Lajme

Qeveria emëron kryeshef personin që dëmtoi me mijëra euro buxhetin e Kosovës

Autori: Gazeta inFokus 18:45 | 11 September 2024

Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Kosovës ka emëruar për kryeshef të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Bekim Hoxhën. Ministri i Bujqësisë Faton Peci, tha se ky vendim përbën një hap të rëndësishëm lidhur me menaxhimin dhe drejtimin e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, si agjencia kyçe në implementimin e politikave zhvillimore të bujqësisë, por edhe sigurisë ushqimore në vendin tonë.

Por, ky emërim i Bekim Hoxhës në krye të AUV-it nuk është fort i zakonshëm. Kjo pasi i njëjti gjatë kohës sa ishte ish ushtrues i detyrës së sekretarit në ministrinë e Bujqësisë, me një vendim të tij i kishte shkaktuar dëm buxhetit të shtetit mbi 15 mijë euro.

Më saktësisht Hoxha në cilësinë e sekretarit të Ministrisë, kishte nënshkruar kontratë për rinovimin e dy katëve në ndërtesën private, në të cilën është e akomoduar Ministria, pa pasur kontratë për shfrytëzim të njërit prej tyre.

-Advertisement-

E pas kësaj, ministria kishte refuzuar që t’ia paguante mjetet kompanisë që e kishte angazhuar për ta rinovuar atë kat. E njëjta kompani i kishte kërkuar paratë me procedurë përmbarimi. Kjo kontratë ishte hetuar nga Prokuroria Speciale, dhe pas vendimit të shkallës së dytë të Gjykatës Komerciale, në mars të këtij viti u vendos që Ministria t’ia paguajë kompanisë së njëjtë shumën prej mbi 15 mijë eurosh.

Por, përkundër këtyre, ministrit të Bujqësisë nuk i ka penguar ky fakt dhe të njëjtin e kishte caktuar për zëvendëskryeshef të Agjencisë së Pyejeve. Ndërsa, në vitin 2022, në kundërshtim me vendimin e Qeverisë për përdorimin e veturave zyrtare, ministri i Bujqësisë Faton Peci i kishte lëshuar autorizim për një vit Hoxhës për përdorim të veturës, duke dhënë si arsye se i duhej për mbrojtjen dhe parandalimin e prerjes së pyejeve. Pas gjithë këtyre, këtë të mërkurë emri i tij u vendos në krye të Agjencisë së Veterinarisë dhe Ushqimit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Përsëri në shkollë me Viva Fresh Store!  
-Advertisement-

Të tjera