Lajme

QUINT-i: Vlerësojmë Serbinë, jemi të dëshpëruar me Kosovën – kanë minuar aspiratën për integrim

Autori: Gazeta inFokus 14:43 | 23 March 2022

Shtetet e QUINT-it (Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës) përmes një deklarate të përbashkët janë shprehur të zhgënjyer me Qeverinë e Kosovës pas moslejimit të mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë, teksa u shprehën vlerësues ndaj “qasjes konstruktive të Serbisë”.

“Një qëndrim i tillë i Qeverisë së Kosovës nuk është në përputhje me vlerat dhe parimet tona dhe do të minojë aspiratat e tyre evropiane”, kanë shkruar shtetet e QUINT-it.

“Ndonëse e vlerësojmë disponueshmërinë e Serbisë për të gjetur një zgjidhje, me zhgënjim të madh marrim parasysh vendimin e Qeverisë së Kosovës për të refuzuar një propozim konstruktiv të paraqitur nga shtetet e QUINT-it. Me këtë vendim, Qeveria e Kosovës dështoi të demonstrojë përkushtimin e saj ndaj parimit të mbrojtjes së të drejtave civile dhe politike të të gjithë qytetarëve të saj, përfshirë edhe pjesëtarët e grupeve minoritare”, shkruhet më tej.

-Advertisement-

Më tej në deklaratë shkruhet se bota perëndimore pret që Kosova të mirëmbajë vlerat dhe përgjegjësitë bazë kundrejt stabilitetit rajonal dhe të respektojë proceset demokratike, si dhe të jetë e vendosur ndaj ruajtjes të së drejtave të pakicave.

“Presim që Qeveria e Kosovës të veprojë në interes të të gjithë qytetarëve të saj, të punojë për uljen e tensioneve dhe të angazhohet në mënyrë konstruktive në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Kjo është thelbësore për të arritur progres drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit që përfundimisht do të zhbllokojë perspektivën e Kosovës në BE”, shkruhet më tej në reagim.

Siç shkruhet në deklaratë, Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara janë angazhuar intensivisht me qeveritë e Kosovës dhe Serbisë në muajt e fundit për të gjetur një zgjidhje pragmatike për t’u lejuar qytetarëve të Kosovës që kanë të drejtë të ushtrojnë të drejtën e tyre për të marrë pjesë në zgjedhjet e Serbisë më 3. 3 prill 2022. /Albanianpost.com

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova nderohet me tre Çmime prestigjioze për qëndrueshmëri
-Advertisement-

Të tjera