Lajme

Qeveria shkarkon 300 drejtorë shkollash

Autori: Gazeta inFokus 11:29 | 31 October 2017

Kryeministri Edi Rama, në një takim që zhvilloi dje me mësues në Tiranë, paralajmëroi, se do të shkarkohen rreth 300 drejtorë shkollash. Sipas tij do t’i kushtohet një vëmendje e veçantë trajnimit të mësuesve, ku procesi i zgjedhjes së tyre do të largohet përfundimisht nga duart politike. Premtimi i kryeministrit u bë, megjithëse ministria e arsimit, prej vitit 2013 ka qenë nën drejtimin e PS-së dhe, zyrtarisht, drejtorët janë caktuar sipas rezultateve të konkurseve të shpallura.

Por, sipas Ramës, kjo nuk ka patur sukses dhe tani ai deklron se do të themelohet Shkolla e drejtorëve që do të nxjerrë drejtuesit e rinj. “Ne shpëtuam në 90% sistemin nga interferencat politike për mësuesit, se u bë e vështirë për shkak të portalit për të bërë ndërhyrje dhe qoka, por u hapën qokat për drejtorë. U bë më e lehtë të bëhesh drejtor se mësues. Dhe kemi dëgjuar që “Meqë mësues nuk më bën dot më bëj drejtor”. Nëse për mësuesit janë bërë disa përpjekje për trajnim, për drejtorët do të themelojmë shkollën e drejtorëve, si ajo e administratës, ku do të trajnohen dhe testohen. Zëvendësimi i 300 drejtorëve do të bëhen nga mësuesit që kanë dalë më mirë në test”-tha Rama.

Rama paralajmëroi edhe shkrirjen e drejtorive arsimore në qarqe. Sipas tij do të ketë vetëm 4 Drejtori Rajonale të Arsimit, jo sipas ndarjes administrative, por sipas një ndarje të re të zhvillimit të vendit me rajone. Sipas tij, roli i ri i DAR-it nuk do të ketë aspak lidhje me emërimet dhe shkarkimet e mësuesve, por vetëm do të jetë garant i cilësisë në fushën e edukimit para universitar. “Po përgatitemi për reformimin e DAR, nuk do të kemi më këtë numër, do jenë vetëm 4, në rajone. Sipas një harte që e kemi ndërtuar mbi rajonet, jo sipas ndarjes administrative, por zhvillimit. Roli i drejtorive do të ndryshojë, DAR nuk do të jenë më zyra emërimesh dhe shkarkimesh, do të jenë garant të cilësisë për të gjithë aktorët në fushën e edukimit. Nga zyra në pozita pritëse tani do të merren me programin. Portali do e bëjë të panevojshme ndërhyrjen njerëzore”. Edhe pse ka qenë kryeministër katër vitet e shkuara, Rama nuk fajësoi askënd për lënien në detyrë të drejtuesve pa nivel, duke e cilësuar thjesht një aksident. “Drejtuesit janë aty, aksident politik, si një monument i së shkuarës. Nga një sistem i thjeshtë 300 drejtorë kanë rezultuar që të jenë nën nivelin mesatar”- u shpreh ai.

-Advertisement-

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Përsëri në shkollë me Viva Fresh Store!  
-Advertisement-

Të tjera