Lajme

Qeveria Hoti miraton 15 marrëveshje bashkëpunimi me Shqipërinë

Autori: Gazeta inFokus 11:46 | 28 September 2020

Qeveria e Kosovës të hënën miratoi 15 marrëveshje bashkëpunimi me Shqipërinë, të cilat pritet të nënshkruhen në mbledhjen e dy qeverive.

Njëra ndër marrëveshjet e cila pritet të nënshkruhet në mbledhjen e dy qeverive me 2 tetor është edhe marrëveshja për krijimin e fondit të përbashkët për mbështetje të shqiptarëve në Luginë.

E qeveria e Kosovës po ashtu ka votuar për themelimin e zyrës për Luginën e Preshevës, përmes së cilës, kryeministri tha se do të mbështesin shqiptarët.

-Advertisement-

Pas mbledhjes së qeverisë, kryeministri Avdullah Hoti, tha se përmes Zyrës për Luginën e Preshevës, do të mbrojnë dhe promovojnë të drejtat e shqiptareve atje në fushën e arsimit dhe të tjera.

Ndërsa me Shqipërinë Hoti tha se do të krijohet fondi i përbashkët për mbështetje të shqiptarëve në Luginë.

“Në mbështetje të shkollave, furnizimit me libra, me materiale të ndryshme mësimore, mbështetje në aktivitetet kulturore, në promovimin dhe ruajtjen e kulturës në atë pjesë, në mbështetje që do të japim në punim, duke nxitur bashkëpunimin në mes odave ekonomike, në mes bizneseve dhe duke promovuar drejtpërdrejtë punësimin, përtej kësaj, në kuadër të marrëveshjeve që do të nënshkruajmë më Shqipërinë do të jetë edhe krijimi i fondit të përbashkët në mes të Kosovës dhe Shqipërisë për mbështetje të shqiptarëve në Luginën e Preshevës”, tha Hoti.

Mbledhja e dy qeverive pritet të mbahet të premten në Shkodër, shkruan Gazeta inFokus.

Në këtë mbledhje pritet të nënshkruhen 15 marrëveshje, e ndër të tjera edhe një deklaratë e përbashkët e dy kryeministrave të cilët rekomandojnë Kuvendin e Kosovës dhe atë të Shqipërisë që të mbikëqyrin zbatimin e marrëveshjeve që arrihen në mes dy vendeve./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera