Lajme

Qeverisja 8-mujore e Kurtit/ Analistët: Diplomacia pika më e dobët, u dëmtua rëndë Kosova

Autori: Gazeta inFokus 08:36 | 26 November 2021

Albin Kurti e mori detyrën e kryeministrit më 22 mars 2021.

E as pas tetë muajve, Qeveria që ai drejton nuk ka vendosur reciprocitet ekonomik me Serbinë. Ani se kjo ishte thënë se do të bëhej brenda ditësh, me të nisë mandati.

Të padrejtë e kishte quajtur kryeministri Kurti pagesën e rrymës në veri për serbët dy javë pasi e mori këtë post.
Megjithatë, pavarësisht kësaj, Qeveria e tij vetëm brenda 70 e ca ditëve ka dhënë mbi 10 milionë euro nga buxheti i shtetit për këtë çështje.

-Advertisement-

Jo pak fjalë, kryeqeveritari kishte pasur edhe për diplomacinë.

Zotohej për përfaqësim dinjitoz në këtë fushë. Por, brenda vetëm pak muajsh ministrja e jashtme e kabinetit të tij, Donika Gervalla bëri disa gafe teknike të mëdha. Ranë në sy ato me ngatërrimin e flamujve në Twitter.

E njëjta mori shumë kritika për mosemërimin e ambasadorëve, pozita këto që mbeten të zbrazta për më shumë se 5 muaj.

Profesori i Politikës së Jashtme e Diplomacisë, Nexhmedin Spahiu thotë se gafet në këtë dikaster e kanë dëmtuar Kosovën.

Sipas tij, diplomacia ngelet pika më e dobët e Qeverisë Kurti.

“Diplomacia ka qenë pika më e dobët e çdo qeverie. Ngelet e tillë edhe në Qeverinë Kurti. Është karakterizuar me gafe të shumta të Ministres, me gafe të pafalshme – të cilat e dëmtojnë rëndë Kosovën”, deklaroi Spahiu për “Front Online”.

Diplomacia kosovare ka çaluar edhe në njohjet e reja. Asnjë e tillë nuk ka ardhur gjatë qeverisjes Kurti 2. E fundit ndodhi në Qeverinë Hoti. Izraeli dhe Kosova e njohën njëra-tjetrën në shkurt të 2021-s me ndërmjetësimin e Amerikës.

Profesori Spahiu përmend arsyen e bllokadës së njohjeve.

“Mungesa e njohjeve është rezultat i mos qasjes pro aktive të Qeverisë. Aty ku ka ngel që të jetë një angazhim vetanak i Kosovës, pra ku s`kanë ndihmuar Amerika, Anglia, Turqia e vendet e tjera, puna ka ngecur dhe s`ka ecur më tutje”.

Kurti kishte thënë se nuk do të ulej në bisedime me Serbinë, pa pranuar kërkimfaljen e saj.

Ndryshe ndodhi kur u ngjit në fronin kryeministror. Ai u ulë në dialog me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, ani se ky i fundit nuk kërkoi falje. Madje dy herë. Pati premtuar dialog me serbët lokalë në Kosovë. Megjithatë, deri tash nuk e ka bërë një gjë të tillë.

Politologu, Fidan Ukaj thotë se dialogu është kthyer në prioritet për Qeverinë, ani se udhëheqësi i saj Albin Kurti ishte zotuar se nuk do të ndodhte diçka e tillë.

Sipas tij, qeveria s`ka platformë për dialogun.

“Nuk kemi parë ndonjë strategji, një platformë që do të ndiqte qeveria Kurti. Më shumë po shkohet në dialog ad hoc, me duar në xhepa. Kurti ka premtuar që dialogu nuk do të jetë prioritet, por presioni ndërkombëtar e ktheu atë si top prioritet”

Shenja pozitive nuk u vërejtën as në procesin e liberalizimit të vizave, për të cilin kjo qeveri sa ishte në pozitë pati shumë kritika.

Shefi i ekzekutivit kishte bërë edhe një “mal” me premtime tjerash në fushatë.

Ka shumë prej tyre që mbesin akoma të parealizuara, por që mbetet të shihet nëse do të përmbushën gjatë mandatit 4 vjeçar.

Por, ka edhe të atilla që Qeveria i ka implementuar, si shtesat për fëmijë, nismën ligjore për konfiskimin e pasurisë, nisjen e procedurave për vettingun dhe ndarjen e mbi 100 milionë eurove për FSK-në./“Front Online”

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:

Të tjera