Lajme

Qeveria Kurti pritet ta bëjë obligative që Bashkësitë Fetare t’i deklarojnë financat

Autori: Gazeta inFokus 18:19 | 03 February 2023

Qeveria e Kosovës po synon të futë nën kontroll financat e Bashkësive fetare të Kosovës. Këtë po pretendon ta bëjë nëpërmjet ndryshimit të Ligjit për Liritë Fetare, shkruan Periskopi.

Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 02/L-31 për Lirinë Fetare në Kosovë është aprovuar në mbledhjen e 121 të Qeverisë së Kosovës, më datë 25.01.2023. Që të bëhet i plotfuqishëm, ky Projektligj duhet të marrë edhe votat e Kuvendit të Kosovës.

Tash, qeveria ka futur një nen të ri, i cili flet për kontrollin e financave.

-Advertisement-

“Raportimi Financiar. 1.Të gjitha bashkësitë fetare janë të obliguara që deri me datën 31 mars të vitit pasardhës të dërgojnë pasqyrat financiare të audituara për vitin paraprak te Zyra”, thuhet në nënin 12B të këtij ligji të cilin e ka parë Periskopi.

Meqenëse aty thuhet se pasqyrat financiare duhet të dërgohen ‘tek Zyra’, në nenin 11B tregohet se ku ndodhet kjo zyrë dhe nga kush administrohet.

“Zyra apo Njësia përkatëse për bashkësitë fetare vendoset në kuadër të ministrisë përgjegjëse për administratë publike apo në organin tjetër qeveritar për të cilin vendos Qeveria”, thuhet në nenin 11.

Lidhur më këtë nen, Periskopi ka kërkuar një koment edhe nga Bashkësia Islame e Kosovës dhe kisha katolike, por këto dy institucione nuk kanë dashur të flasin.

Qëllimi i këtij Ligji është plotësimi dhe ndryshimi i Ligjit nr. 02 /L-31 për Lirinë Fetare në Kosovë, i ndryshuar dhe plotësuar me nenin 13 të Ligjit Nr. 04/L-115 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjeve që kanë të bëjnë me përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të Pavarësisë së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji).

Në Republikën e Kosovës ekzistojnë shtatë bashkësi fetare të cilat përbëjnë edhe trashëgiminë historike, kulturore dhe shoqërore të vendit. Këto bashkësi janë: Bashkësia Islame e Kosovës, Kisha Katolike, Kisha Ortodokse Serbe, Bashkësia e Besimit Hebrej, Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës,Bashkësia e Tarikateve të Kosovës dhe Komuniteti Bektashian i Kosovës.

Sipas Ligjit, Bashkësive fetare të mësipërme, u pranohet statusi i personit juridik dhe Zyra u lëshon certifikatën e regjistrimit; Republika e Kosovës respekton të gjitha bashkësitë fetare, u njeh si përfaqësues të tyre vetëm personat e autorizuar nga bashkësitë fetare në Kosovë dhe garanton mbrojtjen e bashkësive fetare nga çdo person apo grup që pretendon emrin, objektet e kultit, pronat, logot dhe vulën e tyre.

Më 23 janar 2023, Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, ka pritur në takim kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti. Mes tjerash, gjatë këtij takimi është thënë se është biseduar edhe për Projektligjin për Liritë Fetare, për të cilin kryeministri Kurti falënderoi Myftiun Tërnava për angazhimin dhe bashkëpunimin rreth këtij Projektligji.

 

Një ditë më pas, Ipeshkvi Dodë Gjergji ka pritur në takim kryeministrin Kurti. Është thënë se në takimin njëorësh u bisedua për rregullimin e statusit juridik të Kishës Katolike në Kosovë dhe shqetësimet tjera që lidhen me të

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera