Kuzhina

Qull me Pulë e Arra – Receta Sipas Traditës së Vjetër

Autori: Gazeta inFokus 11:36 | 07 May 2019

Në shumë zona të Shqipërisë njihet si Qull me Arra, e në shumë zona të tjera si Qervish. Foto: Flickr
Është një nga gatimet më të hershme tradicionale, i përgatitur në mënyrë fantastike nga mjeshtëria e duarve të nënave dhe gjysheve shqiptare.

Por gjithashtu, është një nga gatimet më mbresëlënëse për çdo turist të huaj që e provon e që mahnitet nga shija e tij teksa përpiqet të marrë me vete recetën e përgatitjes.

Në shumë zona të Shqipërisë njihet si Qull me Arra, e në shumë zona të tjera si Çervish.

-Advertisement-

E megjithatë tradita mbetet e njëjtë, e po ashtu edhe shija unike e tij.

I përgatitur me përbërës të thjeshtë, të cilët lehtë gjenden në kuzhinën e çdo familjeje, Qulli me Arra apo Çervishi është një gatim special i cili kënaq shijen dhe oreksin teksa mbledh gjithë familjen rreth tryezës.AgroWeb.org u sugjeron më poshtë recetën autentike të përgatitjes së kësaj recete të shijshme dhe unike të traditës shqiptare.

Si ta Përgatisim këtë Gatim Special në Shtëpi
Përbërësit

1 pulë 1 kg ose kofsha pule 1 kg

100 ml vaj ulliri ose 200 gr gjalpë

15 lugë gjelle miell misri,

Piper i zi

Piper i kuq

Një kokërr qepë

Një lugë gjelle kripë

Një filxhan çaji me arra të shtypura

1.5 l lëng pule

Përgatitja:

Në një tigan kavërdisim me pak gjalpë ose dy lugë vaj ulliri qepën e grirë hollë.Shtojmë dhe pulën ose kofshat e pulës dhe e kalojmë për një skuqje shumë të lehtë për një apo dy minuta.

E kthejmë pulën nga të dyja anët.

Më pas, hedhim ujin. Shtojmë kripën, piperin e zi dhe piperin e kuq.

I lëmë të zjejnë përreth një orë.

Nga ana tjetër, në një tenxhere shkrijmë gjalpin ose hedhim vajin e ullirit, hedhim miellin e misrit dhe e kavërdisim për 15 minuta.

Në momentin që mielli nis skuqjen dhe të marrë ngjyrë në kafe të hapur, hedhim lëngun e përvëluar të pulës dhe e përzjejme fortë dhe në mënyrë të pandërprerë që të mos krijohen kokërriza.

Sapo masa të jetë krijuar në formën e salcës e hedhim në një tavë, të cilën përmes një furçe kuzhine e kemi lyer më parë me një lugë vaj ulliri.

E fusim në furrë të ngrohtë me 250 gradë celcius dhe e lëmë të piqet për 15 minuta.

Sipas dëshirës, mund të shtrojmë tre petë byreku në tavë e më pas të hedhim sipër saj salcën e përgatitur.

Mbi qullin e përgatitur vendosim mishin e pulës të cilin sipas preferencës mund ta ndajmë në copa ose mund ta vendosim të plotë.

Pasi e heqim nga furra i hedhim sipër arrat e shtypura dhe sipas preferencës mund t’i shtojmë edhe hudhra të shtypura.

Qulli me Arra shoqërohet mjaft mirë me zahire të ndryshme shqiptare, sidomos turshitë, sallata të stinës etj.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova dhe Komiteti Olimpik i Kosovës nënshkruajnë vazhdimin e marrëveshjes së sponsorizimit për periudhë 10-vjeçare

Të tjera