Lajme

Qeveria merr përsipër mbulimin e kostos së polisave kufitare

Autori: Gazeta inFokus 08:08 | 03 June 2020

Zëvendësministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, tha se Qeveria në detyrë e Kosovës, në kuadër të Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike, ka planifikuar që të marrë përsipër mbulimin e kostos së polisave kufitare apo siç njihen si “Karton i gjelbër”, për automjetet që hyjnë në Kosovë për vitin 2020.

Ajo tha se shumë shpesh është premtuar zgjidhja për “Kartonin e gjelbër”, por asnjëherë nuk kemi parë hapa konkret për zgjidhjen e këtij problemi që prek më së shumti diasporën tonë.

“Jam e lumtur që për herë të parë, në vetëm disa javë përgatitje, si qeveri e Kosovës kemi vepruar në këtë drejtim”, shkroi ajo në Facebook.

-Advertisement-

Po ashtu, në kuadër të pakos, Gashi u shpreh se është planifikuar që në 24 muajt në vijim, të emetohen letra me vlerë në masën e 30 milionë eurove tek diaspora.

“Këto letra me vlerë do të kenë një maturitet afatgjatë dhe do të ofrojnë kushte dukshëm më të volitshme për kursimet e diasporës. Përmes kësaj mase, diaspora do të avancohet në bashkëpronare të procesit të rimëkëmbjes ekonomike të vendit”, vijoi ajo.

Për udhëtarët që shfrytëzojnë transportin ajror, Gashi tha se do të ofrohen incentiva për koncesionarin e aeroportit “Adem Jashari”, me synim uljen e kostos së biletave të udhëtimit drejt Kosovës, dhe rritjen e destinacioneve që do të mbulohen nga agjencitë që ofrojnë fluturime nga dhe drejt Kosovës.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera