Lajme

Qeveria emëroi jashtëligjshëm një anëtare bordi në ndërmarrjen që nuk kryen asnjë funksion

Autori: Gazeta inFokus 14:04 | 21 November 2023

Ndërmarrja e re Energjetike e Kosovës (NKEC), ndonëse nuk kryen asnjë funksion në sektorin energjetik të vendit, është “duke operuar” vetëm për pagat e anëtarëve të Bordit udhëheqës, të emëruar nga vet Qeveria e Kosovës.

Që nga viti 2018, kjo ndërmarrje është joaktive dhe nuk ka kurrfarë funksioni.

Në krye të Bordit, Qeveria e Kosovës në qershor të këtij viti kishte zgjedhur Alban Krasniqin, ndërsa si anëtarë Bordi ishin zgjedhur Elvisa Destanovic, Dhurata Gutaj dhe Ismet Vrapqani. Ky emërim i Bordit nga Qeveria e Kosovës kishte ardhur pas shkarkimit të anëtarëve të mëhershëm të Bordit të kësaj ndërmarrjeje.

-Advertisement-

Buletini Ekonomik ka gjetur se zgjedhja e Elvisa Destanovic-it në këtë pozitë, bie ndesh me Ligjin në fuqi për Ndërmarrjet Publike në Kosovë.

Destanovic ka qenë kanididate e iniciativës “INICJATIVA BOSNJACKOG JEDINTSVA” në garën për zgjedhjet komunale për Kuvendin e Istogut në vitin 2021. Nga këto zgjedhje, ajo kishte marrë 48 vota gjithsej.

Sipas Ligjit për Ndërmarrjet publike, askush nuk mund të emërohet në Bordin e Drejtorëve nëse “është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajsh para datës së aplikimit ka qenë (i) zyrtar i zgjedhur publik, (ii) i emëruar politik ose (iii) bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike”.

Për këtë emërim në kundërshtim me ligjin së fundi ka reaguar edhe Grupi i organizatave të shoqërisë civile, CorrWatch, përmes një komunikate për media, duke e kritikuar qasjen e Qeverisë për këtë ndërmarrje publike, si dhe ndër të tjera edhe përzgjedhjen e Destanovic-it si anëtare Bordi në kundërshtim me ligjin.

Sipas tyre, “anëtarja e bordit, Elvisa Destanovic, ka qenë kanididate e iniciativës “INICJATIVA BOSNJACKOG JEDINTSVA” në garën për zgjedhjet komunale për Kuvendin e Istogut në vitin 2021”.

Buletini Ekonomik ka provuar të marrë përgjigje edhe nga Ministria e Ekonomisë dhe nga vet znj. Destanovic, për të parë se pse është bërë ky emërim në kundërshtim me ligjin, përkatësisht se a ka qenë në dijeni e emëruara se po e shkelë ligjin për ndërmarrjet publike në Kosovë, mirëpo deri në momentin e publikimit të shkrimit, asnjëra palë nuk ka kthyer përgjigje.

NKEC ishte themeluar si ndërmarrje publike në vitin 2018, për të menaxhuar kontratën e ndërtimit të termocentralit “Kosova e Re”, marrëveshje mes Qeverisë së Kosovës dhe Contour Global, projekt ky që tashmë është anuluar.

Megjithatë, NKEC nuk kishte nisur asnjëherë operimin efektiv, duke mos mbuluar asnjë pjesë në tregun e energjisë në vend, përkundër prezentimit të planeve të biznesit tek Njësia për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike (Njësia) pranë Ministrisë së Ekonomisë në vitet 2020 dhe 2021.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës kishte nënshkruar marrëveshjen komerciale me kompaninë amerikane Contour Global, për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, në dhjetor të vitit 2017, kohë kjo kur kryeministër i vendit ishte Ramush Haradinaj. Por, në mars të vitit 2020, kompania ishte tërhequr nga ndërtimi i termocentralit dhe e kishte dërguar Kosovën në Arbitrazh për mosrespektim të kontratës.

Kosova doli humbëse e procesit në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit me këtë kompani dhe tashmë është e obliguar t’i paguajë mbi 20 milionë euro dëmshpërblim kompanisë në fjalë.

“Avokatura Shtetërore e ka pranuar vendimin final të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit, (ICC). Vendimi i Arbitrazhit e obligon Republikën e Kosovës që t`ia paguaj Countur Global-it shumën prej 20,053,125.63 euro”, kishte thënë Ministria e Drejtësisë një muaj më parë kur edhe kishe pranuar vendimin nga kjo gjykatë.



Anëtarësohu në grupin e Infokus në Viber: GAZETA INFOKUS – VIBER – ANTARËSOHU

Dhe në grupin e Infokus në Facebook: GAZETA INFOKUS – FACEBOOK – ANTARËSOHU

Studio MASTER në UNI, merr Diplomë të dyfishtë Gjermane dhe leje-qëndrim të përhershëm në Gjermani

Të tjera