Lajme

Qeveria Kurti s’ka kompetencë për heqjen e tarifës 30 euro për regjistrimin e veturave

Autori: H. Smajli 15:26 | 19 July 2021

“Plus pesë euro për tiketën ngjitëse, minus tridhjetë të tjera”, a mund të realizohet ky premtim i Qeverisë?

Qytetarëve të Kosovës do t’iu shtohet edhe një pagesë prej 5 euro për regjistrimin e veturave, shkruan Gazeta inFokus.

Kjo pagesë do të bëhet për tiketën ngjitëse me anë të së cilës synohet të detektohen më lehtë veturat të cilat janë të paregjistruara e që numri i tyre ka arritur në më shumë se 200 mijë.

-Advertisement-

Taksa e re nxiti shumë reagime si nga shoqëria civile ashtu edhe nga opozita. E menjëherë pas reagimeve, zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, deklaroi se qytetarët nuk do të paguajnë më shumë për regjistrimin e veturës, kjo sepse sipas tij do të largohet, rritja prej 30 euro që ishte bërë në vitin 2019.

“Tiketa ngjitëse ndikon në evidentimin e lehtë të automjeteve në komunikacion prandaj do të mundësoj që shumë shpejtë të arrijmë në pragun nën 5% të automjeteve të paregjistruara. Me këtë ne kemi përfitim si qytetarë sepse në njërën anë hiqet taksa prej 30 euro e në anën tjetër plotësojmë kriterin kryesor të aplikimit për kartonin e gjelbër me të cilin përfitimet janë të shumta. Përfitim tjetër natyrisht që është edhe siguria rrugore sepse nuk do të kemi automjete pa kontrolle teknike e regjistrim në komunikacion e rrjedhimisht më pak aksidente”, tha Durmishi .

Mirëpo, ndryshe thotë drejtori i Byrosë së Sigurimeve të Kosovës, Sami Mazreku.

Ai në një intervistë për Gazetën inFokus ka thënë se 30 euroshi të cilin e premtuan që do të hiqet nuk është fare në kompetencë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor, dhe Infrastrukturës.

‘Nuk është kompetencë e Ministrisë, nëse ai ka deklaruar për rritjen prej 30 eurove. Rritja e tarifës që është bërë para tre vitesh në 2019, nuk mundet me e largu Ministria e Infrastrukturës. Kjo sepse ajo fillimisht nuk është tarifë, e dyta për çdo ndryshim të tarifave kompanitë i drejtohen BQK-së dhe këta të fundit e aprovojnë ose jo. Ministria si ministri nuk ka të bëjë me këtë vendim mirëpo ka të bëjë me Byronë dhe me BQK-në, kështu që kur ka thënë se është rritur 30 euro, unë nuk e di për çfarë e ka pas fjalën”, ka deklaruar Mazreku.

Ndërsa sa i përket tiketës ngjitëse, i pari i byrosë së Sigurimeve ka thënë se ky vendim është i mirëpritur për shkak se ndikon në anëtarësimin në Kartonin e Gjelbër.

“Ne e kemi mirëpritur si iniciativë dhe si veprim pa u lëshuar në procedura dhe forma të brendshme të ministrisë që qytetarët veç kanë ankesa për atë pjesë, neve nuk na takon me komentu. Mirëpo a ka me ndikuar pozitivisht kjo, sigurisht që ka me ndikuar pozitivisht sepse e kam thënë edhe më herët në 2018 kemi publiku 110 mijë vetura të paregjistruara. Vitin e kaluam në mars 128 mijë kurse aktualisht sa po flasim kemi 208 mijë vetura të pa regjistruara. Kështu që normal që është një gjendje për të cilën duhet ndërmarrë vendime të shpejta”, ka shtuar Mazreku.

E këtë vendim për tiketën ngjitëse e kanë mirëpritur edhe “Marakli t’Kerreve. Përfaqësuesi i tyre, Hajdar Hoxha ka thënë për Gazetën inFokus se e përkrahin këtë vendim, mirëpo sipas tij çmimi është shumë i  lartë për ekonominë e Kosovës.

“Vendimi për taksën është shumë i mirë sipas nesh për shkak se ndikon pozitivisht në disa aspekte. Megjithatë çmimi i lartë sepse kjo si taksë është shumë e lartë për qytetarin dhe ekonominë e Kosovës.Aspekti pozitiv është se bëhet identifikimi i veturave të pa regjistruara duke qenë se gjithmonë i kanë sjellë dëme edhe shoferëve në rrugë e  edhe Byrosë e cila e ka pasë të pamundur të punojë për kartonin e gjelbër për shkak të numrit të madh të veturave të paregjistruara”, ka thënë ai.

Ndërsa Hoxhaj ka shtuar edhe arsyet se pse çmimi që do të paguajnë qytetarët për këtë tiketë duhet të jetë më i ulët.

“E mbështesim një tiketë të tillë sepse shumica e vendeve në rajon e kanë këtë gjë. Çmimi për ekonominë tonë është pak i lartë. Ish dashtë me qenë më lirë p.sh 2 ose 3 euro, por  5 euro është goxha e lartë për shkak se plus 50 cent ose 1 euro për shërbimin kjo automatikisht shkon 6 euro.  Ne jemi kundër secilit kushtëzim që i bëhet shoferëve sepse shteti duhet me i pas metodat e veta pa i përfshi qytetarët se si t’i zgjidhë këto probleme. Mirëpo as kjo nuk është një formë e keqe për të minimizuar numrin e veturave të paregjistruara”, ka shtuar ai për inFokus.

Kujtojmë se jo vetëm zëvendësministri Durmishi por edhe pjesëtarë të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje, partisë në pushtet kanë thënë se nga pagesa për regjistrimin e veturave do të hiqet shumë prej 30 euro qëishte rritur në vitin 2019./Gazeta inFokus/

LEXO EDHE: Alarmante: Rrugët e Kosovës të mbushura me vetura të pa sigurta

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera