Qytetarëve serbë në veri u shkojnë paralajmërime për ndërprerje të rrymës, 15 ditë afat t’i shlyejnë borxhet
Autori: Gazeta inFokus 07:55 | 04 October 2024
Qytetarët e komunitetit serb në veri të Kosovës janë duke marrë ditëve të fundit paralajmërime për ndërprerje të energjisë elektrike, për shkak të borxheve të papaguara.
Paralajmërimet, që i pa Radio Evropa e Lirë, jepen nga kompania serbe, Elektrosever, e krijuar në bazë të Marrëveshjes për Energjinë, e cila është arritur në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Afati për shlyerjen e borxheve për rrymën e konsumuar është 15 ditë.
Zyra e Rregullatorit për Energji, e cila monitoron punën e kompanisë Elektrosever, konfirmon se një numër i madh i qytetarëve të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut nuk i paguajnë faturat e energjisë elektrike.
“Energjia elektrike llogaritet nga subjekti i autorizuar [Elektrosever], faturat shpërndahen, por niveli i pagesës së faturave nga qytetarët është ende i ulët”, thonë nga Zyra e Rregullatorit për Energji.
Megjithatë, në përgjigjen e tyre nuk specifikohet saktësisht se sa qytetarë nuk i paguajnë faturat në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.
“Në bazë të raportit që kemi marrë së voni nga Elektroseveri, llogaritet se në veri janë rreth 23 mijë konsumatorë. Sipas legjislacionit aktual dhe licencave të lëshuara, është përgjegjësi e Elektroseverit që t’i marrë të gjitha masat për pagesën e energjisë elektrike”, thuhet në përgjigje.
Kompania Elektrosever mori licencën për të punuar në Kosovë në qershor të vitit 2023. Ndërsa, në fillim të këtij viti nisi dërgimin e faturave të para te konsumatorët.
Ata nuk e paguan rrymën e shpenzuar që nga paslufta në Kosovë, më 1999.
Si funksionon kompania Elektrosever?
Elektrosever është një kompani në pronësi të kompanisë energjetike të Serbisë, EPS, e cila është e regjistruar në Kosovë sipas ligjeve të Kosovës.
Ajo buron nga Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë për Energjinë, e arritur në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Në faqen e internetit të kompanisë Elektrosever thuhet se, në bazë të licencës së marrë në Kosovë, ajo ka të drejtë të blejë dhe të shesë rrymë në tregun e energjisë elektrike, t’i rishesë kapacitetet e tepërta me çmime të dakorduara, si dhe të importojë dhe eksportojë energji elektrike.
Pse qytetarët nuk e paguajnë energjinë elektrike?
Predragu nga Mitrovica e Veriut nuk i paguan faturat e rrymës, sepse beson se njehsori i tij është i vjetër dhe se faturat për shpenzimet e tij janë joreale.
Ai thotë se faturat i merr rregullisht, por se e ka paguar vetëm të parën, të cilën e ka marrë në shkurt të këtij viti. Të tjerat thotë se nuk do t’i paguajë, sepse janë “anormale”.
“Njehsori është i vjetër, i paraluftës… Askush nuk ka ardhur ta shikojë. Vijnë disa fatura anormale, nga 90 deri në 200 apo 250 euro”, thotë Predragu.
Ai shton se pret që në periudhën e ardhshme ta ndërrojë njehsorin, që do ta lexonte bilancin e ri dhe në bazë të të cilit do t’i paguante faturat.
Në fund të prillit, Elektroseveri nisi ndërrimin e njehsorëve të vjetër dhe vendosjen e të rinjve në objektet e reja që nuk kishin, por ky proces është ende në zhvillim e sipër.
Njehsor të vjetër të rrymës ka edhe Nenadi, por ai thotë se i paguan rregullisht faturat.
Ai tregon se, gjatë periudhës së verës, ka paguar mesatarisht 10 euro në muaj dhe thotë se mban rregullisht evidencë për rrymën e shpenzuar.
“Unë paguaj [rregullisht] që të mos më grumbullohen faturat. Rryma duhet paguar. Një vendim i tillë është marrë dhe zyrtarët [e Elektroseverit] më kanë thënë se [faturat] duhet të paguhen”, thotë Nenadi.
Aleksandra nga Mitrovica e Veriut thotë se nuk ka dashur t’i paguajë faturat për rrymën e shpenzuar, kur ka filluar shpërndarja e tyre në fillim të vitit, por se, ndërkohë, ka ndërruar mendje.
“Kam paguar faturën e parë… e cila ishte si një paradhënie. Më pas, kam bërë një pauzë të gjatë, por tani i kam shlyer të gjitha faturat”, thotë Aleksandra.
