Kulturë

Qyteti më i vjetër në botë!

Autori: Gazeta inFokus 09:46 | 16 December 2021

Kur mendojmë se cili është qyteti më i vjetër në botë, përgjigja në parim duhet të jetë e thjeshtë. Fitues është qyteti ekzistenca e të cilit mund të gjurmohet më larg në kohë, duke përdorur analizën me radiokarbon. Por, përgjigja nuk është dhe aq e thjeshtë nga sa duket.

Në fakt, çfarë nënkuptojmë kur flasim për “qytetin më të vjetër”? A është qyteti më i vjetër në botë një vend i banuar vazhdimisht? Apo qyteti i parë i ndërtuar nga njerëzit, që sot nuk ekziston më? Po qytetet që e filluan jetën si vendbanime të vogla, dhe u shndërruan në qytetës humë më vonë?

Xheriko, një qytet në Palestinë, quhet shpeshherë qyteti më i vjetër në botë. Të dhënat arkeologjike, tregojnë se ky qytet është banuar që 11 mijë vjet më parë. Rreth vitit nëntë mijë vjet p.e.s., aty u vendosën gjuetarët-mbledhës, ndërsa duke nisur nga viti 8000 p.e.s., në Xheriko nisi zhvillimi i bujqësisë.

-Advertisement-

Kjo duhet të nënkuptojë se Xheriko është qyteti më i vjetër në botë, apo jo? Jo plotësisht. Në vitin 7000 p.e.s., Xheriko nuk kishte zhvilluar ende artin e qeramikës, edhe pse njerëzit që jetonin atje ndërtonin mure dhe shtëpi duke përdorur gurët. Xheriko u shpopullua më vonë.

Nga fundi i mijëvjeçarit IV p.e.s., shohim rishfaqjen e mureve, por vetëm në vitin 2300 p.e.s., Xheriko nisi të zhvillonte një jetë urbane. Prandaj, ai nuk ishte qyteti më i vjetër i ndërtuar nga njeriu. Çatalhojuk dhe Gëbekli Tepe në Turqi, kanë treguar shenjat më të hershme të proto-qyteteve.

Në Gëbekli Tepe ka dëshmi të ndërtimit të kolonave. Ndërkohë, Çatalhojuk nuk kishte rrugë. Për të hyrë në shtëpi njerëzit hipnin nga çatia. Këto vendbanime të lashta zbulojnë informacione të rëndësishme mbi shfaqjen e qyteteve. Por, atyre u mungonin ndërtesat publike, rrugët e mirëmbajtura, dhe një rrjet kompleks urbanizimi.

Do të kalonin disa mijëvjeçarë derisa qyteti i parë në botë, Uruk, të ngrihej në brigjet e lumit Eufrat në Irakun e sotëm. Ai ishte kryeqyteti i mbretit legjendar Gilgamesh, tregimet e të cilit janë përjetësuar në Eposin e Gilgameshit. Midis viteve 4000 dhe 3200 p.e.s., Uruku përjetoi një zgjerim të shpejtë, nga një vendbanim ruralo–bujqësor në një qytetërim të sofistikuar urban.

Uruku ishte një qytet i madh me godina publike, një burokraci të madhe, me ushtri, rrugë, kanalizime publike, dhe një shoqëri të ndarë në klasa. Ai ishte qyteti më i madh në botë, me një popullsi prej 40 mijë banorësh që jetonin brenda qytetit, dhe 80 mijë të tjerë në zonat fqinje.

Fermerët nuk jetonin brenda qytetit. Popullsia e Urukut përbëhej nga skribët, artizanët, punëtorë e ndërtimit, punëtorët e tjerë, bukëpjekësit, kasapët, priftërinjtë dhe zyrtarët e qeverisë. Me zhvillimin e tij, në Uruk u shfaq një sistem shkrimi. Banesat në këtë qytet ishin shtëpi me oborr.

Qyteti kishte një sistem kanalesh për transport, i ngjashëm me atë të Venecias. Po ashtu, Uruku kishte komplekse tempujsh kushtuar perëndeshave Inana dhe Anu. Ndërtesa më e famshme ishte Zigurati i Bardhë kushtuar Anusë. Kjo strukturë madhështore u ndërtua rreth vitit 4000 p.e.s.

Komplekset e tempullit kishin si funksione fetare ashtu edhe administrative. Uruku nisi të bjerë në fillim të shekullit IV, ndërsa në shekullin VIII u braktis fare. Pra, Uruk ishte qyteti i parë në botë, por cili është qyteti më i vjetër që banohet edhe sot?

