Lajme

Qortimi diplomatik i SHBA-së: Ministrat e Kosovës nuk lëvizin nga vendi

Autori: Gazeta inFokus 15:02 | 10 November 2022

Qeveritarëve u është bërë “e ndaluar” vizita në SHBA. Washingtoni është shprehur i zhgënjyer me Qeverinë e Kosovës, e cila nuk e përfilli kërkesën për ta shtyrë për 10 muaj zbatimin e vendimit për zëvendësimin e targave të automjeteve, të cilat lëshohen nga Serbia. Analisti Astrit Gashi vlerëson se ky është një qortim diplomatik për ta bërë Kosovën më të përgjegjshme.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu kishin planifikuar të niseshin drejt SHBA-së, por kjo nuk ndodhi. Siç raportuan disa media, të njëjtën rrugë synonin ta merrnin edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi bashkë me tre kryetarë komunash nga Lëvizja Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqin, Alban Hysenin dhe Qemal Aliun.

Por Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk deshën që ministrat ta vizitonin Washingtonin këtë kohë. Kjo, qeveritarëve u është komunikuar nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë.

-Advertisement-

“Ne aktualisht jemi në një krizë, dhe është pikëpamja jonë që, ne jemi tejet të përqendruar në këtë krizë, besojmë që edhe kjo qeveri është e përqendruar në këtë krizë, dhe mendojmë se nuk është koha mbase domosdoshmërisht më e duhura që ministrat të jenë duke udhëtuar për në SHBA për takime zyrtare duke e pasur parasysh krizën të cilën duhet trajtuar këtu. Dhe këtë po ua komunikojmë zyrtarëve të ndryshëm në qeveri”, ka thënë të mërkurën ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier në një takim me gazetarë.

Analisti Astrit Gashi i tha Gazetës Express se kjo është “një formë qortimi” nga SHBA-ja ndaj Qeverisë së Kosovës.

“Nuk ka asnjë dyshim se kjo është një formë diplomatike e shprehjes së paknaqësisë, le ta themi edhe qortimit të SHBA-së ndaj Qeverisë së Kosovës në raport me targat. Qortime e ndëshkime të ngjashme kemi parë edhe para disa kohësh, sa herë që qeveritë e Kosovës nuk kanë shprehur gatishmëri për t’i dëgjuar kërkesat eksplicite të SHBA-së, sikur që ishte rasti i taksave”, tha Gashi.

Ai megjithatë sheh diçka të rëndësishme dhe pozitive në këtë qasje të SHBA-së.

“Derisa këto situata janë të pakëndshme, ato në një notë pozitive dëshmojnë seriozitetin e përfshirjes amerikane në dialogun që po e udhëheqin Franca dhe Gjermania, dhe kjo duhet të na bëjë të ndjehemi më të sigurt, por edhe më të përgjegjshëm”.

Pasi të mërkurën paradite i quajti shpifje raportimet fillestare për anulim të vizitës së saj në SHBA, pasdite ministrja Haxhiu tha se bashkërisht me zyrtarë të lartë të ambasadës amerikane në Prishtinë janë pajtuar se “duhet ta shtyejmë për një datë më të përshtatshme vizitën”.

“Sot pasdite jam takuar me zyrtarë të lartë të Ambasadës së SHBA-ve në Kosovë. Ndër të tjera, diskutuam edhe rreth ftesës së tyre për vizitë në SHBA. Marrë parasysh situatën aktuale politike në vend, bashkërisht kemi konsideruar se duhet ta shtyejmë për një datë më të përshtatshme vizitën. Lajmet se më është refuzuar viza dhe lajmet tjera lidhur me viziten, ndryshe nga ky shpjegim, nuk qëndrojnë pra janë të pavërteta”, shkoi Haxhiu.

Ndonëse në një përgjigje me shkrim nga Ministria e Drejtësisë thanë se vizita është shtyrë për dhjetor, Haxhiu shkroi në mbrëmje thjesht se “datat do t’ua kumtojmë me kohë”.

Fatri Zhitia, një zëdhënës në Komunën e Podujevës, reagoi dje për shefin e tij.

“Lajmi se kryetarit të komunës, Shpejtim Bulliqi i është refuzuar viza për në ShBA është i PAVËRTETË. Kryetarit Bulliqi i është lëshuar viza amerikane për 5 vjet. Ndërsa vizita e cila ka qenë e planifikuar të zhvillohet javën e ardhshme në IOWA të ShBA-së është shtyrë për në fillim vit në dakordim edhe me kryetarët e tjerë të komunave për shkak të situatës së krijuar në veri të vendit”, shkroi ai në Facebook, duke publikuar më pas një fotografi të vizës amerikane të Bulliqit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita Home nis epokën e franshizës në Belgjikë
-Advertisement-

Të tjera