Lajme

Qeveria e Kosovës mbajti mbledhjen e rregullt

Autori: Gazeta inFokus 14:08 | 15 May 2017

Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, ka zhvilluar mbledhjen e rregullt, të 145-tën me radhë, në të cilën ka miratuar vendime nga fusha e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

Në mbledhjen e sotme, Qeveria miratoi kërkesën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve lidhur me ndarjen e mjeteve financiare për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme, në vlerë prej 4.944.900 euro, të cilat janë të nevojshme për organizimin e zgjedhjeve më 11 qershor.

Miratimin e kabinetit qeveritar e mori edhe koncept-dokumenti për qasje në dokumentet publike, që ka për qëllim të ofrojë informata të mjaftueshme për problemet që janë hasur në këtë fushë dhe mënyrën se si do të rregullohet kjo fushë. Është rregulluar në plotni edhe qasja në dokumente publike në përputhje të plotë me politikat qeveritare.

-Advertisement-

Në këtë koncept-dokument propozohet edhe ndryshimi i dy ligjeve të tjera: Ligji për Qasje në Dokumente Publike dhe Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. “Jam i bindur se në hartimin e plotë të këtyre dy projektligjeve, do të merren parasysh edhe opinionet e rekomanduara nga grupi i ekspertëve, të cilët do të mundësojnë një transparencë të plotë dhe qasje në dokumente publike për qytetarët tonë”, tha zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi.

Në mbledhjen e sotme, u miratua edhe rregullorja për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në Agjencinë për Barazi Gjinore.

Ky Agjencion funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeministrit dhe ka për qëllim që të bëhet një sistematizim më i mirë i kësaj Agjencie, me qëllim që të përcaktojë qartë misionin, qëllimin dhe përgjegjësitë, si dhe strukturën organizative të Agjencionit për Barazi Gjinore.

Edhe vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të Qeverisë nr.10/104 të datës 10.08.2016 për emërimin e Komisionit për Kompensimin e Viktimave të Krimit, mori miratimin e kabinetit qeveritar.

Kabineti qeveritar miratoi edhe koncept-dokumentin për Organizimin e Administratës Publike të Republikës së Kosovës, i cili vendos opsione për zgjidhjen e problemeve që janë identifikuar në aspektin e organizimit të Administratës Publike, duke i mundësuar Qeverisë në këtë rast që të vendos për zgjidhjen më të mirë të shpalosur në pjesën e rekomandimeve të këtij koncept dokumenti.

Koncept-dokumenti propozon zgjidhje në katër segmente kryesore:

1) Vendosjen e rregullave për themelimin e agjencive të pavarura sipas Nenit 142 të Kushtetutës, kuadrin e përgjegjshmërisë për institucionet kushtetuese të pavarura dhe agjencitë e pavarura dhe rregulla minimale për organizimin e brendshëm të këtyre institucioneve e të cilat mundësojnë zbatimin e ligjit të shërbimit civil dhe të pagave;

2) Rregulla për administratën shtetërore në aspekt të vendosjes së parimeve themelore, themelimin e organeve në varësi të Zyrës së Kryeministrit dhe ministrive, organizimit të brendshëm, organizimit territorial, mbikëqyrjen dhe delegimin;

3) Rregulla për administratën komunale që përfshinë organizmin e brendshëm, ofrimin e shërbimeve publike të drejtpërdrejta për qytetarë dhe delegimin;

4) Rregulla për menaxhimin e tranzicionit.

Me rekomandimet e këtij koncept-dokumenti mëtohet të bëhet qartësimi dhe zgjidhja më e mirë për organizimin e administratës publike, siç janë: themelimi, përgjegjshmëria, organizimi, standardet dhe llogaridhënia.

Miratimin e kabinetit qeveritar, e mori edhe koncept-dokumenti për Shërbimin Civil, i cili propozon zgjidhje për qartësimin e fushëveprimit të shërbimit civil si dhe vendosjen e rregullave minimale për të punësuarit tjerë në sektorin publik, rregulla më të mira për rekrutimin dhe përfshirjen e rekrutimit në grup dhe në mënyrë të centralizuar për degën e ekzekutivit, rregulla për ngritjen e trupës së nivelit të lartë drejtues, përmirësimin dhe qartësimin e mëtutjeshëm të rregullave për karrierën dhe klasifikimin e vendeve të punës, menaxhimin e burimeve njerëzore, vlerësimin e rezultateve në punë, ngritjen e kapaciteteve, pezullimin e marrëdhënies së punës, disiplinës dhe mënyrës së zgjedhjes së ankesave.

Kryeministri Isa Mustafa tha se të dy këto koncept-dokumente janë të lidhura me kërkesat nga Bashkimi Evropian për pakon e ligjeve që ndërlidhet pastaj edhe me ligjin për pagat, ndërkohë që ministritë mund të punojnë në përgatitjen e tyre dhe pasi të bëhet konstituuimi i Qeverisë së re të procedohet.

Në mbledhjen e sotme, u miratua edhe kërkesa për ndarjen e mjeteve financiare për Shoqatat Familjare të të Zhdukurve të Kosovës. Për Shoqatën e Krushës së Vogël, u ndanë 3.000 euro, për Shoqatën “Thirrjet e nënave” në Gjakovë, 2.000 euro dhe për Shoqatën “Ngritja e Zërit” në Skenderaj, 500 euro.

Qeveria mori vendim edhe për ndarjen e mjeteve në shumë prej 90.499 euro për Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, për realizimin e procesit ankimor lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës./INFOKUSI

 

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
E PREMTJA E BARDHË NË ETC ME ZBRITJE DERI 50%
-Advertisement-

Të tjera