Lajme

Qehaja: Rezultatet e testit të maturës alarm për ndryshim në arsim

Autori: Gazeta inFokus 17:15 | 21 June 2018

Rezultatet e testit të maturës shtetërore janë shqetësuese.

Rreth 7 mijë maturantë nuk e kaluan testin e Maturës. Numër ky më i lartë sesa vitin e kaluar.

Pas publikimit të rezultateve nga (MASHT) njohësi i Arsimit Rinor Qehaja tha për Gazetën Fokus se numri i nxënësve që nuk kanë kaluar testin e maturës reflekton mbi gjendjen aktuale në arsim, përkundër që një vlerësim më i besueshëm me gjasë do të sillte numër ende më shqetësues nga ky testim.

-Advertisement-

“Ky rezultat është alarm për nevojën për ndryshime rrënjësore në arsim, cilësia e dobët e mësimdhënies dhe mësim nxënies është evidente me ose pa këto shifra, vetëm se me vite situata është kamufluar me rezultate të fryra nga vlerësime jo reale të brendshme dhe të jashtme – që nuk reflektojnë kurrsesi me situatën e vërtetë”, ka thënë Qehaja.

Ai edhe para disa muajve pati deklaruar se Ministria e Arsimit gjatë këtyre viteve ka punuar vetëm në arritjet nëpër teste dhe jo në ndryshimin e sistemit të arsimit që do të kishte sjellë një ndryshim substancial në cilësinë e arsimit në Kosovë.

“Ministria e ka si përkushtim për të ndryshuar arritjet në teste dhe jo në ndryshimin e sistemit. Kjo është për keqardhje”, pati thënë Qehaja.

Ndërkohë që Ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë Shyqiri Bytyqi ka thënë se është shënuar sukses në mbarëvajtjen e testit përkundër tentimeve për ta prishur imazhin e Testit të Maturës, ndërsa ka bërë të ditur se KShM javën e ardhshme do të mblidhet dhe do të caktojë datën se kur do të mbahet afati i dytë i testit.

Këtë vit maturantët do të pajisen me certifikatë të re, e cila do të jepet falas nga Ministria e Arsimit ka njoftuar Bytyqi./Gazeta Fokus

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera