Fokus

Qeveria ka planifikuar t’ua marrë dividendën, KEK-u ka plane, KOSTT-i ishte në krizë për vete

Autori: Gazeta inFokus 15:57 | 14 August 2021

Janë disa ndërmarrje publike në Kosovë, por vetëm dy nga to janë obliguar me ligj që ta derdhin dividendën në Thesarin e shtetit. Nuk bëhet fjalë për Trepçën që e ka epitetin e gjigandit metalurgjik, as për PTK-në, por për Korporatën Energjetike të Kosovës dhe për Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës – KOSTT, shkruan Gazeta Infokus.

Me Ligjin e rishikuar për ndarjet buxhetore të vitit 2021 është përcaktuar edhe afati se kur këto dy kompani duhet ta kryejnë detyrimin ndaj shtetit.

“Me qëllim të financimit të nevojave buxhetore, Qeveria është e autorizuar të kërkojë shpërndarjen e dividendes nga KOSTT dhe KEK në përputhje me shumën e parashikimet në tabelën 1 të këtij ligji.  Ndarja e dividendes…, transferohet dhe derdhet në llogarinë e vetme të Thesarit më së largu deri në gjashtëdhjetë (60) ditë pas hyrjes në fuqi të këtij ligji”, thuhet në ligj.

-Advertisement-

Ndonëse ligji është publikuar në Gazetën Zyrtare me 6 gusht dhe prej asaj dite është në fuqi, në KEK nuk kanë asnjë informatë apo kërkesë për ndarjen e dividendës.

Kështu të paktën ka thënë zëdhënësi i KEK-ut, Skënder Bucolli. Bile, sipas tij, KEK-u ende nuk ka planifikuar që të ndaj dividendë për aksionarin, me këtë rast për Qeverinë.

“Ne nuk kemi asnjë informatë apo kërkesë zyrtare për ndarje të dividentës nga KEK-u. Për më tepër ju bëjmë me dije se përkundër konsolidimit të pozitës financiare, Korporata Energjetike e Kosovës ende nuk ka planifikuar të ndaj dividendë për Aksionarin, për shkak të planeve për zgjerim dhe për rritjen e stabilitetit të prodhimit të energjisë elektrike, si obligime që burojnë nga Strategjia për energji e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Bucolli për Infokus.

Aktualisht në KEK, siç thotë ai, është vetëm ky dokument dhe nuk ka një kërkesë tjetër apo qëndrim tjetër zyrtar, “i cili normalisht do të bëhej publik pas mbledhjes me aksionarin, e cila sipas Ligjit për Ndërmarrjet Publike mbahet çdo vit”.

“Përndryshe në përmbushje të obligimeve ligjore, KEK-u në arkën e shtetit derdh mbi 45 milionë € në vit. Më konkretisht për vitin 2020 janë ndarë 46.42 milionë €, pa përfshirë taksat e zakonshme”, ka bërë të ditur Bucolli.

Ndryshe nga KEK-u, një përgjigje rreth detyrimit ligjor për ndarjen e dividendës nuk e ka kthyer KOSTT-i, ndonëse pyetjet i janë dërguar qysh para tre ditësh.

Ajo që dihet është se KOSTT, në pranverë të këtij viti i ka kërkuar 11 milionë euro nga Qeveria e Kosovës për mbulimin e shpenzimeve të rrymës në katër komunat serbe në veri të Kosovës. Se a ka arritur të mëkëmbet financiarisht kjo kompani brenda kësaj kohe është pikëpyetje e madhe.

E paqartë ka mbetur çështja se pse këtyre dy kompanive publike ende nuk u është bërë zyrtarisht kërkesa për derdhjen e dividentës në Thesar. Gazeta Infokus është në pritje të një përgjigjeje nga Ministria e Financave. /Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita në Gjermani shpalos koleksionin e produkteve të reja në panairin Heimtextil në Frankfurt

Të tjera