Fokus

Punëtori që u shkarkua përmes Facebook-ut sfidon Shpend Ahmetin

Autori: Sylejman Sylejmani 10:25 | 11 October 2018

Pajtim Demaj mori një lajm të mirë.

Ai para shtatë muaj e gjysmë ishte suspenduar nga puna si koordinator i peizazhit të mbrojtur “Gërmia”.

Por, në fund doli se ndërmarrja komunale Hortikultura kishte gabuar, shkruan Gazeta inFokus.

-Advertisement-

Atij në muajin shkurt, përmes rrjetit social Facebook iu kumtua lajmi se është suspenduar nga puna e tij.

Lajmin ia kishte kumtuar sekretari i ndërmarrjes, Muhamet Musliu.

“Pajtim ne baze te disa shkresave qe na kane ardhur nga agjencioni pyjor i kosoves per disa deme te bera ne germi sot eshte inicuar procedura diciplinore ndaj teje dhe njekohsisht je suspenduar me 50 perqind te pages derisa komisioni ta vendos kete qeshtje (marrë nga biseda në Facebook, e pakorrigjuar)”, i është thënë atij nga sekretari Musliu.

Në një prononcim për inFokus, Musliu thotë se këtë veprim e kishte bërë pasi i vinte keq ta telefononte Demajn për t’ia kumtuar vendimin.

“Unë si sekretar i ndërmarrjes kur t’i bëjë ato vendimet ose i thërrasë në telefon njerëzit e ju them hajde se është bërë vendimi ose ju shkruaj në Facebook. Edhe kështu unë vetëm i kam shkrujtë i kam thënë hajde merre vendimin e ai e paska marrë që mënyra e vendimit ka qenë vetëm nëpërmjet Facebook-ut. Më ka ardhë keq me i thanë përmes telefonit hajde Pajtim se ka ndodhë kështu e ashtu, e i kam shkrujtë në Facebook dhe normal që e ka kuptu ai se më ka shkrujtë pastaj. Unë nuk po e quaj si mënyrë të padrejtë pasi vetëm kemi komuniku, edhe ajo është mënyrë e komunikimit”, thotë ai.

E vet Demaj i cili në këtë rast është palë e dëmtuar, tregon arsyen e këtij suspendimi.

Ai thotë se kryetari i komunës Shpend Ahmeti po mundohet që t’i largojë të gjithë aktivistët e Vetëvendosjes të cilët nuk po pranojnë që të kalojnë në PSD.

E zyrtarisht ai tregon se i është thënë se suspendimi ndodhi për shkak të një dëmi që ishte shkaktuar në një pjesë të parkut Gërmia, e cila nuk dihet nëse është pjesë e këtij parku ose e Agjencionit Pyjor.

“Arsyetimi ka qenë fillimisht se kanë ardhur disa shkresa nga ministria e bujqësisë, sektori i pylltarisë për një dëm që është bërë në një pjesë e cila është diskutabile se a është pjesë e Gërmisë apo e agjencionit pyjor. Unë kam bërë kërkesë që neve të na definohet kufiri, por në të njëjtën kohë kërkesën e bënë edhe vet kryeshefi i cili më ka suspendu. E kemi dërgu në drejtorinë e kadastrit që me na e tregu kufirin”, tregon ai.

Pas gjithë kësaj që ndodhi, Demaj ka dërguar një ankesë në inspektoratin e punës.

Pak muaj pasi ai e dërgoi ankesën, inspektoriati e detyroi ndërmarrjen Hortikultura që ta kthejë atë në punë në një afat prej 8 ditësh.

Megjithatë, afati u shkel nga kjo ndërmarrje.

“Inspektorati i punës e ka obliguar hortikulturën që në një afat prej tetë ditësh të më kthen në punë dhe të më shpallë të pafajshëm për këtë çështje. Kalojnë 8 ditë, kalojnë 2 javë, kalojnë dy muaj pas vendimit dhe nuk më kthejnë në punë”, deklaron Demaj.

E pasi kaluan gjashtë muaj dhe nuk kishte ndonjë vendim tjetër nga Hortikultura, Demaj vendosë që të kthehet në vendin e punës, por nuk lejohet nga kryeshefi i kësaj ndërmarrje, Isak Kryeziu.

Arsyeja ishte se po presin vendimin pas një ankese që ata e kishin bërë në inspektoriat.

“Kryeshefi ekzekutiv më ka thënë që nuk munesh me u kthy në punë sepse kemi bërë ankesë për vendimin e inspektoriatit, edhe pse në vendim shkruan se ankesa e punëdhënësit nuk e ndalon hyrjen në fuqi të vendimit të inspektoriatit të punës. Më tha që në rregull është por tha se kam direktiva të tjera që mos të të kthej në punë”, thotë Demaj.

Tani ai është i lumtur që pas tërë këtyre përpjekjeve është rikthyer sërish në vendin e tij të punës.

Gazeta inFokus ka kërkuar edhe qëndrimin e Komunës së Prishtinës për këtë çështje, por zyrtarët e saj  nuk iu janë përgjigjur pyetjeve të dërguara përmes e-mail, e as thirrjeve telefonike. /Gazeta inFokus

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera