Lajme

Quni ‘fair play’ në garën për kryetar të LDK-së, tregon se a ka folur me Vjosa Osmanin

Autori: Gazeta inFokus 19:12 | 22 February 2021

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, të premtën në Pressing të T7 e ka shpallur kandidaturën e tij për kryetar të LDK-së. Këtë tha se ua ka bërë të ditur edhe bashkëpartiakëve në mbledhjen e Kryesisë një ditë pas zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, ku Isa Mustafa i kishte njoftuar ata se s’do të jetë më kryetar, duke marrë një pjesë të përgjegjësisë për humbjen më të madhe në historinë e partisë më të vjetër në vend.

Quni sot për Express nuk ka dashur të tregojë nëse privatisht ka marrë mbështetjen e anëtarëve tjerë në parti në synimin e tij për t’u bërë kryetar i LDK-së. Ai tha se këto çështje janë të fshehta dhe se s’do që t’i bëjë publike, edhe për shkak të korrektësisë ndaj kundërkandidatëve të mundshëm.

“Unë vetëm e kam bërë të njohur që do të kandidoj. Tani këto çështjet tjera janë shumë diskrete. S’dua të tregoj për shkak të korrektësisë edhe ndaj kolegëve të tjerë që mund të jenë edhe kandidatë”, tha Quni.

-Advertisement-

Ndonëse në Pressing premtoi që në rast se do të bëhej kryetar i LDK-së, do t’i kthente në parti të gjithë të larguarit, përfshirë ushtruesen e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, Quni tha se s’ka folur me të pas asaj paraqitjeje.

“Pas shpalljes së kandidaturë s’kam biseduar me të”, pohoi Quni.

Të premten, Quni tha se ka disa arsye pse ka vendosur të futet në garën për kryetar të LDK-së, ndërsa dha edhe premtimin e madh për kthimin e Vjosa Osmanit në parti.

“Jam kandidat për kryetar të LDK-së. Janë shumë arsye e faktorë pse kam vendosur t’i futem kësaj gare. Në zgjedhjet e fundit është shprehë mosbesim ndaj LDK-së. Ata që kanë dalë në LVV, brenda një kohe të shkurtër do t’i riktheja në shtëpinë e tyre”, ka deklaruar ndër tjerash Quni.

“Jam i vetmi që jam deklaruar që nga momenti kur Isa Mustafa është larguar nga përgjegjësitë, të gjithë anëtarët e Kryesisë, që në Kuvendin e radhës unë do të jem kandidat për kryetar të LDK-së”, ka theksuar Quni.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera