëtare për të, derisa pati edhe një porosi.

“Kryeministri Edi Rama dhe kryeministri Albin Kurti janë dy politikan intelektual, natyrisht të çmuar prej popullit. Kjo u pa edhe në zgjedhjet e fundit, në të cilat pjesa më e madhe e popullit ua dha votën dhe besimin…i ftoj kryeministrin Edi Rama dhe kryeministrin Albin Kurti të takohen si sot më shpesh, të takohen qeveritë e tyre, të marrin mbledhje të kryeministruara prej tyre. Në ato takime dhe mbledhje të tyre të njësojnë një ideal të përbashkët që na ka lënë epoka e rilindjes kombëtare shqiptare”, tha Qosja.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë ditës së sotme pati një takim zyrtar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, derisa takoi edhe liderë politikë, në kuadër të vizitës një ditore në Kosovë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BLACK FRIDAY ME ZBRITJE DERI 70%
-Advertisement-

Të tjera