Lajme

Qeveria merr vendim: Zgjatet deri më 31 tetor afati për ndërrimin e tabelave paralele në ato RKS

Autori: Gazeta inFokus 23:17 | 20 September 2022

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që ta zgjasë afatin për ndërrimin e tabelave paralele në ato RKS, edhe për një muaj.

Sipas vendimit të Qeverisë, afati i regjistrimit të automjeteve me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”, do të vazhdojë deri më 31 tetor 2022, shkruan Reporteri.net.

“Plotësohet dhe ndryshohet Vendimi i Qeverisë i Republikës së Kosovës Nr.01/85 i datës 29 qershor 2022, në paragrafin 2, ku togëfjalëshi “30 shtator 2022” zëvendësohet me “31 tetor 2022”, thuhet në vendim.

-Advertisement-

Është miratuar edhe vendimi për ndarje të mjeteve buxhetore në vlerë prej 19 milionë eurove, lidhur me Pakon e Ringjalljes Ekonomike, në kuadër të masës 3.7 – Mbështetje në tejkalimin e krizës energjetike.

“Mjetet e ndara do të përdoren për subvencionimin e energjisë elektrike për konsumatorët fundorë, me qëllim të uljes së ndikimit të tarifave të energjisë, e cila do të reflektohet në faturat e konsumatorëve. Po ashtu, në kuadër të masës 3.7 – Mbështetje në tejkalimin e krizës energjetike, janë ndarë 6 milionë euro, me qëllim subvencionimin e zbatimit të masave të efiçiencës së energjisë”, thuhet në njoftimin e ZKM’së.

Qeveria ka miratuar edhe vendimin për ndalimin e eksportit dhe ri-eksportit të produkteve të drurit si lëndë djegëse. Ky ndalim është i përkohshëm dhe në përputhje me Tarifën e Integruar të Kosovës (TARIK) të vitit 2022.

U aprovua edhe vendimi për dyfishimin e pagesës për përfituesit e skemës së ndihmës sociale për muajin shtator 2022, në kuadër të zbatimit të masës 3.2- Mbështetja për pensionistët dhe familjet me asistencë sociale të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

Me vendim të Qeverisë, janë shpallur me interes të veçantë publik pronat e paluajtshme të cilat janë të nevojshme për realizimin e “Projekteve infrastrukturore për interes publik” në zonat kadastrale: Bërnjak dhe Jasenovik i Epërm në Komunën e Zubin Potokut.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Caffe zgjeron shtrirjen në rajon, arrin marrëveshje bashkëpunimi me zinxhirin kroat Plodine

Të tjera