Lajme

“Qëndrimi i Ramës ndaj Vuçiçit tradhti kombëtare”, demokratët akuza Ramës, Peleshi : Mbajmë një linjë me NATO-n

Autori: Gazeta inFokus 14:48 | 17 January 2023

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi është thirrur ditën e sotme në Komisionin e Sigurisë, në një seancë dëgjimore me deputetët e opozitës.

Mësohet se gjatë zhvillimi të seancës Peleshi është përballur me akuzat e deputetëve demokratë, lidhur me qëndrimin që Kryeministri Rama ka mbajtur ndaj deklaratave të bëra nga presidenti serb Aleksandër Vuçiç, në kuadër të tensioneve në veri të Kosovës.

Duke e cilësuar si një qëndrim “prej struci”, demokratët janë shprehur se sipas tyre kjo konsiderohet tradhti kombëtare.

-Advertisement-

“Qeveria e Shqipërisë ka luajtur rolin e strucit. Kryeministri ka bërë atë që ishte jashtë çdo perceptimi politik dhe njerëzor….Dashuri patetike për Vuçiç dhe qëndrimin e Rusisë është tradhëti kombëtare. Ai deklaroi se do të dërgonte 1000 trupa në territor shqiptar dhe kryeministri fut kokën si struci. Nuk bën asnjë deklaratë për kundër Vuçiçit dhe kemi parë qëndrime kundër ministrave të Kosovës”, tha ndër të tjera deputeti demokrat.

Nga ana tjetër, ministri Niko Peleshi theksoi që Shqipëria është e para që reagon për çështje të Kosovës, por shtoi ai, “tonet janë gjithnjë në përputhje me ato të NATO-s.”

“Nuk është e drejtë të spekulohet që Shqipëria nuk ka qenë aty kur Kosova ka pasur nevojë për mbështetjeje. Çdo përpjekje dhe veprim i yni është i koordinuar me NATO-n,” theksoi ministri.

Deputetët demokratë kërkuan nga ministri Peleshi që të tregojë më shumë sensibilitet për çështjen dhe të mos flasë, siç u shprehën ata, në mënyrë teknike.

Kurse, ministri Peleshi theksoi se ngritje armësh nga ana e Shqipërisë nuk do të ketë ndërsa shtoi se “përkëdhelje” të Serbisë nuk ka pasur.

“Do t’ju lutesha të bëni politikë, por jo duke marrë copëza të fjalëve të miat duke i montuar siç doni vetë. Nëse prisni të ngremë armët e t’i bashkohemi FSK-së kjo nuk do të ndodhë. Ne e ruajmë sigurinë e Kosovës në kuadrin e NATO-s. Tonet i kalkulojmë në përputhje me aleancën. Nuk mund t’i hedhim benzinë zjarrit. Nuk ka përkëdhelje të Serbisë. Qeveria shqiptare është e para që reagon por tonet janë ato të një vendi të NATO-s.”

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Rakinica e Skenderajt bëhet me rrjet të ri elektrik

Të tjera