Lajme

Qeverisë i kërkohet plan për ta parandaluar ‘ikjen” e qytetarëve nga 1 janari 2024

Autori: Gazeta inFokus 11:59 | 24 April 2023

Procesi i gjatë i liberalizimit të vizave po përmbyllet me miratimin nga Parlamenti Evropian, poqë në Kosovë po cilësohet si një faktor që mund të ndikojë në rritjen e numrit të qytetarëve që largohen nga Kosova. Ndonëse liberalizimi i vizave nuk nënkupton edhe leje të punës, veç liria e lëvizjes po shihet si një mundësi e depërtimit për të siguruar kontakte e më pas aplikimin për vizë pune. Për këtë ka alarmuar Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat. Opozita po kërkon nga Qeveria që të hartojë plan konkret sesi vendi të bëhet më i jetueshëm për popullsinë e sidomos për të rinjtë.

Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, bazuar në trendin aktual parashikon një ikje edhe më të madhe të popullsisë nga Kosova pas liberalizimit të vizave, që pritet të ndodhë nga 1 janari 2024.
Sipas rregullave të lëvizjes së lirë për vendet që nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian, nuk lejohet që të punosh gjatë qëndrimit në zonën Schengen.

Por, Jusuf Azemi në një prononcim për Gazetën Express ka thënë se koha gjatë së cilës të rinjtë do të qëndrojnë në vendet e BE-së do të iu mundësojë që të krijojnë kontakte, rrjedhimisht të gjejnë punë që më pas të aplikojnë për vizë pune.

-Advertisement-

”Trendi i ikjes do të jetë shumë më i shpejt sepse punëtorët e dinë që për 3 muaj nuk do të munden të punojnë në mënyrë të rregullt, por do të kenë më lehtë që të krijojnë kontakte e të arrijnë një vend pune”, ka thënë Azemi.

Ai ka treguar se kjo sindikatë trendin e ikjes e kanë hetuar para 5 ose 6 viteve.

”E kemi informuar shtetin dhe kompanitë, por kemi hasur në vesh të shurdhër“,ka theksuar Azemi.

”Një i ri që tani paguhet 250 euro, edhe nëse ia jep 1000 euro rrogën ai e ka ndarë mendjen që të largohet“, ka shtuar ai.

Rroga nuk është shkaku i vetëm i ikjes, sipas Azemit – i cili renditi një mori problemesh me të cilat përballet sektori privat.

”Nuk ka sigurim shëndetësor, trust pensional, kontrata kolektive mendje edhe paga minimale nuk ka lëvizur“, ka vazhduar ai.

Për pagën minimale beson se nuk duhet të jetë më e vogël se 500 euro.

”Paga 250 euro minimale nuk kryen punë më në këtë situatë”, ka paralajmëruar ai.

Qeveria e Kosovës e ka miratuar pagën minimale 250 euro neto, si dhe Kuvendi e ka votuar në lexim të parë – por ka ngecur që të miratohet.

Për pagën minimale, por edhe për shumë çështje të tjera kritika ndaj Qeverisë së Kosovës ka deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, i cili në një prononcim për Gazetën Express ka thënë se ekzekutivi duhet të jetë i vetëdijshëm për rrezikun e ikjeve masive të popullsisë.

”Po është e vërtetë e madhe se liberalizimi i vizave do të ndikojë jashtëzakonisht në largimin e të rinjve nga vendi, të cilët gjatë qeverisjes së Qeverisë Kurti kanë humbur një shpresë, kanë humbur besimin për një vend pune, kanë humbur besimin për një transparencë menaxheriale, kanë humbur besimin për një ndryshim të madh që i është premtuar“, ka thënë Shala. Ky është një faktor që mund të ndikojë në largimin e shumë të rinjeve, por do të ndikojë në mënyrë ekstreme edhe në çështjen e ekonomisë së vend. E për të mos ndodhur më e keqja do të duhej që të ndryshoheshin politikat në raport me pjesën e trajtimit të të rinjve tonë, do të duheshin të ndryshoheshin politikat që kanë të bëjnë me sferën sociale, politika në stimulimin e shkollimit të të rinjve dhe gjetjen e një vendi pune meritor”.

Deputeti opozitar ka kërkuar urgjentisht nga Qeveria që ta hartojë një plan strategjik, në të kundërtën pasojat do t’i bartë Kosova.

”Qeveria do të duhej urgjent ta hartojë një plan strategjik, që në periudhën afat-shkurt të kemi krijim të vendeve të punës, të kemi investitorë seriozë që krijojnë vende pune”, ka thënë Shala.

Qeveria e Kosovës vazhdimisht ka pretenduar se ka ulje të papunësisë duke u bazuar në të dhëna të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).

Por Shala këtë e cilëson si propagandë qeveritare, duke thënë se ka vetëm formalizime të vendeve të punës.

Opozita konsideron se papunësia është një nga shkaqet e largimit të të rinjve Kosova.

Në vitin 2021 Kosovën e kishin lëshuar mbi 43 mijë qytetarë.

Papunësia, kushtet e punës, shëndetësia e arsimi janë vlerësuar vazhdimisht si faktorët kryesorë që po e reflektojnë procesin e depopullimit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Nis bashkëpunimi serioz dhe strategjik midis Comodita dhe JYSK International
-Advertisement-

Të tjera