Lajme

Qalaj: Kurti gaboi që i publikoi emrat e kriminelëve në veri, tani s’mund të arrestohen, kanë ikur në Serbi

Autori: Gazeta inFokus 23:47 | 08 June 2023

Deputeti i PDK-së dhe ish-komandanti i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka gabuar që ka ekspozuar emrat e kriminelëve të dyshuar për  dhunën në veri.

Duke folur në emisionin DPT te Fidani, Qalaj ka thënë se vendimi që Kurti t’i bëj publikë emrat e të dyshuarve në Kuvendin e Kosovës, ishte e gabuar.

“Kryeministri dhe presidenca në mënyrë të vazhdueshme marrin informacione nga AKI dhe Policia e Kosovës. Normalisht, ata kanë emrat e personave që kanë marrë pjesë në dhunën atje. Vendimi i kryeministrit që t’i thotë emrat e të dyshuarve, është shumë i gabuar”, ka thënë Qalaj.

-Advertisement-

Ai ka thënë se me këtë veprim, Kurti e ka bërë të pamundur që të dyshuarit të arrestohen nga Policia e Kosovës. Sipas tij, tashmë ata gjenden në Serbi.

“Pse? Për shkak të mundësisë që t’u thotë ikni se ju kemi hetuar. Pse kryeministri duhet t’i thotë emrat e kriminelëve në veri. Arrestimi i tyre është bërë i pamundur, sepse shumica e tyre, tash me siguri janë në Serbi”, ka deklaruar deputeti.

Ai ka pyetur Kurtin se përse nuk po ndërmerren masa edhe ndaj prijësve të Listës Serbe, Goran Rakiq e Igor Simiq, të cilët, sipas tij, kanë organizuar dhunën në veri.

“Fajtorët kryesorë janë Goran Rakiq dhe Igor Simiq. Ata kanë ftuar protestuesit e dhunshëm. Pse z. Kurti nuk i përmend kurrë ata? Ndoshta i duhen për negociata në të ardhme”, ka thënë Qalaj.

Kryeministri Albin Kurti ka publikuar sot emrat e disa prej personave që ka thënë se janë organizatorët kryesorë të trazirave në veri ditëve të fundit.

Sipas tij, rolin kryesor në organizimin e protestuesve po e kryejnë anëtarë e formacionit ilegal të së ashtuquajturës “mbrojtje civile” dhe ish-pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

“Këto protesta me gjithë dashakeqësinë na kanë shërbyer të bëjmë identifikime të vlefshme”, ka thënë ai në Kuvend.

“Ata janë: Vladimir Radivojeviç, i cili ka njohje të drejtpërdrejtë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Danijel Djukiç, bashkë me një grup personash kanë hedhur shok bomba. Këta janë pjesë e grupit të Milan Radojçiçit të njohur për ndikim dhe veprimtari kriminale. Milos Djukiç, vëllai i Danijelit, dhe këta dy vëllezër kanë raporte shoqërore me djalin e presidentit të Serbisë, Vuçiç”, tha kryeministri Kurti.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
E PREMTJA E BARDHË NË ETC ME ZBRITJE DERI 50%
-Advertisement-

Të tjera