Lajme

Qytetarët obligohen të vaksinohen, deputetët “amnistohen” nga vaksinimi ndaj COVID-19

Autori: Gazeta inFokus 15:48 | 27 September 2021

Në Kosovë sot kanë hyrë në fuqi masat e reja për luftimin e pandemisë së koronavirusit.

Masat e reja të Qeverisë së Kosovës, në të shumtën e rasteve përfshijnë kërkesa për dëshminë e vaksinimit kundër këtij virusi, shkruan Gazeta Infokus.

Dëshmia me dy dozat e vaksinës kërkohet për të gjithë personat që  duan të hyjnë në Kosovë dhe ata që duan t’i frekuentojnë në ambiente të mbyllura lokalet e gastronomisë.

-Advertisement-

Në anën tjetër, Kuvendi i Kosovës tashmë ka nisur sesionin vjeshtor të punëve, ku 120 deputetë do t’i mbajnë seancat në ambient të mbyllur.

Gazeta Infokus është interesuar të marrë vesh se sa deputetë janë të vaksinuar me vaksinën ndaj COVID-19.

Ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të partisë në pushtet, Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, pavarësisht insistimit nga Gazeta Infokus, nuk ka dhënë përgjigje për këtë çështje. Të njëjtin qëndrim mbajti edhe shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri.

Ndryshe nga ta, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi tha se vaksinimin e sheh si çështje individuale andaj edhe nuk mund të japë informacione për deputetët e partisë së tij. Për Infokus, ai theksoj se personalisht është vaksinuar me dy dozat e vaksinës.

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj tha se të gjithë deputetët nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës janë vaksinuar me të dy dozat.

“Deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, të gjithë janë të vaksinuar. Mund të them se me të dy dozat janë të vaksinuar.” tha Lekaj për Gazetën Infokus.

Edhe shefi i GP të grupit multietnik, Enis Kervan në një përgjigje dhënë për Gazetën Infokus, tha se të gjithë deputetët e këtij grupi janë të vaksinuar.

Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë, që prej fundit të marsit, kur Kosova nisi fushatën e imunizimit kundër koronavirusit, e deri më tani, me dy dozat e vaksinës janë vaksinuar 503.498 persona.

Sa i përket vaksinimit, Në Kosovë përdoren vaksinat e AstraZenecas dhe Pfizer/BioNTech./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera