Lajme

Qeveria e re, Yee takon krerët maqedonas

Autori: Gazeta inFokus 09:50 | 01 May 2017

Pas bisedimeve me drejtuesit e partive shqiptare, Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Hoyt Brian Yee pritet të takohet në Shkup me krerët e partive maqedonase dhe autoritetet e tjera shtetërore.

Të dielën, ai zhvilloi bisedime me Ali Ahmetin, Bilal Kasamin e Lëvizjes Besa, Vesel Memetin në vend të Ziadin Selës të Aleancës për Shqiptarët, i cili vazhdon të trajtohet në spital nga lëndimet e sulmeve të së enjtes në Parlament, si dhe me Menduh Thaçin e PDSH-së. Gjatë ditës së sotme, axhenda e Yee parashikon takime me Nikolla Gruevskin (VMRO-DPMNE) dhe Zoran Zaev (LSDM) si dhe me Presidentin maqedonas, Gjorgje Ivanov dhe me kryetarin e ri të Parlamentit, Talat Xhaferin.

Boshtin e bisedimeve të zyrtarit të lartë amerikan do e përbëjë krijimi i qeverisë së re, përmbushja e reformave si dhe marrëdhëniet dypalëshe mes SHBA dhe Maqedonisë. Kreu i LSDM-së, Zoran Zaev deklaroi se qeveria e re do të formohet pavarësisht pengesave që kundërshtarët po përpiqen të nxjerrin. Dhuna në Parlament, objektiv i së cilës ishte dhe ai vetë, nuk e detyron Zaevin të tërhiqet, përkundrazi ai deklaroi se ekzekutivi i ri do të krijohet së shpejti “në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën”

-Advertisement-

Agjencia gjermane e lajmeve DPA shkruan se njëri prej gjashtë të arrestuarve një ditë më parë në lidhje me incidentin e 27 prillit, është funksionar i Shërbimit Informativ të Maqedonisë. Me mësymjen e Parlamentit, përkrahësit e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski kërkonin të pengonin krijimin e një qeverie me opozitarët social-demokratë në krye, në koalicion me partitë shqiptare.

Ministria e Brendshme ka fajësuar policinë se ka ndërhyrë shumë vonë, me porosi të partisë së Gruevskit, VMRO. Mes turmës që hyri në Parlament ishin edhe disa huliganë të maskuar, e pjesërisht të armatosur, gjë që u pa si një shenjë e lidhjeve të tyre me Shërbimin Informativ. Gjatë uzurpimit të Parlamentit të Maqedonisë, u lënduan 109 persona, ndër ta edhe tre deputetë./TCH

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Meridian Express hap marketin e ri në qytetin e Mitrovicës Veriore!
-Advertisement-

Të tjera