Sipas saj, njehsorët e energjisë elektrike në veri të Kosovës e llogaritin vetëm rrymën e shtrenjtë dhe kjo është arsyeja përse disa amvisëri kanë fatura të larta.
Çfarë thonë nga Elektroseveri?
Kompania Elektrosever nuk iu përgjigj pyetjeve nëse qytetarët e komunave në veri të Kosovës i paguajnë rregullisht faturat, sa konsumatorë ka, çfarë masash do të merren ndaj atyre që nuk paguajnë dhe të ngjashme.
Por, më 23 shtator, kjo kompani e njoftoi opinionin se paralajmërimi për ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike do t’u dërgohet të gjithë konsumatorëve, borxhi i prapambetur i të cilëve është mbi 100 euro.
Kompania, gjithashtu, u bëri thirrje qytetarëve që t’i mundësojnë qasjen në njehsorë, në mënyrë që të regjistrohet konsumi, dhe i ftoi sërish ata që të lidhin kontrata me Elektroseverin për furnizimin me energji elektrike.
Nga Elektroseveri i kanë thënë më herët REL-it se ata që nuk kanë paguar faturën e parë preliminare dhe nuk kanë nënshkruar kontratë me ta, automatikisht bëhen konsumatorë të Kompanisë për Furnizim me Energji Elektrike të Kosovës (KESCO).
Por, në njoftimin e fundit thanë se Elektroseveri ka të drejtë ligjore që t’ua pezullojë furnizimin me energji elektrike konsumatorëve që nuk kanë kontratë me ta, si dhe atyre që nuk kanë mundësuar qasjen në njehsorë.
“Furnizimi i sigurt dhe i qëndrueshëm me energji elektrike arrihet me shlyerjen e rregullt të faturave”, thuhet në njoftim.
Në KESCO nuk iu përgjigjën pyetjes nëse kanë konsumatorë në komunat në veri të Kosovës.
Në qershor të vitit 2023, Kosova dhe Serbia nënshkruan një udhërrëfyes për zbatimin e Marrëveshjes për Energjinë, e cila u arrit në vitin 2013 në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
Pas kësaj, në fillim të dhjetorit të vitit 2023, BE-ja njoftoi se kompania serbe, Elektrosever, ka nënshkruar një kontratë komerciale me Kompaninë Kosovare të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (KEDS).
Të tjera
-
Plạgoset një persọn në “Kodrën e Trimave” në Prishtinë, policia jep detaje
Sot rreth orës 07:00 të mëngjesit një person në “Kodrën e Trimave”, në Prisht...
-
Presidentja Osmani uron Trumpin: Mezi pres të punoj me administratën e re
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka uruar republikanin, Donald Trump, i cil...
-
Fushë Kosovë, një person sụlmoi fizikisht gruan e tij dhe më pas e hodhi nga dritarja
Një rast i dhunës në familje raportohet të ketë ndodhur ditën e marte në ...
-
Humb jetën një person në Novobërdë, u rrokullis me traktor
Një person ka humbur jetën në fshatin Bushincë të Novobërdës, pasi i njëjti ë...
-
Trump mban fjalimin e fitores: Lëvizja më e jashtëzakonshme politike, do ndihmojmë vendin të shërohet!
Donald Trump: Është një lëvizje si asgjë më parë, të jem i sinqertë kjo është...
-
Ukraina njofton për përplasjen e parë me trupat e Koresë së Veriut
Për herë të parë, trupat ukrainase janë përplasur me ushtarët e Koresë së Ver...
-
Paralajmëron meteorologia: Stuhitë e Atlantikut do të godasin Shqipërinë në mes të nëntorit
Stuhitë e Atlantikut që prej një jave kanë goditur Gadishullin Iberik duke sh...
-
Trump kryeson me 277 vota elektorale, Harris 226! Republikani drejt finalizimit të fitores, mediat amerikane e shpallin president
Miliona amerikanë shkuan në qendrat e votimit të martën për të zgjedhur presi...
-
Harris nuk do të flasë sot
Fushata e kandidates demokrate, Kamala Harris, bëri të ditur se nuk do të dek...
-
Projeksionet e mediave amerikane: Donald Trump zgjidhet presidenti i 47-të i SHBA
avolina e Vendimeve e Fox News tani mund të parashikojë që Donald Trump do të...
-
Rekord i Bitcoin në 75 000 dollarë, i nxitur nga mundësia e një fitoreje të Trump
Bitcoin kaloi vlerën e 75 000 dollarëve, për herë të parë sot, i nxitur nga p...
-
Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere mblidhet sot për ndarjet buxhetore
Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, duke filluar nga ora 11:00 shqyrton...