Lajme

Qe tri herë në Bruksel, Bislimi insiston se s’po zhvillon takime për dinarin: Gabim në informim

Autori: Gazeta inFokus 16:33 | 04 April 2024

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi nuk pranon të thuhet se ai po takohet me kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq për të diskutuar për çështjen e dinarit në Kosovë.

Pas takimit të sotëm në Bruksel ku Bislimi tha se ndërmjetësi Miroslav Lajçak nxori një propozim konstruktiv, kryenegociatori i Kosovës tha se s’ka pasur takim për dinarin.

“Ky takim as nuk ka qenë i fundit e as i pari për dinarin, mendoj që është koha e fundit që ta shmangni këtë gabim në informim. Takimi është për të trajtuar modelet me të cilat Serbia mund të vazhdojë dërgimin e mbështetjes financiare për serbët e Kosovës, brenda rregullores së BQK-së”, tha Bislimi.

“Rregullorja e BQK-së nuk e përmend dinarin, rrjedhimisht as nuk ka diskutime për dinarin”, tha ai.

-Advertisement-

Në shkurt, Bislimi kishte refuzuar të shtonte në Bruksel për të folur për çështjen e dinarit. Zëvendësi i Kurtit pati thënë më 21 shkurt se takimi për dinarin nuk ishte takim në të cilin ai duhet të shkonte.

“Ky nuk është takim ku duhet të shkojë kryenegociatori për arsye se çështja e dinarit nuk është pjesë e dialogut. Unë shkoj atëherë kur bisedohet për Marrëveshjen Bazike. Kështu që do të shohim se kush do të shkojë që të bisedojë për dinarin, por nuk është nga ekipi i kryenegociatorit”, ishte shprehur ai gjatë një tryeze me temën “Zhvillimi ekonomik për serbët në Kosovë”.

As udhëtimi i dytë i kryenegociatorëve në Bruksel nuk e kishte sjellë marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për çështjen e rregullores së re të BQK-së.

Bislimi dhe Petkoviq ishin atje edhe më 19 mars dhe edhe nga ai takim dolën pa marrëveshje. Atë ditë, ishin pajtuar vetëm që deri më 22 mars t’i dorëzonin propozimet e tyre për çështjen e dinarit dhe që javën pasuese të takoheshin sërish për t’i diskutuar opsionet.

Për çështjen e dinarit, Kosova dhe Serbia diskutuan pa sukses në Bruksel në fund të shkurtit. Në atë takim shkoi guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Marsi sjell Magji në ETC
-Advertisement-

Të tjera