Qosja: PDK e LDK ia lanë prushin në duar Haradinajt
Autori: Gazeta inFokus 18:26 | 16 September 2017
1.Profesor Qosja, po e rinisim këtë bashkëbisedim në fillim të një sezoni të ri politik. Para tre muajsh u zhvilluan zgjedhjet parlamentare si në Kosovë dhe në Shqipëri, për të cilat ju patët pritshmëritë tuaja?
Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri dhe në Kosovë pjesërisht ishin e pjesërisht s’ishin, diku ishin e diku s’ishin në pajtim me parashikimet e mia. Isha i bindur se në Shqipëri do të fitonte Partia Socialiste, por nuk e kisha pritur se do të fitonte me rezultat aq të lartë.
Në Kosovë në opozitë do të duhej të mbeteshin Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës. Dhe do të duhej të mbeteshin në opozitë për shkak të të gjitha të padëshiruarave, të papranuarave, të të këqijave që kishin ndodhur në Kosovë gjatë pushtetit të tyre. Por, nuk ndodhi ashtu.
2.Në Kosovë surprizë ishte mbështetja dhe votat për Vetëvendosjen e cila hyri e vetme në zgjedhje dhe fitoi më shumë vota se koalicionet parazgjedhore që u krijuan. Mirëpo, ajo fitore Vetëvendosjes nuk ia dha shansin për të qeverisur. U krijuan aleanca të reja paszgjedhore dhe tashmë kemi paradoksalisht një qeverisje tjetër. A mund ta konsiderojmë këtë si një tjetërsim të vullnetit të zgjedhësve.
Mendoj se Vetëvendosja humbi gjasën për të qeverisur pas fitores së madhe, të rëndësishme dhe treguese për vullnetin e zgjedhësve në Kosovë për shkak të disa kushtëzimeve të paarsyeshme prej aleatëve të tjerë dhe për shkak të disa mospajtimeve të veta të arsyeshme me aleatët e koalicionit.
3. A ka ndikuar qëndrimi i Beogradit në hartën e re politike të Kosovës?
Nuk mund të thuhet se qëndrimet e Beogradit janë plotësisht të pa ndikim në hartën politike të Kosovës. Në Kosovë janë disa parti politike serbe, të cilat, kur e do interesi i tyre, bashkohen rreth një partie, me emrin Lista Serbe. Dhe, kjo parti e serbëve gëzon përkrahjen e disa faktorëve ndërkombëtarë në radhë të parë pse serbëve u është krijuar trajtim shumë i privilegjuar në “Kushtetutën” e Ahtisarit – larg më i privilegjuar se i të gjitha pakicave etnike në Evropë! Dhe, kjo parti e serbëve në Kosovë sot mund të luajë rol në formimin e qeverive dhe mund të luajë rol në rrëzimin e qeverive në Kosovë! Nuk mund të mos thuhet se kjo parti luajti rol në krijimin e qeverisë së Ramush Haradinajt, më 7 shtator të këtij viti.
Unë në asnjë rast nuk jam i pa përkushtim politik e shoqëror ndaj Ramush Haradinajt. Kam shkruar e botuar dy reagime për të derisa ishte ndaluar prej Gjykatës në Francë; kam shkruar edhe më parër për të. Ramush Haradinajt dhe familjes së tij u takoi të durojnë shumë dhembje gjatë luftës dhe shumë padrejtësi e shumë dhembje edhe pas Luftës. Por, unë nuk e quaj veten të palumtur jo pse Ramush Haradinaj u bë kryeministër, por pse u bë kryeministër i kësaj Qeverie pas tre muajsh zvarritjesh të koalicioneve për krijimin e Kuvendit dhe të Qeverisë dhe pse u bë si u bë. Ramush Haradinajt në të vërtetë ia lanë prushin në duar ata që do të duhej të mbeteshin në opozitë më gjatë – LDK-ja dhe PDK-ja. Them kështu për arsye se mendoj se Ramush Haradinaj, si figurë e autoritetshme jo vetëm në këtë qeveri, por edhe në Kosovë në përgjithësi, pashmangshëm ka para vetes dy sfida të rënda për vendosje: përcaktimin e vijës kufitare me Malin e Zi dhe krijimin e Bashkësisë së Komunave Serbe. Dhe këto dy sfida mund të bëhen arsyeja që Ramush Haradinaj të humbë prestigjin politik ose të humb qeverinë. Për hir të tij do të doja ta humbte të dytën, jo të parën.
E në Kosovë, cilat janë në Kosovë prioritetet e qeverisë Haradinaj?
Përpos detyrave parësore të Qeverisë së Edi Ramës në Shqipëri, para Qeverisë së Ramush Haradinajt qëndrojnë edhe një varg detyrash të tjera shumë të rëndësishme. Ja disa prej tyre. Më së pari duhet të vendoset rend, disiplinë, përkushtim ndaj punës në institucionet shtetërore e kjo do të thotë përkushtim ndaj popullit dhe shtetit; duhet të ndalohet përdorimi e shpërdorimi i gazetarëve në vazhdimësi, kur e kur të futur në partitë e në institucionet shtetërore, me qëllim që të përndjekin të mospajtuarit dhe kritikët e të këqijave në ato institucione; duhet të bëhen përpjekje që të bashkëpëlqehen, si e thonë të tjerë në vendet e tyre, ato që quajmë kombëtare me ato që quajmë qytetare; duhet të përcaktohen themelet e shoqërisë – duhet të bëhen përpjekje të përcaktohet sistem i vlerave; duhet të përcaktohet gjedhja politike shtetërore: do të jemi shtet liberal apo shtet social – unë them shtet social; nuk duhet të vihet anëtari i partisë, siç po ndodh sot, para qytetarit, por e kundërta – qytetari para së gjithash; duhet të sigurohet barazia e qytetarëve para gjyqësorit dhe drejtësisë në përgjithësi; duhet të stabilizohen institucionet dhe të bëhet shteti funksional; duhet të mënjanohet sundimi personal dhe të sigurohet funksionimi i institucioneve, me çka do të parandalohen krizat e shpeshta politike e institucionale në Kosovë; duhet të parandalohet me ligje e keqja e quajtur nepotizëm, me të cilin aq rëndë cenohet profesionalizmi dhe dëmtohen institucionet në fushat e ndryshme të jetës; duhet të sigurohet dinjiteti i shtetit me njësinë e institucioneve dhe të simboleve të tij; duhet të ndalohet veprimtaria e bankave serbe në qendrat me shumicë serbe ne Kosovë; duhet të ndalohet përdorimi i simboleve shtetërore të Serbisë në vendet ku duhet të shquhen simbolet shtetërore të shtetit të Kosovës; duhet të mënjanohet shquarja e figurave partiake në vend të figurave shtetërore në institucionet shtetërore, sepse shteti nuk është partia; duhet të mënjanohen figurat fetare në institucionet shtetërore, sepse Kosova nuk është shtet fetar po laik. E të tjera. E të tjera.
8.Profesor, ka kohë që po flitet për një reformë të thellë në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Shkencëtarë e studiues seriozë si Xhevat Lloshi, Pëllumb Xhufi, Paskal Milo, Fatos Tarifa e të tjerë janë të mendimit se me reformën e vitit 2006-2007, nën qeverinë Berisha, Akademia mori goditje të rëndë që atrofizoi punën e saj. Ata janë shprehur se kjo Akademi duhet shkrirë dhe reformuar me themel. Ju si Akademik e keni ndier nevojën e këtij reformimi?
Para se të përgjigjem në pyetjen tuaj e quaj të nevojshme të them se gjatë çerekshekullit të fundit krijimtaria shkencore, studiuesit shkencorë dhe intelektualët në përgjithësi janë shpërfillur skajshëm më shumë se kurrë prejse Shqipëria është bërë shtet dhe prej se Kosova është bërë autonomi. Sa dihet, në Shqipëri e në Kosovë hulumtimet shkencore dhe kultura në përgjithësi mbështeten financiarisht prej shtetit më pak se në asnjë vend në rajon e më gjerë. Kjo gjendje nuk flet mirë për institucionet tona shtetërore, por kjo gjendje nuk flet mirë as për krijuesit! Them kështu sepse krijuesit është dashur të ngrenë zërin veç e veç e bashkarisht, të mbrojnë krijimtarinë shpirtërore prej shpërfilljes së pashembullt që i është bërë prej pushtetarëve, të ngrenë zërin ashtu të vetëdijshëm se duke mbrojtur krijimtarinë shpirtërore po mbrojnë vlerat më të rëndësishme të popullit të vet, po mbrojnë dinjitetin kulturor dhe identitetin e tij kombëtar. Po, t’i kthehem pyetjes suaj.
Sipas bindjes sime, ajo që bëri Qeveria shqiptare në vitin 2006-2007 me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe në përgjithësi me institucionet shkencore nuk mund të quhet reformë dhe nuk mund të quhet reformë sepse ndikimi i atyre që u bënë në to ishte shpartallues, pengues shumë më dukshëm sesa organizues, rregullues, krijues! Në të vërtetë qëllim i asaj ndërhyrjeje, ta quaj ashtu, në Akademinë e Shkencave nuk ishte ndonjë reformë për të mirën e veprimtarisë shkencore, por përvetësim dhe përdorim politik i asaj Akademie për Partinë Demokratike dhe aleatët e saj partiakë, përmes futjes në Akademi të rreth njëzet krijuesve të fushave të ndryshme, gati të gjithë anëtarë apo përkrahës të Partisë demokratike. Nuk ka dyshim se kjo ndërhyrje la pasoja si në jetën në Akademi ashtu edhe në veprimtarinë e saj shkencore dhe profesionale në përgjithësi. Mund të jetë se një prej pasojave të kësaj ndërhyrjeje, domethënë të politizimit të këtillë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, është mospranimi në të i disa prej studiuesve më të shquar shqiptarë sot. Unë, vetë, por jo vetëm unë, nuk mund të kuptoj pse kjo Akademi i lejon vetes të jetë pa i pasur në radhët e veta historianët më të mirë shqiptarë sot, Pëllumb Xhufin, Paskal Milon dhe arkeologun e shquar Neritan Ceka. Unë, vetë, nuk mund të kuptoj pse kjo Akademi i lejon vetes të jetë pa i pasur në radhët e veta gjuhëtarët e shquar Xhevat Lloshin, Seit Mansakun dhe Emil Lafen, të cilët bashkë edhe me disa studiues të tjerë të shquar e shumë të merituar kanë bartur barrën e zhvillimit të shkencës e të arsimit shqip përgjatë 5-6 dekadash. Unë, vetë, nuk mund të kuptoj pse kjo Akademi i lejon vetes pa e pasur në radhët e anëtarëve të saj edhe një studiues shkencor e intelektual si Nelson Çabej, i cili me idetë e tij, me dijet e tij do të ndikonte shumë në modernizimin e veprimtarisë së Akademisë.
Me shkrimet dhe me debatet e tanishme pothuajse filluan përpjekjet për reformën e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Dhe, filluan, siç u pa, mbasi për reformën u shpreh vendosmërisht kryeministri Edi Rama me Qeverinë e tij.
Dukshëm më e rëndë se në Akademinë e Shqipërisë është gjendja në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Derisa në Akademinë e Shqipërisë veprojnë e ndikojnë dy krahë politikë, në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës kemi vetëm një krah, vetëm një Parti. Akademia e Kosovës është plotësisht e pushtuar prej njerëzve të një Partie – të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Merreni me mend se sa tragjikomike, se sa qesharakëzuese, sesa primitive është gjendja në këtë Akademi: në të janë futur derisa ishin në poste partiake a administrative edhe kryetari, edhe nënkryetari i LDK-së, edhe kryetarët e dy partive satelitore të LDK-së, edhe shtatë anëtarë të Kryesisë dhe të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së. Shkurt e shqip: në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës është futur e gjithë udhëheqja e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Dhe, për të qenë gjendja edhe më tragjikomike, edhe me qesharakëzuese: këtë Akademi qe rreth 20 vjet e drejtojnë dy anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, një anëtar i Kryesisë së LDK-së dhe dy kryetarë të dy partive satelitore të LDK-së! Domethënë ASHAK-un e drejton, në të vërtetë e përdor dhe e shpërdor siç do qe rreth njëzet vjet udhëheqja e LDK-së. Për të qenë kjo gjendje edhe më e pakuptimshme e më e dënueshme, asnjë institucion shtetëror i Kosovës, madje, as financuesi i Akademisë së Kosovës – Kuvendi i Kosovës nuk e çel gojën për këtë gjendje kundërdemokratike, antikulturore dhe, pse jo, antikombëtare. Janë shkruar jo pak shkrime me të cilat çmaskohet kjo gjendje, janë zhvilluar shumë biseda e intevista kundër kësaj gjendjeje, është shkruar peticion që u është drejtuar Kuvendit dhe Qeverisë, por që ato s’e kanë quajtur të nevojshme as t’u përgjigjen qoftë me një fjalë nënshkruesve të peticionit!
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës është uzurpuar kështu prej LDK-së dhe uzurpatorëve që kryejnë punët e saj të ndëshkueshme në të!
Dhe, për shkak se është kështu e uzurpuar me vjet, në këtë Akademi është refuzuar pranimi i disa studiuesve e shkrimtarëve më të merituar të Kosovës: i Ramiz Kelmendit, i Din Mehmetit, i Ymer Jakës, i Shefki Sejdiut, i Agim Vincës, i Shefkije Islamajt, i Qemal Muratit, i historianëve Zekeria Cana e Jahja Drançolli, kurse është pranuar autor me vetëm maturë të kryer, kurse është pranuar autor doktoratura e të cilit është dëshmuar se është plagjiaturë, kurse janë pranuar autorë që si “vepra shkencore” kanë paraqitur dispensa universitare!
Uzurpimi partiak dhe klanor është arsyeja pse në Ligjin për Akademinë e Shkencave e të Arteve të Kosovës, të punuar në Akademi, e të pranuar, pa kurrfarë diskutimi publik, nga Kuvendi i Kosovës, është shpërfillur Ligji për konflikt interesi, dhe rrjedhimisht është bërë i pamundshëm pranimi në Akademi i atyre që kanë mbushur 65 vjet, domethënë i krijuesve në moshën më të mirë të krijimtarisë shkencore.
Uzurpimi partiak e klanor është arsyeja pse në Ligjin për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës flitet për bashkëpunimin e saj me akademitë e vendeve të rajonit e të botës, por me asnjë fjalë nuk përmendet Akademia e Shkencave e Shqipërisë, thuajse Akademia e Kosovë duhet të bashkëpunojë me Akademinë e Shqipërisë vetëm aq dhe vetëm ashtu sa e si bashkëpunon me Akademitë e shteteve të tjera madje edhe Akademinë e Republika Srpskës.
Uzurpimi partiak e klanor është arsyeja pse në ASHAK pranohen zyrtarë në pozita të larta politike e shtetërore njëri prej të cilëve është edhe kryetari i Prishtinës dhe i LDK-së i pranuar në Akademi derisa ishte në ato poste, tjetri e tjetri duke qenë ministër e kështu me radhë! Kësi neofashizmi në institucione shkencore sot për sot po i sjell Evropës vetëm ASHAK-u!
Nuk ka dyshim se dy akademitë shqiptare nuk po e plotësojnë tani e sa kohë, sidomos prej viteve nëntëdhjetë e këndej, misionin e tyre për të cilin edhe janë themeluar. E mision i tyre nuk është vetëm shkencor; misioni i tyre është edhe kulturor, edhe kombëtar.
Ato kanë harruar se me idetë e tyre, me mendimet e tyre, me gjykimet e tyre duhet të ndikojnë në rritën e përgjithshme kulturore të popullit të tyre.
Ato kanë harruar se pa këtë rritë kulturore asnjë popull nuk mund të zhvillohet, nuk mund të përparojë në pikëpamje materiale.
Ato kanë harruar se pa këtë rritë të përgjithshme kulturore kurrë, asnjë vend, nuk mund të futet në radhën e vendeve të zhvilluara.
Ato, dy akademitë tona, kanë harruar edhe shumëçka tjetër: kanë harruar sidomos se me dijen e anëtarëve të tyre, me kulturën dhe me përgjegjshmërinë e anëtarëve të tyre duhet t’u kundërqëndrojnë të këqijave, privilegjeve, zhvatjeve, pasurimeve të paligjshme, shfytyrimeve të llojllojshme të oligarkisë politike e jo të bëhen, si disa nga anëtarët e tyre, nënbishta të saj!
Ato kanë harruar se të jesh shkencëtar, të jesh krijues, do të thotë të jesh pashmangshëm atdhetar dhe të kesh obligim t’u kundërqëndrosh të gjitha atyre mendimeve, ideve e veprimtarive politike që e cenojnë atdhetarizmin.
Ato kanë harruar se janë dy akademi të një populli, të një populli me një histori, me një gjuhë, me një kulturë, me një traditë, prandaj mision i tyre parësor është t’i bashkojnë dhuntitë krijuese për studimin sa më të mirë, sa më të plotë, sa më objektiv, sa më të gjithësishëm të të gjitha atyre të përbashkëtave.
Ato kanë harruar, prandaj, të krijojnë struktura të përbashkëta për planifikime të përbashkëta e për studime të përbashkëta.
Ato kanë harruar, prandaj, se çka është dashur e çka duhet të mendojnë: të mendojnë për krijimin e një Akademie Gjithëkombëtare Shqiptare, në të cilën do të ishte i përmbajtur ideali kombëtar i ardhmërisë shqiptare.
Ato, dy akademitë tona, kanë harruar se çdo i financuar qoftë në socializëm qoftë në kapitalizëm duhet të japë llogari për përdorimin e fondeve financiare para institucionit shtetëror që e financon.
9.Megjithatë, ditëve të fundit u bënë zgjedhjet në Akademi dhe Kryeministri Rama i konsideroi farsë dhe paralajmëroi ndërprerjen e fondeve… A është ky udhëkryq për Akademitë tona të Shkencave?
Zgjedhjet në Akademi, zgjedhja e akademik Gudar Beqirajt kryetar i saj, edhe pse kishte qenë radhazi edhe kryetar i saj një mandat dhe zëvendëskryetar para këtij mandati, dorëheqja e nënkryetarit, arkeologut më të shquar shqiptar, Muzafer Korkutit, dhe zgjedhja e Komisionit për reformë tregojnë se, sipas të gjitha gjasave, Partia Demokratike përsëri i ka futur duart e saj shumëçkabërëse në këtë Akademi!
Shumëkujt i ra në sy se në këtë Këshill u zgjodhën edhe tre anëtarë nderi dy prej të cilëve ishin shqiptarë të Maqedonisë e njeri ishte arbëresh.
Nuk dua të besoj se anëtarët e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, që zgjodhën Komisionin në fjalë, mendojnë për Kosovën çka kishte deklaruar se mendon për Shqipërinë kryetari i tashëm, në dy mandate, i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, i cili, edhe në prani të një akademiku dhe të një intelektuali tjetër nga Shqipëria, kishte deklaruar: ”Kosova ka përmbysur dy perandori (Perandorinë Otomane dhe Perandorinë Austrohungareze) prandaj aq më lehtë do ta përmbysë Shqipërinë!”
Përpos të metës së madhe të sipërtheksuar, Komisioni në fjalë kishte edhe një të metë tjetër të madhe: kishte përbërje vetëm prej anëtarëve të Akademisë, pa asnjë intelektual të shoqërive civile, pa asnjë studiues, asnjë krijues, asnjë intelektual tjetër nga Shqipëria e nga Kosova. Nuk mund të reformojë Akademinë Komisioni për reformë themeluesi i të cilit përzgjedh me pincë anëtarët e tij që e di se do të përkrahë çka thotë ai e çka do ai! Me një përbërje të tillë ai Komision nuk mund të reformojë, në të vërtetë nuk mund ta shërojë Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.
10.Si mund të shpëtohet Akademia jonë dhe a i ka mundësitë ta bëjë këtë?
Akademia e Shkencave e Shqipërisë mund të reformohet duke plotësuar Komisionin edhe me të tjerë, që nuk janë ende anëtarë të saj, edhe me të tjerë që nuk janë anëtarë partish. Akademia e Shqipërisë mund të reformohet sepse në shpëtimin e saj do të inkuadrohen edhe ata që e financojnë: edhe Qeveria shqiptare. Akademia e Shqipërisë i ka mundësitë që të reformohet si duhet sepse edhe në përbërje të saj, edhe në Shqipëri ka intelektualë, krijues, njerëz politikë e shtetërorë me kulturë të gjerë, me dije, me informim të gjerë për çka ndodh sot në shkencë e në kulturë në botë në përgjithësi.
E, ideja thelbësore mbi të cilën duhet të reformohet Akademia e Shqipërisë sipas mendimit tim është përbërja (struktura) e saj gjithësore.
Më vështirë, ndërkaq, do të reformohet Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës dhe do të reformohet më vështirë jo pse në Kosovë nuk ka njerëz me kulturë, me dije, me informim të gjerë se ç’ngjet në botë në fushë të shkencave e të kulturës, por pse në krye të saj janë disa mediokritete që kurrë vepër filozofike s’kanë lexuar, kurrë vepër monumentale për kulturat e qytetërimet s’kanë lexuar, pse në krye të saj janë ata që leverditë e veta e të partisë së vet ua mbivendosin interesave të përgjithshme.
Vështirë, ndërkaq, do të shpëtohet Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës edhe për shkak se strukturat shtetërore, edhe për shkak se Kuvendi i Kosovës si financues i saj, edhe për shkak se Qeveria e Kosovës, nuk tregojnë kurrfarë interesimi për shpëtimin e asaj Akademie, për nxjerrjen e saj prej kthetrave partiakë, prej kthetrave të LDK-së dhe prej kthetrave të një klani partiak. E arsyet pse nuk e tregojnë këtë interesim e përbëjnë një temë pak më të gjerë me të cilën në këtë bisedë nuk e quaj të mundshme të merrem.
Qytetarëve të Kosovës të cilët, megjithatë, duan të kenë një Akademi të popullit të Kosovës e jo të një partie e të një klani, të kenë një Akademi me sistem vlerash, me dije, me ide bashkëkohore, me kulturë, me vepra që e ngrenë mendjen dhe e përparojnë shoqërinë e quaj të nevojshme t’ua përkujtoj mendimin e mençur të një mendimtari evropian, që u citua edhe në shkrimin e Nelson Çabejt për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë:
“Ata që provojnë edhe ndodh të dështojnë, por ata që nuk provojnë fare ata janë të humbur përgjithmonë”.
Kërkoni, prandaj, qytetarë, që të reformohet, në të vërtetë që të shpëtohet Akademia e Kosovës, që të shpëtohet prej gllabërimit nga një parti dhe një klan dhe që të shpëtohet prej një vargu të këqijash që e kanë pushtuar!
Për të gjitha këto arsye Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria e Kosovës si financuese të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës duhet të japin nismën për reformimin e kësaj Akademie e kjo do të thotë për organizimin e saj përkatës me kohën dhe kushtet në të cilat jemi sot, e kjo do të thotë që të shpëtohet prej një vargu të këqijash që e rëndojnë në pikëpamje profesionale, në pikëpamje shoqërore, në pikëpamje politike dhe në pikëpamje etike.
Nisma për reformën e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë pashmangshëm kërkon edhe reformën e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Bisedën e bëri Xhevdet Shehu, Gazeta Dita – Tiranë
Prishtinë, 14.09.2017 Rexhep QOSJA
Të tjera
-
Fundosen veturat te ura e Stacionit të Autobusëve në Prishtinë
Të paktën dy automjete janë fundosur në afërsi të urës së Stacionit të Autobu...
-
Kryesia e Kuvendit mblidhet të hënën, ky është rendi i ditës
Kryesia e Kuvendit ka bërë të ditur se do të mblidhet të hënën. Kjo mbledh...
-
Parashikimi i motit për vikend
Reshjet e shiut që filluan ditën e premtë, më vonë gjatë mbrëmjes dhe natën, ...
-
Konfiskimi i ạrmạtimit në veri, Kurti: Siguria e njerëzve dhe e të gjithë vendit mbeten prioritet
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në X ka bërë një shkrim në lidhje me konf...
-
Kurti: Qeveria që ka investuar më së shumti në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore islame në Kosovë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nën udhëheqjen e tij, Qe...
-
Durmishi bën apel pas reshjeve të vazhdueshme të borës: Kujdes gjatë vozitjes, ekipet e mirëmbajtjes janë në terren
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka dalë me një apel pa...
-
Rrugët e Prishtinës vërshohen, njohësi i emergjencave: Përsëri dështoi infrastruktura nëntokësore në kryeqytet
Njohësi i i çështjeve të emergjencave civile, Tahir Ahmeti ka reaguar pasi si...
-
Dita e Alfabetit, studiuesit: Duhet unifikim të praktikave të gjuhës në tri shtetet ku shqipja është zyrtare
Tashmë një ditë feste zyrtare, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, nuk vjen pë...
-
KFOR-i, EULEX-i dhe Policia e Kosovës stërviten së bashku të hënën
KFOR-i njofton së bashku me EULEX-in dhe Policinë e Kosovës do të zhvillojnë ...
-
Refuzohet kërkesa e Shalës për mosparaqitje ose shtyrje të seancës
Gjykata Speciale njofton se Trupi Gjykues i refuzoi kërkesën e Mbrojtjes që t...
-
Zemaj Kurtit e Vitisë për QKMF’në e Mamushës: Jeni definicioni i propagandës, preni shirita për punët që i kam bërë unë si ministër
Deputeti i Lidhjes Demokratike e Kosovës, Armend Zemaj ka thënë sot se kryemi...
-
Riker: Mbyllni procesin e dialogut dhe zgjidhni problemet
Ish-zëvendës Ndihmës Sekretari i Departamentit të Shtetit, Filip Riker, dekla...