Opinione

Pse vizita e Trendafilovës pikërisht para zgjedhjeve lokale?!

Autori: Gazeta inFokus 17:02 | 07 September 2021

Shumë shpejtë do ta mësojmë qëllimin e vërtetë të vizitës në Kosovë të Trendafilovës, Kryetares së Gjykatës Speciale, pikërisht para zgjedhjeve lokale. E kam thënë edhe më herët, që Specialja, e sponsorizuar hapur dhe fuqishëm nga Serbia e Rusia me aleatë, ka pasur një qëllim madhor: goditjen e krahut të luftës, pra shtetin e Kosovës, në mënyrë që Kosova të lëshojë pe krahas një marrëveshjeje eventuale sipas kushteve të Serbisë.

Shkruan: Agron HOTI

E Serbia kishte kohë që kërkonte diçka sa më të rëndë që do ta godiste dhe pse jo zhbënte shtetin e Kosovës. E Specialja ishte më e pakta për të, por që s’mund të godiste me tepër. Sepse është pikërisht Gjykata Speciale dhe bisedimet me Serbinë, të dyja këto që tashmë kanë bllokuar subjektivizimin e mëtejmë ndërkombëtar të Kosovës, ngase sot shumë shtete, mekanizma e organizata ndërkombëtare hezitojnë ta njohin pavarësinë dhe bashkëpunojnë me Kosovën pa dalur rezultatet e Speciales dhe bisedimeve me Serbi. Por, historia e tërë botës na ka treguar se pa njerëzit e luftës, marrëveshjet pavarësisht përpjekjeve, mbesin vetëm në letër, ose përndryshe destabilizohet situata në përmasa të pakontrollueshme. Do të ishte befasi, nëse do të ndodhte ndryshe.

-Advertisement-

E krahu i luftës nuk mund të goditej pa u diskredituar pikë së pari në përmasa ekstreme, saqë shumë njerëz sot, fatkeqësisht shqiptarë, më shumë urrejnë krahun e luftës se Millosheviqin apo Vuçiçin, bile këtë e thonë hapur, thua ti se krahu i luftës paskësh luftuar në të mirë të Serbisë e jo që kishte bërë me aq sa kishte ditur e patur mundësi pikërisht të kundërtën, për çka edhe ishte luftuar me të gjitha mjetet nga Serbia, përfshirë tërë arsenalin e saj policor, paraushtarak dhe ushtarak.

E diskreditimi i krahut të luftës duhej të bëhej aq fuqishëm e intensiv sidomos pas miratimit të Speciales, saqë kur të fillonin arrestimet të mos protestonte askush në rrugë dhe të mos destabilizohej vendi. E kjo në vitin 2010 nuk mund të ndodhte kur lavdia e krahut të luftës ishte në kulminacion, por në vitin 2020 e 2021 po, kur diskreditimi dhe urrejtja ndaj krahut të luftës kishte rrokur majat. Kësi lloj sulmesh brutale vendore e ndërkombëtare do ta gjunjëzonin edhe një Gjermani apo Zvicër, se lëre më kraun e luftës të një vendi të vogël e me shumë probleme silu në

E maskë perfekte goditëse sigurisht që do të ishte retorika politike e luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, apo siç thuhej ‘ç’kapja e rajonit’, gjersa në fakt përpos krahut të luftës në Kosovë askush tjetër në rajon nuk qe goditur. Me kësi retorike politike mund të sulmosh të gjitha shtetet në botë pa përjashtim, sepse nuk ka pasur, nuk ka dhe as që do të ketë edhe një qeveri apo shtet të vetëm në botë pa korrupsion e krim të organizuar. Thjeshtë me një retorikë të tillë politike kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar mund të godasësh kë të duash në glob, pavarësisht se sa demokratik dhe i zhvilluar të jetë ai shtet. Nëse qëllimi i BE-së paskësh qenë luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar – me një fjalë pastrimi i rajonit nga këto dukuri negative – pse atëherë politika e Kosovës dhe rajonit nuk u kapën për korrupsion dhe krim të organizuar apo për kapje shteti?!
Ç’është më skandalozja, përderisa krahu i luftës në Kosovë po diskreditohej e izolohej, bashkëpunimi i BE-së me vendet e rajonit, të cilat vetë i quante ‘të kapura’ po shënonte lulëzimin më të madh, shembulli më tipik është Vuçiçi e Daçiçi. Tash pyetja që duhet shtruar është kjo: A ka ende korrupsion e krim të organizuar në Ballkan Perëndimor apo jo? Nëse BE bashkëpunon me Vuçiçin e Daçiçin si asnjëherë më parë, ç’na thotë kjo, që Serbia e Vuçiçit e Daçiçit që kanë kryer gjenocidëra është bërë demokratike, që s’është më koka e korrupsionit, krimit të organizuar dhe destabilizatorit rus në Ballkan Perëndimor?!

Nëse Trendafilova ka ardhur për pastrim politik të procesit elektoral nga njerëz të luftës, kjo mbetet për t’u parë. Por, ta vizitojë Kosovën një instrument ndërkombëtar kaq i rëndë politik siç është Specialja në një moment kaq delikat e të rëndë, kur njerëzia po luajnë mendësh nga virusi Covid-19 dhe kur retorika zgjedhore ka filluar të ashpërsohet, të jep të kuptosh që kjo zonja nga Bullgaria krahas kalkulimeve të pastra politike ka ardhur dhe për ta matur pulsin publik, për të parë orientimet zgjedhore, se mos eventualisht po çon kokë krye nga krahu i luftës, në mënyrë që ta pastrojë sa më shpejtë terrenin.

Sepse një rikthim eventual i komunave të Kosovës nën krahun e luftës, sidomos disa komunave të ndjeshme dhe me relevancë të lartë politike, automatikisht do të thotë rikthim dhe rifuqizim i krahut të luftës, i cili sipas Speciales duhet të mbetet i diskredituar në përmasa ekstreme, së paku derisa të përfundojë gjykimi i tyre.

Sepse një krah i luftës i rifuqizuar mund ta kthejë lavdinë e nëpërkëmbur luftës së UÇK-së dhe kjo potencialisht do të mund ta zbehte dhe delegjitimonte edhe më tej rolin e Speciales, edhe ashtu të delegjitimuar. Nëse para zgjedhjeve parlamentare duhej kryer patjetër arrestimet e njerëzve kryesorë të luftës, do të mbetet të shihet situata e tanishme para zgjedhjeve lokale se a do të ishte më ‘frytëdhënës’ për Specialen arrestimi i tyre tash kur do të mund të rritej sentimenti pro krahut të luftës me ç’rast do të mund t’i rriteshin votat nëpër komuna me relevancë të madhe politike, apo që arrestimet eventuale të tyre të bëhen pas zgjedhjeve. Pavarësisht se cili skenar do të ndodhë, goditja e radhës ndaj krahut të luftës do të jetë vetëm çështje kohe, gjersa kundërshtarët brenda dhe jashtë vendit do bëjnë dasëm për fat të keq. Qofsha i gabuar!

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Marsi sjell Magji në ETC

Të tjera