Lajme

Pse u la Vjosa Osmani prapa liderëve ballkanikë në Brdo-Brijun?

Autori: Gazeta inFokus 14:20 | 18 May 2021

Në fotografinë e përbashkët të udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor në samitin e Brdo-Brijunit, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ishte në një vend më pak të dukshëm sesa homologët e saj.

Por, kjo nuk ka të bëjë aspak me çështje politike, sipas ekspertëve të protokollit.

Haki Merovci ka thënë se vendin e udhëheqësve në një samit të këtij formati e përcakton protokolli i vendit që e mirëpret atë.

-Advertisement-

“Janë kriteret të cilat i cakton protokolli i nikoqirit. Për shembull: Rendi alfabetik anglez, pranimi i shtetit në BE, elementi politik i “mosfarkimit” i kundërshtarëve politikë, kriter plus është edhe ai i seniorit – kush është më e vjetri në detyrë si president”.

Merovci ka thënë se megjithatë formati i tavolinës për bisedime është i përshtatshëm.

Eksperti tjetër i protokollit, Tomor Avdija, duke komentuar fotografinë ka thënë për Klankosova.tv se kriter për atë radhitje ka mundur të jetë edhe gjuha e trupit – gjatësia.

“Në atë që kemi parë në fotografinë e liderëve është bërë renditja për shkak të rrethanave. Shikohet pak edhe gjuha e trupit, edhe gjatësia. Për shkak se presidentja Osmani e ka një trup mesatar është paraparë për në pjesën që ishte më e ngritur, sepse podiumi ka pasë shkallë”.

Gjithashtu, Avdija ka thënë se protokollet zbatohen sipas shteteve mikpritëse dhe organizatore, si dhe se ai mund të ndërrohet edhe në momente finale për arsye të ndryshme.

Në tavolinën katrore të samitit, presidentja kosovare nuk e pati përballë homologun e saj serb, Aleksandar Vuçiq, megjithatë pati përplasje me të.

Osmani kërkoi llogari nga Vuçiq për mosdënimin e kriminelëve serbë gjatë luftës në Kosovë derisa ai ngulmonte se Kosova është pjesë e territorit serb.

“Dhe më e rëndësishmja, pse autorët e këtyre krimeve të neveritshme të kryera nga regjimi i Millosheviqit nuk janë pas grilave? Përtej detyrës sime si Presidente e popullit të Kosovës, është detyrë morale dhe njerëzore të flas të vërtetën rreth asaj se çka ndodhi në vendin tonë. T’i quajmë krimet e kryera nga regjimi i Millosheviqit me emrin e tyre: Krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid. Dhe, më e rëndësishmja është të kërkojmë nga fqinji ynë verior, Serbia, të sjellë para drejtësisë autorët e këtyre krimeve të tmerrshme kundër civilëve të pafajshëm”, kishte thënë Osmani në takim.

Dënimin e autorëve të gjenocidit në Bosnjë dhe Hercegovinë e ka kërkuar edhe anëtari boshnjak i Presidencës, Shefik Gjaferoviq, duke akuzuar Serbinë se s’po bën asgjë për kapjen e tyre.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera