Lajme

Psikologia Etleva Durmishi tregon se pse shoqëria kosovare i ikën takimeve me psikologun

Autori: Gazeta inFokus 14:04 | 10 August 2017

Këshillimet Psikologjike ose thëne ndryshe sipas psikologes Etleva Durmishi “bashkëbisedime te zgjatura”, janë ndihma që i ofron psikologu klientit për gjërat që e shqetësojnë. Fatkeqësisht tek ne raporti në mes të psikologut dhe personit që ka nevoje për trajtim ekziston pak ose fare. Krejt kjo ngase për shoqërinë kosovare nuk lenë hapësire që individi të kërkon ndihmën nga psikologu, si shkak i paragjykimeve. Frika se shoqëria do të ngre gishtin nga ai dhe do të trajton si një njeri të çmendur bënë që shumëkush të heq dorë nga këshillimet psikologjike, shkruan Infokusi.com

Pse si shoqëri kemi këto paragjykime? A tregon kjo për një mendësi te dobët si shoqëri? A është faji i shtetit dhe institucioneve qe nuk arrin te bene përafrimin e shoqërisë me psikologun?

Psikologia Etleva Durmishi përmes disa shpjegimeve i jep përgjigje të gjitha këtyre pyetjeve.

-Advertisement-

“Më tepër sesa thjesht këshillim, psikologët preferojnë ta cilësojnë si një bashkëbisedim më të zgjatur ngaqë qëllimi i bashkëpunimit në mes këtyre dy palëve ka të bëjë me ndihmën që psikologu i ofron klientit në zgjidhjen e problemeve që e shqetësojnë atë”, ka theksuar Durmishi, për të vazhduar më pastaj me shtjellimin e gjitha atyre gjerave që ndihmojnë pas këshillimit.

“Poashtu, ekziston një tendencë për t’i ikur cilësimit të bisedës si “këshillim” ngaqë në një seancë, klienti ka mundësi që të përfitojë një qasje shumë më të zgjeruar dhe rrënjësore ndaj zgjidhjes së problemit, njohjes së vetes, si dhe ka mundësi që të përfitojë disa shkathtësi të reja e botëkuptime të reja më efektive dhe pragmatike – cilësi këto të cilat do i hyjnë njeriut në punë edhe pasi séanca të përfundojë. Ndërsa këshillimi, në vetvete, kufizohet kryesisht në ofrimin e zgjidhjeve të shpejta, më të ngushta dhe ka në fokus një periudhë më afatshkurtër.

Prandaj, çdo bashkëbisedim me psikologun e tejkalon këshillimin, dhe i jep mundësinë njeriut që të përfitojë shumë më tepër e madje edhe të shijojë kënaqësinë që të ofron mësimi i rrugës drejt vetvetes “, ka thene psikologja.

Shoqëria kosovare e ka te vështire të kërkoj këto këshillime nga psikologu ndonëse mund të ishte në nevoje, për faktin qe shoqëria gjykon mbi individin sikur nuk është mirë me shëndetin psikik.

“Është e vërtetë që në shoqërinë tone, për një kohë shumë të gjatë,  ka ekzistuar një raport i paqartë dhe jo stabil në mes të psikologut dhe shoqërisë, apo më saktësisht, në mes të psikologut dhe shumë prej atyre njerëzve që kanë pasur nevojë për bashkëbiseduar me psikologun.

E shkak fillestar për këtë nuk është psikologu, por vetë rezistenca e shoqërisë për të diskutuar tematika senzitive që kanë të bëjnë me anën shpirtërore dhe psikologjike, e sidomos në rastet kur ato janë cilësuar si ‘probleme’ apo mosfunksionim i një shkalle të caktuar. Poashtu, shoqëria, në periudhat e mëhershme, e ka kuptuar gabimisht rolin e psikologut ngaqë nuk e ka pasur shumë të qartë dallimin psikolog-psikiatër”, ka thene Durmishi

Veç kësaj Durmishi ka thënë se problemi i mos bashkëpunimit në mes të psikologut dhe të personave që janë në nevojë të marrin këshillime psikologjike, qëndron sidomos tek shoqëritë e pazhvilluara.

