Lajme

Qeveria jep detaje nga darka në Slloveni, Kurti kërkoi zbatimin e tri marrëveshjeve të arritura në Berlin

Autori: Gazeta inFokus 09:29 | 28 August 2023

Zyra e Kryeministrit përmes një njoftimi për media, ka shpalosur detaje nga darka e mbrëmshme në Slloveni, e cila u shtrua nga kryeministri slloven Robert Golob në vigjilje të Forumit të Bledit që do të nis punimet sot.

Në këtë darkë, mori pjesë edhe kryeministri Albin Kurti, i cili sot gjithashtu do të jetë pjesë e panelit të diskutimit në Forum.

“Në qytetin e bukur të Bledit, në freskinë e bjeshkëve dhe pranë pamjes magjepsëse të Liqenit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mori pjesë në darkën e punës të ftuar nga Kryeministri i Republikës së Sllovenisë, Robert Golob për liderë të rajonit dhe presidentin e Këshillit të Evropian, Charles Michel”, thuhet në njoftim.

-Advertisement-

Më tej në njoftim thuhet se nën temën “Solidaritet për Sigurinë Globale” brenda së cilës po zhvillohet forumi këtë vit, gjatë darkës u diskutua për bashkëpunimin rajonal, anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe sigurinë.

“Kryeministri theksoi rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve të arritura vitin e kaluar në Procesin e Berlinit ku veçoi atë për lirinë e lëvizjes. Më 1 janar 2024 të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës do të lëvizin pa viza në vendet e Bashkimit Evropian ndërkohë që do t’ju kërkohen viza për në Bosnje dhe Hercegovinë. Në këto 50 ditët e mbetura para Samitit në Tiranë, është e rëndësishme që të fillojë zbatimi i plotë i tri marrëveshjeve që kemi nënshkruar në Berlin”, thuhet mes tjerash në njoftimin nga ZKM.

Tutje shton se kryeministri mirëpriti thirrjet e Kryeministrit të Sllovenisë, Robert Golob dhe presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, për fokusim në zgjerimin e Bashkimit Evropian si dhe mundësitë për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe nënvizoi respektimin e pakicave dhe njohjen reciproke si parakusht.

“Bashkimi Evropian duhet të zgjerohet. Ballkani Perëndimor duhet ta mbështesë zgjerimin dhe vendet aspirante duhet të kryejnë reformat të cilat përshpejtojnë anëtarësimin”, thuhet në fund të njoftimit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Lansohet aplikacioni më i ri i lojalitetit që sjell t’mira pafund Kartela Plus!
-Advertisement-

Të tjera