Ekonomi

Qeveria kërkon para hua për ti ndihmuar bizneset e qytetarët

Autori: Gazeta inFokus 09:32 | 30 March 2020

Qeveria e Kosovës nuk i ka siguruar mjetet për pakon emergjente në vlerë mbi 170.6 milionë euro të propozuar tri ditë më parë nga Ministria e Financave.

Kjo pako, që synim ka ndihmën për bizneset dhe qytetarët e dëmtuar nga paraqitja e virusit COVID-19, do të varet nga kërkesat për kredi dhe nga mbështetja e institucioneve financiare ndërkombëtare.

Përveç alokimit fillestar të shumës prej 10 milionë eurosh për Ministrinë e Shëndetësisë, Ministria e Financave dhe Transfereve është duke negociuar me Bankën Botërore për financim deri në 70 milionë euro. Një kërkesë tjetër e ka dorëzuar në Fondin Monetar Ndërkombëtar për një kredimarrje nga instrumenti i shpejtë financiar në masën e 52 milionë eurove. Shumën prej 35 milionë eurove tjera e ka kërkuar nga Banka Zhvillimore e Këshillit të Evropës, raporton koha.

-Advertisement-

Për këtë pako, Qeveria ka dërguar kërkesë zyrtare për mbështetje në Ministrinë Gjermane për Zhvillim e Bashkëpunim. Një premtim për mbështetje ka bërë të ditur se e ka marrë nga Bashkimi Evropian. Kjo pako nuk është miratuar ende nga Qeveria e Kosovës. Gazeta ka provuar që të marrë një qëndrim nga Qeveria, ndaj së cilës të mërkurën është votuar mocioni i mosbesimit. Ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, ka thënë se do të përgjigjet gjatë ditës së hënë.

Në buxhetin e shtetit, të miratuar dy ditë pas paraqitjes së rasteve të para me koronavirus, përveç shumës prej 10 milionë eurosh të ndara për Ministrinë e Shëndetësisë, nuk parashihet fond i veçantë për përballje me këtë sëmundje. E në ligj parashihet fondi i rezervës. Bazuar në buxhetin e këtij viti, Kosova ka rezervë në nivel qendror 9 milionë e 880 mijë euro. Kurse 34 milionë euro të tjera figurojnë për nivelin komunal, por këto mjete parashihen të përdoren për paga nëse hyn në fuqi Ligji i pagave, i cili aktualisht është i pezulluar.

Ndërkohë, ekspertët e ekonomisë kanë kërkuar “injektim” emergjent financiar për sektorin privat, për ta shmangur falimentimin e bizneseve. Bilancet preliminare, sipas tyre, tregojnë për dëmet që arrijnë afro 10 milionë euro në ditë. Ato thonë se nga masat e ndërmarra nga Qeveria, afro 100 mijë persona nuk janë në vendin e punës.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Prince Coffee shkon edhe në Ferizaj – ambient i ngrohtë e risi në menu (VIDEO)
-Advertisement-

Të tjera