Lajme

Qeveria emëron zv/ministër të dënuarin për marrje ryshfeti

Autori: Gazeta inFokus 17:38 | 30 January 2019

Besnik Berisha i cili është emëruar gjatë ditës së sotme në postim e zëvendësministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale është i përfshirë në histori mjaftë të dyshimta, përcjell inFokus.

Në rastin e parë, ai si ish-udhëheqës i Divizionit të Prodhimit të Dokumenteve në Ministrinë e Punëve të Brendshme, është shpallur fajtor nga Gjykata në Prishtinë. Ndërsa në rastin e dytë, ai përmendet nga Natali Velija e dënuar për rastin pasaporta se zv/ministrit të ri i kishte dhënë 650 mijë euro, ryshfet.

Në rastin e parë, Berisha akuzohej për keqpërdorim detyre dhe zbulim të fshehtësisë zyrtare në lidhje me prodhimin e dokumenteve dhe shenjave të sigurisë së pasaportave.

-Advertisement-

Gjykata Berishën e kishte dënuar me 6 muaj burg me kusht për zbulim të fshehtësisë zyrtare, ndërsa e kishte liruar nga akuza për keqpërdorim detyre.

Në aktakuzë, prokuroria pretendonte se Berisha informacionet për prodhimin e dokumenteve dhe shenjave elementare të sigurisë së pasaportave biometrike-vendosjen e çipit, mënyrën e lansimit dhe qepjen e tyre.

Për një rast tjetër me pasaporta ishte përfshirë përsëri, Besnik Berisha që tani gëzon postin e zv/ministrit. Natali Velija që është e dënuar në skandalin me pasaporta për Insajderin në një intervistë të vitit të kaluar deklaronte publikisht se Besnik Berishës i kishte dhënë fiks 650 mijë euro ryshfet.

(Gjykata shpallte fajtor Besnik Berishën)

Madje ajo rrëfente edhe emra të tjerë me të cilët sipas saj Berisha ka ndarë këto para.

“Plus, 650 mijë euro ia kam dhanë Besnik Berishës, shef i prodhimit në Ministri të Punëve të Brendshme.

Berisha, nuk ishte akuzuar për këtë, pasi sipas Velijat, Prokuroria nuk ka pasur vullnet t’i hetojë të tjerët.

Ajo shton se shumën e dhënë prej 650 mijë eurosh, Besnik Berisha i ka ndarë më zyrtarët tjerë të Ministrisë së Punëve të Brendshme: Arben Osmani – drejtor i Regjistrit të Gjendjes Civile, Bekim Hoxha, Agim Fejzullahu – drejtor i Zyrës së Prokurimit në MPB dhe Abedin Mehmetin, kryeshef i Agjencisë së Regjistrimit Civil.

“Po e përsëris: 650 mijë euro janë dhënë për zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme”, insistonte ajo në një intervistë dhënë Insajderit vitin e kaluar.

Ryshfeti për zyrtarët e MPB-së është dhënë, sipas saj, për të bërë lëshime për kompaninë austriake. Thuajse të gjitha kërkesat e kompanisë plotësoheshin nga MPB.

“Prej 1 milion e 400 mijë eurove që janë paguar nga MPB, 30 mijë ia kam dhënë kesh Bashkim Shalës, 650 mijë Besnik Berishës. 150 mijë i kam qit në llogari të Bujar Canollit në emër të rinovimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, 160 mijë janë paguar Doganë edhe TVSH”, saktëson ajo.

Ndërkaq, Besnik Berisha kishte mohuar gjithçka. Ai kishte thënë se nuk është e vërtetë se ka marrë ryshfet. Ka thënë se asnjë pretendim i Natali Velijajt nuk qëndron.

“Unë nuk kam deklaruar, nëse i ka thënë ndonjë kush, i ka thanë dikush prej kabinetit, unë nuk kam mujt sepse unë nuk jam kanë ai që kom vendos për tender se as nuk jam kon menaxher i kontratës, as që i kom bo specifikat, do me thënë atë e ka bërë një komision që e ka caktuar ministri i asaj kohe dhe kabineti”, ka thënë Berisha.

Ai mohonte pranimin e makinave me kapacitet më të vogël dhe pa makinat rezervë. Kishte thënë se nuk e ka pasur këtë kompetencë.

“Unë nuk jam kanë kërkuesi, ato bëhen përmes komisionit që i ka bo specifikat e tenderit. Unë në atë komision nuk jam kanë, as nuk jam kanë në komision as nuk kam qenë menaxher i kontratës”, ka thënë Berisha për Insajderin.

Kishte treguar kur ishin pranuar 50 mijë pasaporta të cilat ishin kontrolluar. Me kaq kishte përfunduar puna e tij. Ka thënë po ashtu se departamenti i tij nuk ka pasur kompetencë për përcaktimin e specifikave.

“Unë nuk kam mujt me ndiku asgjë aty sepse unë jam kanë krejt ‘out’”, thotë Berisha.

Qeveria Kosovës përmes një vendimi sot e ka emëruar, Besnik Berishën në postin e zv/ministrit të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Sipas aktakuzës, grupi i udhëhequr nga Natali Velija dhe Fisnik Blakaj shpërndante paratë nëpër një rrjet të kompanive private të ndërtimit që nuk paguanin obligimet ndaj shtetit.

Aktakuza e ngritur ndaj grupit përshkuan se si qindra mijëra euro shpërndaheshin nëpër rrjetin e kompanive të tyre për të fshehur origjinën e parave. Sipas akuzës, qëllimi i tyre ishte që ta fshehin natyrën dhe origjinën e parave të vjedhura.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera