Lajme

Putin: Këmbimet e të burgosurve me SHBA-në janë të mundshme

Autori: Gazeta inFokus 17:24 | 09 December 2022

Presidenti rus, Vladimir Putin, më 9 dhjetor, tha se këmbimi i mëtejmë i të burgosurve ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë është i mundur dhe se kontaktet midis shërbimeve të inteligjencës të të dyja vendeve do të vazhdojnë.

Putin foli në një konferencë shtypi në Bishkek të Kirgizisë, një ditë pasi Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, në këmbim të të burgosurve, këmbyen tregtarin rus të armëve, Viktor Bout, me basketbollisten amerikane, Brittney Griner.

“Po, gjithçka është e mundur”, tha Putin.“Kontaktet vazhdojnë, në fakt nuk u ndalën asnjëherë… U gjet kompromisi, ne nuk refuzojmë ta vazhdojmë këtë punë në të ardhmen”, tha presidenti rus.

-Advertisement-

Rusia edhe më tej është duke mbajtur Paul Whelanin, një veteran marins amerikan, i cili u dënua për spiunazh në vitin 2020.Më 8 dhjetor, agjencia ruse e lajmeve Interfax, duke cituar avokatin e Whelanit, raportoi se Uashingtoni dhe Moska po vazhdonin bisedimet për lirimin e Whelanit.

Ndërkohë, më 9 dhjetor, aeroplani me yllin amerikan të basketbollit, Brittney Griner zbarkoi në SHBA, pasi ajo u lirua në një këmbim të burgosurish pas gati 10 muajve të kaluar në burg në Rusi. Griner u pa duke zbritur nga aeroplani në bazën e forcave ajrore San Antonio-Lackland në Teksas, raporton AP-ja.“Muajt e fundit kanë qenë ferr për basketbollisten Griner dhe gjithë familjen e saj”, tha presidenti amerikan Joe Biden pas lirimit të saj më 8 dhjetor.

Më pas Biden tha gjithashtu se “Amerika nuk e ka harruar Paul Whelanin”, një tjetër shtetas amerikan i burgosur në Rusi që nga nëntori i vitit 2018, për shkak të akuzave për spiunazh.Familja e Whelanit dhe Qeveria amerikane thonë se akuzat për spiunazh janë të pabaza.

“Fatkeqësisht, Rusia po e trajton rastin e Paulit ndryshe nga ai i Brittney Grinerit për arsye krejtësisht të paligjshme”, tha Biden.Shkëmbimi i Grinerit dhe Boutit është shkëmbimi i dytë i të burgosurve në tetë muaj e fundit, pavarësisht marrëdhënieve të tensionuara mes dy vendeve. Të burgosurit e tjerë nuk u përmendën si pjesë e marrëveshjes. Në vitet e fundit, Rusia ka dënuar disa qytetarë amerikanë me burgime të gjata.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova vlerësohet për herë të tretë "Banka e Vitit 2023 në Kosovë" nga The Banker

Të tjera