Fokus

Qytetarët e Kosovës kanë frikë të marrin kredi gjatë pandemisë

Autori: Besarta Qadraku 12:19 | 10 November 2020

Shëndeti nuk është më halli i vetëm i tyre. Qytetarët, krahas sfidës me pandeminë covid-19 po përballen edhe me telashe të mëdha financiare. Së paku kështu tregojnë të dhënat e institucioneve kompetente në Kosovë.

Për shkak të ndërprerjes së aktivitetit ekonomik gjendja financiare e qytetarëve në Kosovë është rënduar dhe një pjesë e madhe e tyre del se kanë vështirësi t’i paguajnë këstet e kredive në banka.

Ndërkaq nga frika se situata do të përkeqësohet qytetarët hezitojnë t’i mësyjnë bankave për kredi të reja.

-Advertisement-

“Në vitin e kaluar nga muaji mars deri në tetor  kanë marrë kredi 62,224 persona ndërsa në kohën e njëjtë të këtij viti kanë marrë  kredi 51,075 persona”, thonë në Bankën Qendrore të Kosovës për Gazetën inFokus.

Sipas të dhënave të prezantuara nga zyrtarët e këtij institucioni shuma më e madhe e tërhequr në formë kredia është deri në  10 mijë euro. Ndërsa shuma totale që kanë lëshuar bankat kredi është mbi 1 miliardë euro.

Për të kaluar situatën e vështirë që ka krijuar COVID-19, Banka Qendrore e Kosovës ka mundësuar shtyrjen e pagesës së kredive nga data 16 mars deri më 16 qershor 2020, e më pas mundësinë e aplikimit për ristrukturim të tyre.

në një analizë të Institutit për Studime të Avancuara (GAP) numri i atyre që kërkuan të riprogramojnë apo shtyjnë për një kohë pagesën e kësteve ishte i madh.

“Vetëm në muajin mars, 44,670 kërkesa u dorëzuan për shtyrje të pagesës së kredisë. Vlera e tyre ishte 1.3 miliardë euro, ku 71.5 për qind ishin nga bizneset. Ndërsa për ristrukturim të kredive deri në muajin korrik u aprovuan mbi 70,500 kërkesa ku 80 për qind ishin për persona fizik ndërsa 20 për qind për biznese”,  thuhet në analizë.

Gjithashtu GAP ka njoftuar se numri i kredive të reja ka shënuar rënie në gjashtëmujorin e parë të këtij viti./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera