Lajme

QKUK’ja ka bërë tek një foshnjë një operacion të rrallë që askush s’e kishte menduar

Autori: Gazeta inFokus 12:51 | 04 March 2018

Në klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve në QKUK është kryer me sukses një operacion i rrallë i një foshnje të porsalindur nga qyteti i Pejës. Foshnja dyditëshe kishte probleme me kanalin e fytit. Qumështi i nënës derdhej direkt në mushkëritë e fëmijës. Mjekët e QKUK’së thonë se operacioni që e kanë kryer ka qenë i pari që nga paslufta, duke sqaruar se kjo anomali e lindur, në gjithë botën, përcillet me vdekshmëri të lartë, raporton Gazeta Express.

Në fund janarit të këtij viti një nënë e re që lindi fëmijën e saj në Spitalin e Pejës, nuk mundi ta ushqejë foshnjën, pasi që qumështi i saj derdhej në mushkëritë e të sapolindurit. Foshnja e gjinisë mashkullore qëndroi dy ditë në këtë spital, pas çka u drejtua tek Klinika e Neonatologjisë në QKUK.

Mjekët e Neonatologjisë, së bashku me radiologët dhe kirurgët e QKUK’së, arritën ta diagnostikojnë foshnjën me një keqformim që ndodh vetëm në 1 deri 3 për qind të lindjeve në krejt botën. Ndonëse kishte lindur në terminin e paraparë, foshnja kishte ardhur në jetë nën peshën normale, me vetëm 2.400 gramë.

-Advertisement-

Gani Çeku, kirurg i fëmijëve, ka shpjeguar për Gazetën Express se operacioni ë cilin e kanë kryer ka qenë i pari që pas lufte, duke sqaruar se kjo anomali e lindur, në gjithë botën, përcillet me vdekshmëri të lartë.

“Para disa ditësh patëm një fëmijë të porsalindur, me anomali të lindur që manifestohet me mungesën e kapërcellit, pra ushqimi nga goja nuk mund të përcillet në lukth. Kjo sëmundje përcillet me vdekshmëri shumë të lartë në gjithë botën. Kjo i ka takuar tipit të katërt dhe ka qenë rast sfidues. Kemi qenë tre kirurgë dhe operacioni është kryer me sukses”, tha Çeku.

Ai thotë se është rasti i parë që është diagnostikuar, operuar dhe ka mbijetuar foshnja që nga paslufta. Përderisa në botë përdoret video-bronkoskopi, mjekët në QKUK në mungesë të kësaj aparature përdorin një sondë për të vërtetuar nëse ka ndërprerje të një organi të caktuar. Pastaj, nëpërmjet radiologjisë me kontrast, konstatohet kjo ndërprerje dhe bëhet ndërhyrja kirurgjike.

Ata panë se ka ndërprerje por nuk e dinin se ajo ishte e dyfishtë. Për trajtimin e foshnjës ka dhënë detaje edhe drejtori i Klinikes së Neonatologjisë, ku foshnja ka marrë trajtim, dr. Xhevdet Gojnovci. Ai ka thënë se foshnja në klinikë është pranuar me peshën e 2 mijë e 400 gramëve dhe se ka dalë në gjendje shumë më të mirë.

“Foshnja këtu është diagnostikuar dhe është trajtuar si atrazion i ezofagut. Me këtë anomali nga e gjithë bota lindin një deri në tre për qind të rasteve. Foshnja është operuar nga kirurgët e fëmijëve. Ajo pastaj është trajtuar në postoperativë në klinikën e Neonatologjisë. Është fat i mirë se foshnja ka shkuar në shtëpi edhe është në gjendje të mirë shëndetësore. Foshnjën pas operimit e kemi trajtuar, pastaj ajo ka filluar të ushqehet me gji. Ka lindur në peshën e 2.400 gramëve, ndërsa në shtëpi është lëshuar në peshën e 2 mijë e 600 gramëve”, ka deklaruar Gojnovci për Gazetën Express.

Ekipi është përbërë nga kirurgu Gani Çeku, Dr. Sejdi Statovci dhe Dr. Ali Aliu, ndërsa anesteziolog ka qenë Driton Zylfiu. Pas operacionit foshnja është marrë nën kujdesin operativ në Neonatologji dhe është liruar më pastaj për në shtëpi me peshë mbi 2.600 gramë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Marsi sjell Magji në ETC
-Advertisement-

Të tjera