“Në shoqëritë e pazhvilluara, problematikat e sjelljes, psiqikes dhe shpirtërores në përgjithësi janë ndërlidhur fuqishëm me imazhin e individit, egon dhe rëndësinë e tij në shoqëri, andaj njerëzit janë treguar shumë të rezervuar ndaj bashkëbisedimit me psikologun, por kjo nuk ka ndodhur edhe me doktorët e profësionistët e tjerë të shëndetit, e për probleme të tjera që mund të kenë pasur. Kjo është me rëndësi të theksohet. Kjo paqartësi dhe kjo rezistencë, si pasojë ka rrënjosur edhe më tepër refuzimin për të pranuar se kanë takuar psikologun, ose faktin se kanë nevojë për te”, ka shtuar Durmishi.

Ky hezitim natyrisht që lidhet me mendësinë e shoqërive të pazhvilluara, mirëpo Etleva Durmishi tërheq edhe disa arsye tjera rreth këtij problemi.

“Një kuptim tjetër i shtrembëruar ka të bëjë me atë se në shoqëri është besuar se çdo shqetësim që ka të bëjë me psiqikën dhe emocionet e cilësuara si disfunksionale, nuk kavë shërim dhe se mbeten mister.  Prandaj, pa marrë fare në konsideratë opinionet e të tjerëve, vet njeriu që ka pasur nevojë për bashkëbisedim me psikologun, nuk ka dashur të pranojë një fakt të tillë – dhe në shumë raste kanë preferuar metoda të tjera joprofesionale të qasjes ndaj problemeve që mund t’i kenë shqetësuar.  Shto këtu pastaj faktin që, të shumtën, shoqëria në përgjithësi dhe jo vetëm ajo në Kosovë, ka shpjeguar shumë sjellje/botëkuptime mbi njeriun pa e kuptuar ende mirë vet natyrën psiqike e shpirtërore të njeriut. Prandaj, në këtë rast, njeriu ishte i prirur të reagojë e të imitiojë, më tepër sesa të kuptojë vecantitë e tij më të vlefshme. Prandaj, si rezultat, reflektimi mbi vetën nuk e ka gëzuar shkallën e duhur të seriozitetit dhe shpesh është neglizhuar. Por, ky është një shpjegim i asaj se si kanë qenë gjërat më herët, e jo siç janë tani. Qasja e shoqërisë ndaj psikologut po ndryshon me një shpejtësi shumë të madhe. Kuptimi i drejtë i rolit të psikologut, hapësira e shtuar e diskutimeve në media mbi çështjet psikologjike, mundësitë akademike për ta studiuar këtë fushë,  hapja graduale e shoqërisë ndaj tematikave që kanë të bëjnë me psikologjinë, kureshtja e tyre e shtuar për të njohur veten dhe gatishmëria për të kuptuar rrënjësisht atë që e shqetëson, ka bërë që jo vetëm të ndryshojë qasja ndaj psikologëve, por edhe të kërkohet nga njerëzit më shumë mundësi bashkëbisedimi me psikologë”, ka thënë Durmishi.

Krejt në fund psikologja Etleva Durmishi ka bërë me dije që drejtë këtij problemi kontribuues në këtë shoqëri është edhe vet shteti dhe institucionet e Kosovës, të cilat nuk krijoje vende pune për psikologet dhe nuk ndihmojnë në afrimin e psikologut me shoqërinë.

“Tani i takon edhe shtetit dhe institucioneve të Kosovës që të krijojë më shumë mundësi pune për psikologë, të ndihmojë edhe më tutje afrimin e shoqërisë me psikologun si dhe të ofrohen mundësi për të studiuar edhe fusha të tjera të psikologjisë. Shoqëria jonë, që nga paslufta, po ridefinon vazhdimisht vlerat e saj, po njihet me veten e saj, po kupton veçantinë e saj si dhe po vijnë gjenerata të cilat janë shumë më mendjehapura dhe me të gatshme për bashkëpunim dhe krijim në shoqëri, si dhe shumë të kujdesshme ndaj mirëqenies së plote. E psikologu ka këtu rëndësi kyçe”, ka përfunduar Durmishi./Infokusi.com

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
TEB sjellë edhe kartelën prestigjioze VISA Infinite

Të tjera