Siç e përmendëm më herët, Xheriko përmbante disa nga vendbanimet më të vjetra njerëzore, por kjo nuk e bën domosdoshmërisht atë si qytetin më të vjetër. Gjatë epokës së bronzit, rreth vitit 2500 p.e.s., Xheriko kishte një pallat mbretëror dhe mure rrethuese të qytetit.

Por, gjatë epokës së bronzit të vonë, u plaçkit, u shkatërrua dhe u shpopullua. Xheriko u rindërtua prapë gjatë epokës së hershme të hekurit (viti 1100 p.e.s.), ndërsa u shkatërruar sërish, ketë herë nga babilonasit. Kur qyteti u pushtua nga persët, ata ia rikthyen lavdinë e dikurshme.

Aleksandri i Madh kishte dikur një pallat në Xheriko. Qyteti i qëndroi sprovave të kohës, dhe banohet ende sot nga rreth 20 mijë njerëz. Një kandidatët tjetër në këtë listë përmendet Damasku. Ndërsa, vendbanimet më të vjetra në Damask datojnë që në mijëvjeçarin e VII p.e.s., atje nuk ka ndonjë banim në shkallë të gjerë deri në fillim të mijëvjeçarit II p.e.s.

Alepo, metropoli tjetër i njohur në Siri, është qyteti më i vjetër në vend dhe një nga qytetet më të vjetra të banuara ende në botë. Në kohët e lashta qyteti njihej si Ebla, dhe nga fundi i mijëvjeçarit të tretë p.e.s. ishte shumë i zhvilluar. Ebla ishte qyteti i Hadadit, një perëndi e lashtë e stuhive.

Rrënojat e tempullit të Hadadit mund të shihen ende sot. Gjatë epokës së bronzit, Alepo qeverisej nga amorejtë, ,itanët dhe hititët. Asirianët e morën kontrollin e qytetit rreth shekullit VIII p.e.s., por më vonë u pushtua nga persët.

Alepo ishte një qendër e rëndësishme tregtare gjatë periudhës greko-romake (viti 323 p.e.s. – shekulli V)m dhe lulëzoi dhe nën sundimin islamik. U bë metropoli i tretë më i madh në Perandorinë Osmane, pas Kostandinopojës dhe Kajros. Mjerisht, Alepo përjetoi një humbje të konsiderueshme njerëzore dhe materiale gjatë luftës së fundit civile në Siri.

Sot, qyteti ka një popullsi prej 1.8 milion banorësh. Alepo është e njohur për industrinë e saj të endjes së mëndafshit dhe tekstilit.

Biblos është qytet në Liban me vendbanime që datojnë që nga viti 8800 p.e.s.. Nga viti 3000 p.e.s., Biblos ishte njëqendër metropolitane e lulëzuar dhe një burim kryesor i tregtisë së papirusit në botën antike. Në botën e lashtë, papirusi ishte mjeti i preferuar për të shkruar dhe grekët e quajtën qytetin sipas fjalës së tyre për libra, Biblos. Fjala “Bibël” është marrë nga emri i këtij qyteti. Fenikasit e quajtën qytetin Gebal dhe ai ishte një qendër e rëndësishme fetare.

Pas tyre qyteti u sundua nga kananitët, egjiptianët, asirianët, persët dhe grekët. Biblos e humbi rëndësinë pas rënies së Perandorisë persiane Sasanide dhe ngritjes së kalifateve islamike. Por, pas Kryqëzatës së Parë në fundin e shekullit XI, u rivendos tregtia me Evropën. Më vonë, Biblos u pushtua nga osmanët dhe më vonë francezët. Si një nga qytetet më të vjetra të banuara në botë, i ka rezistuar provës së kohës. Sot, rajoni metropolitan i Biblos ka një popullsi prej 100 mijë banorësh. Në listën e qyteteve më të vjetra duhen përmendur Varanasi në Indi, Plovdivi në Bullgari dhe Athina në Greqi. Këto qytete datojnë që në epokën e bronzit të vonë (1600-1200 p.e.s.) dhe janë ende të banuara.

Por, a kemi një përgjigje përfundimtare se cili është qyteti më i vjetër në botë? Sipas përkufizimit të Bankës Botërore, që një vendbanim të quhet qytet, ai duhet një popullsi prej të paktën 50 mijë banorësh. Xheriko nuk e arrin këtë numër, prandaj mund të përjashtohet si “qyteti më i vjetër në botë”.

Alepo është një pretendent i fortë. Por, bazuar në kriteret e të pasurit një kulturë të sofistikuar urbane, e cila mbijetoi dhe evoluoi me kalimin e kohës, atëherë fituesi është Biblos. Ai ishte një qytet i plotë që në vitin 3000 p.e.s. /Përgatiti: Bota.al/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vrasja e Lulzim Fejzullahut, vjen reagimi i parë nga ministrja Haxhiu
-Advertisement-

Të tjera