Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentja Vjosa Osmani Sadriu, u pritën mbrëmë në takim nga Sekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Antony Blinken.

Në këtë takim Qeveria e Kosovës përmes një komunikate për media, ka bërë të ditur se është diskutuar për partneritetin SHBA-Kosovë, dialogun e kësaj të fundit me Serbinë, qeverisjen e mirë, luftimin e korrupsionit, zhvillimin ekonomik si dhe mbështetjen sociale si përgjigje ndaj nevojave të qytetarëve të Kosovës.

“Sekretari Blinken theksoi partneritetin e qëndrueshëm midis Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Kosovës dhe i falënderoi liderët për mbështetjen e tyre të fuqishme në çështje me rëndësi për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai shprehu mirënjohje për pranimin e afganëve në Kosovë, mbështetjen për Ukrainën që nga ditët e para të fillimit të agresionin rus atje, si dhe punën e përbashkët në aspekte tjera”, thuhet në njoftim.

-Advertisement-

“Duke shprehur mirënjohjen e popullit të Kosovës për mbështetjen e ShBA-së, në takim u vlerësua lart partneriteti dhe aleanca ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Kosovës. U theksuan raportet bilaterale shtetërore të shkëlqyeshme dhe mundësitë për avancimin e tyre, veçanërisht në rrafshin ekonomik, me shtim të investimeve dhe me rritje të shkëmbimeve tregtare”.

Ndërsa, Kurti bëhet e ditur se theksoi se “Republika e Kosovës është rrëfim suksesi i dyfishtë, i punës dhe qëndrueshmërisë së popullit dhe ndërhyrjes së NATO-s për ta ndalur gjenocidin e Serbisë në Kosovë, dhe së dyti, është rrëfim suksesi i një demokracie cilësore e cila shkon bashkë me zhvillimin ekonomik”.

“U bisedua për qeverisjen e mirë, luftimin e krimit dhe korrupsionit, zhvillimin ekonomik dhe mbështetjen sociale si përgjigje ndaj nevojave të qytetarëve të Republikës së Kosovës”.

Në takim thuhet se u diskutua për demokratizimin e rajonit si dhe fuqizimin e aleancave vlerore e politike për t’u ballafaquar me ndikimet dhe rreziqet që i kanosen rajonit të Ballkanit Perëndimor.

“Anëtarësimi i Kosovës në Programin Partneriteti për Paqe të NATO-s, si dhe ngritja e aftësive dhe kapaciteteve mbrojtëse dhe të sigurisë së Kosovës, u tha se do t’i kontribuonte paqes së qëndrueshme dhe stabilitetit afatgjatë të mbarë rajonit të Ballkanit Perëndimor”.

“Duke vlerësuar bashkëpunimin e mirë me ShBA-në në NATO, u theksua se mbrojtja është një fushë në të cilën Kosova e ka rritur ndjeshëm buxhetin. Synojmë që siguria e Kosovës të ketë për partner edhe të padiskutueshëm por edhe gjithnjë më të fuqishëm ShBA-në, tha Kryeministri Kurti”.

Tutje, bëhet e ditur se u diskutua për rëndësinë e dialogut të lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër, në rrugën drejt integrimeve euroatlantike.

“Në takim u ritheksua që Republika e Kosovës deri më tani është angazhuar në mënyrë konstruktive dhe kreative në procesin e dialogut, dhe se është e përkushtuar për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme që në qendër ka njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.