Lajme

Qeveria e re ta ketë prioritet agjendën evropiane, s’pati vullnet politik për reforma

Autori: Gazeta inFokus 08:57 | 16 November 2019

Në rrugën integruese për në Bashkimin Evropian (BE), Kosova në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor është e fundit, pasi nuk ka aplikuar ende as për statusin e vendit kandidat.

Mungesa e vullnetit politik ka bërë që vendi të ngec sa i përket përmbushjes së kushteve të dala nga marrëveshjet me BE-në, i tha Ekonomia Online, Demush Shaha, nga Instituti EKPIK.

Ish-sekretari i ministrisë së Integrimit Evropian, thotë se institucione nuk kanë shënuar progres në zbatimin e obligimeve të marra nga BE-ja.

-Advertisement-

“Në këtë drejtim perspektiva evropiane e Kosovës ka pasur një ngecje viteve të fundit nga dy aspekte, aspekti i parë është mungesa e vullnetit politik të institucioneve tona të Qeverisë për të ndërmarrë reforma në rrugën tonë integruese dhe kur e themi këtë mund ta dëshmojë duke e shikuar së paku dy dokumente kryesore Programi Kombëtar për Zbatimin MSA-së dhe Agjenda Evropiane e Reformave”.

“Në këto dy dokumente sipas vet institucioneve vetëm 2/3 janë zbatuar që i bie 1/3 nuk është zbatuar fare, ndërsa të agjenda e reformave vetëm 5 nga 22 prioritet u përmbushën. Arsyeja kryesore është mungesa e vullnetit politik për të avancuar në fushat sikurse sundimi i ligjit, reforma në administratë publike dhe sektorët e tjerë”.

Në këtë aspekt ai thotë se kanë ndikuar edhe problemet e brendshme të BE-së.

“Nëse i analizojmë këto dy pengesa kryesore në rrugën tonë për të ndërmarrë reformat evropiane mund të konkludojmë mungesa e vullnetit politik është pengesë kryesore. Tani aspekti i dytë është ato problemet e brendshme të BE-së ku po kalon nëpër një proces evolutiv ku disa vende kanë këndvështrime të ndryshme se si duhet të shkojë zgjerimi përpara”.

Përderisa Butrint Berisha, hulumtues në Institutin e Prishtinës për Studime të Politikave, thotë se në bazë të të gjeturave tyre, 62% e obligimeve të ERA-s janë përmbushur.

Sipas tij, institucionet marrëveshjet kontraktuare me BE-në si MSA dhe ERA i kanë zbatuar më ritëm të ngadaltë.

“Marrëveshja ERA është një dokument që ka dal nga marrëveshja e Stabilizim Asociimit dhe në total ka 29 masa të parapara në të për të zbatuar nga Qeveria e Kosovës. Në hulumtimin tonë të fundit para disa muajsh ne kemi gjetur se diku 62% të obligimeve të ERA-s janë zbatuar në plotësisht. Në anën tjetër ka një përqindje të obligimeve të tjera që janë zbatuar në mënyrë të pjesshme”.

“Marrë në përgjithësi mund të thuhet që tempo e zbatimit obligimeve që dalin nga marrëveshjet kontraktuare me BE-në si MSA dhe ERA nga Qeveria e Kosovës kanë me një ritëm më të ngadaltë ose ka mundur të ketë një tempo më të lartë të zbatimit të tyre. Qeveria e shkuar sikur dihet ka pasur një ritëm kogja të ngadaltë në këtë aspekt”.

Ai thotë se Qeveria e re duhet ta trajtojë me seriozitet dhe ta vendos në prioritet agjendën e reformave evropiane.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Përsëri në shkollë me Viva Fresh Store!  
-Advertisement-

Të tjera