Lajme

Qeveria e Kosovës mbajti mbledhjen e rregullt (Foto)

Autori: Gazeta inFokus 13:36 | 30 August 2017

E drejtuar nga kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, është mbajtur sot mbledhja e 154-të me radhë e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Në këtë mbledhje, është miratuar rregullorja për riintegrimin e personave të riatdhesuar, e cila synon riintegrimin e qëndrueshëm të personave të riatdhesuar, përmes përcaktimit të përgjegjësive institucionale, kritereve dhe procedurave për përfitim nga skemat e riintegrimit. Ky propozim për të ndryshuar rregulloren, avancon kornizën aktuale, me të cilën shumica e kompetencave në këtë fushë delegohen nga niveli qendror në atë lokal.

Gjithashtu, kabineti ka miratuar udhëzimin administrativ për Zyrat Komunale të Energjisë, që përcakton detyrat dhe përgjegjësitë e zyrave komunale të Energjisë, apo caktimin e zyrtarëve komunal për energji, që veprojnë në kuadër të strukturave komunale, për adresimin e çështjeve në planifikim, zbatim dhe monitorim të politikave të energjisë në nivel lokal.

Kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve financiare për përmbushjen e detyrimeve të Republikës së Kosovës në Organizatën Botërore të Doganave për vitin fiskal 2017-2018.

-Advertisement-

Është miratuar edhe vendimi për rialokimin e mjeteve financiare në përputhje me gjashtë marrëveshjet e mirëkuptimit të nënshkruara nga MAPL dhe kryetarët e komunave për projekte kapitale. Sipas një sistemi të matjes së performacës komunale, MAPL ka ndarë çmimin për performancën më të mirë komunale për gjashtë komuna, dhe nga buxheti i vet, në nënkategorinë për fondin stimulues për komuna, janë përzgjedhur 6 projekte për financim nga ky fond.

Projektet që do të financohen janë:

–           “Shenjëzimi vertikal-sinjalizimi për këmbësor” – Komuna e Prishtinës;

–           “Renovimi i shkollës së vjetër-SHMP teknike”- Komuna e Drenasit

–           “Ndërtimi i qendrës për paraglaiding” – Komuna e Istogut;

–           ”Asfaltimi i rrugës në lagjen Ganijaj”- Komuna e Junikut;

–           “Digjitalizimi i arkivës komunale” – Komuna e Prizrenit;

–           “Rregullimi i hapësirave për organizimin edhe funksionimin e qendrave të shërbimeve të qytetarëve në Komunë” – Komuna e Shtimes;

Kabineti qeveritar miratoi vendimin preliminar për shpronësim për interes publik të parcelës kadastrale me nr. 1305 e cila preket nga ndërtimi i Stacionit Policor në Komunën e Zubin Potokut.

Po ashtu, mori vendimin për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të cilat preken nga ndërtimi i Lokacionit të “Varrezave” Zona kadastrale Neqavc, Komuna Hani i Elezit.

Ky vendim është kërkuar nga Ministria e Infrastrukturës, për implementimin e projektit “Ndërtimi i Autostradës Prishtinë-Hani i Elezit”, pasi që gjatë zhvillimit të projektit zbatues për segmentin C3  tek kyçja Doganaj-Hani i Elezit, në afërsi të Hanit të Elezit janë identifikuar një numër i madh i varrezave, ku do të kalojë traseja e Autostradës të cilat edhe përkundër punimit të disa varianteve teknike gjatë fazës së projektimit nuk ka pasur mundësi të anashkalohen. Duke pasur parasysh që kjo është çështje e ndjeshme dhe në mënyrë që të krijohet mundësia për realizimin e projektit, Komuna Hani i Elezit në bashkëpunim me Bashkësinë Islame dhe Komunitetin kanë caktuar Lokacionin i cili do të jetë destinuar për varreza.

Edhe vendimi për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të cilat preken nga ndërtimi i ndërtesave të përhershme të menaxhimit të integruar të kufirit IBM, Pika Kufitare Merdar, Komuna Podujevë, është miratuar sot gjatë kësaj mbledhje.

Gjatë kësaj mbledhje, është miratuar vendimi përfundimtar për shpronësim për interes publik të pronave të cilat preken nga realizimi i Projektit për zgjerimin e mihjes sipërfaqësore për eksploatim të thëngjillit për prodhim të energjisë elektrike për nevoja të Korporatës Energjetike të Kosovës, zona kadastrale Hade dhe Shipitullë, Komuna Obiliq. Lidhur me këtë temë, në këtë mbledhje, është miratuar edhe vendimi për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të cilat preken nga realizimi i Projektit për zgjerimin e mihjes sipërfaqësore për eksploatim të thëngjillit për prodhim të energjisë elektrike për nevoja të Korporatës Energjetike të Kosovës, zona kadastrale Hade dhe Shipitullë (pjesa e mbetur), Komuna Obiliq.

Me këtë rast, kryeministri ka kërkuar efikasitet më të lartë nga KEK-u lidhur me shpronësimet.

“Ne duhet të kërkojmë nga KEK-u që me kohë t’i përgatisë të gjitha këto vendime, në mënyrë që as Qeveria as KEK-u të mos vijnë në situatë të tillë të ngutshme, veçmas tani kur jemi në përgatitje të ndërtimit të Termocentralit “Kosova e re”, që edhe Banka Botërore edhe investitorët kërkojnë që të jemi shumë efikas dhe shumë të saktë në çështjet e shpronësimeve edhe në çështjet e zhvendosjes së popullatës nga ato prona” tha kryeministri Mustafa.

Në të ndryshme, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, informoi kabinetin qeveritar për përgatitjet që të hënën, më 4 shtator, të filloj viti shkollor në arsimin parauniversitar.

Shqetësimin për pagesën e pensionistëve për kategoritë e veteranëve, në këtë mbledhje e ka ngritur ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Safet Kamberi. Sipas tij, për muajin gusht ka mungesë mbi 4 milionë euro, dhe kjo ka bërë që pa pensione të mbesin 33 mijë e 141 përfitues.

“Bazuar në numrin aktual të përfituesve të këtij pensioni, që është rreth 33.141, minusi në këtë kategori del deri në fund të vitit që është 27.2 milionë euro.

Ne si ministri, me kohë kemi paraqitur këtë mungesë të mjeteve në dokumentet e rishikimit të buxhetit, mirëpo për shkak se Kuvendi i Kosovës nuk ka qenë në gjendje të rishqyrtojë rishikimin e buxhetit, kjo çështje nuk ka mundur të gjejë zgjidhje. Me këtë rast kërkoj ndihmën tuaj që bashkërisht të gjejmë zgjidhjen për këtë problem” ka thënë ai.

Angazhim më të madh në këtë çështje kërkoi edhe kryeministri Mustafa.

“Ne kemi një takim sot me përfaqësuesit e Shoqatës së Veteranëve. Do të bisedojmë edhe me ta. Ata nuk janë fajtor për situatën që ne kemi ardhur, por është problem i rishikimit të buxhetit të gjitha mundësitë ligjore do t’i trajtojmë. Ajo që është e sigurt është që veteranëve nuk do t’ju humbin pensionet, por vetëm mund të shtyhet pagesa e këtyre pensioneve, mirëpo megjithatë edhe ne në emër të Qeverisë duhet të shprehim keqardhje për këtë që po ndodhë, sepse nuk është në rregull që individë dhe familje të cilëve ju takon të paguajnë koston e ngecjeve të konstituimit të institucioneve të Republikës së Kosovës”, tha kryeministri Mustafa.

Në të ndryshme, po ashtu është diskutuar edhe lidhur me procesin e anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL.

“Kam marr festë në cilësinë e Kryeministrit të marrë pjesë me 26 shtator në Pekin në Asamblenë e INTERPOLIT, ku në rend dite është paraparë pranimi i Republikës së Kosovës, anëtarësimi i Republikës në INTERPOL. Ftesë ka edhe ministri i Punëve të Brendshme. Unë kam biseduar me dy ministrat, edhe të Punëve të Jashtme, edhe të Punëve të Brendshme, që ne të vazhdojmë ta bëjmë punën tonë dhe të zhvillojmë aktivitet me të gjitha vendet, të sigurojmë përkrahjen. Kemi biseduar edhe me miqtë tanë ndërkombëtarë dhe jemi në proces të harmonizimit të aktiviteteve, në mënyrë që të arrijmë këtë anëtarësim. Natyrisht që anëtarësimi nuk varet prej nesh. Ne kemi cilësinë e vëzhguesit, varet edhe prej anëtarëve tjerë, prej asaj se çfarë përkrahje ne do të kemi. Por, vetë fakti që Komiteti Ekzekutiv i INTERPOL-it,  ka hyrë në rend dite anëtarësimi i Republikës së Kosovës dhe në atë Komitet Ekzekutiv janë edhe disa vende që nuk e kanë pranuar Republikën e Kosovës, na jep shpresën që kjo do të kalojë. Dua që të kërkoj nga dy ministritë që ne ta bëjmë punën tonë. Ne jemi optimist sa i përket kësaj, të punojmë bashkërisht dhe gjithë këtë ta koordinojmë edhe përpara edhe gjatë asamblesë me partnerët tanë strategjikë, në mënyrë që vendimi përfundimtar të jetë vendim, i cili do të mbështetet nga ta, ashtu siç janë përkrahur dhe mbështetur të gjitha proceset dhe vendimet e rëndësishme të anëtarësimit tonë”, theksoi kryeministri.

Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, dhe ministri i Punëve të Jashtme, Emanuel Demaj, kanë shpjeguar procedurat lidhur me procesin e anëtarësimit në këtë organizatë.

Kryeministri Mustafa, krejt në fund tha se Qeveria ka aprovuar nismën dhe ka hyrë në proces.

“Si kryeministër para dy vjetëve kam dërguar kërkesë INTERPOL-it për anëtarësim. Në rend të ditës kemi hyrë. Është një fazë shumë e rëndësishme, ftesat i kemi marrë dhe ajo që është e jona është se ne duhet ta bëjmë maksimalisht tërë punën që të bashkëpunojmë me të gjitha vendet dhe të kërkojmë përkrahjen e tyre”, tha kryeministri Mustafa. /INFOKUSI

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
KosovaMed përmbyll vitin me sukses – dhuron donacione për QKMF-në e Junikut
-Advertisement-

Të tjera