Opinione

Pse SHBA s’do dy fronte lufte njëkohësisht?

Autori: Gazeta inFokus 10:05 | 30 May 2023

Pesha e luftës në dy fronte

Rrallëkush më shumë sesa SHBA e ka ndjerë peshën e luftës së njëkohëshme në dy fronte të mëdha. Përderisa Hitleri e kishte humbur luftën e njëkohshme në dy fronte të mëdha (perëndim-lindje) dhe përderisa edhe Stalini e kishte humbur luftën në nga Japonia në lindje, por që u shpëtua në perëndim nga sulmi i SHBA-së mbi Gjermani, ishte vetëm SHBA ia kishte dalë ta fitonte luftën në dy fronte lufte të njëkohëshme edhe atë pikërisht përballë Hitlerit në lindje të SHBA-së dhe përballë Japonisë në perëndim të saj.
Nuk ishte e rastësishme që e tërë industria e SHBA-së gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte vënë në funksion të luftës së madhe të SHBA-së, përmes së cilës Evropa e Azia po lodheshin së luftuari mes vete dhe rrjedhimisht po binin si fuqira globale, ndërkohë që po lindte SHBA si Superfuqia më e fortë në glob që ka njohur njerëzimi.

Lufta me nëndetëse e anije

-Advertisement-

Lufta kryesore dhe bindshëm më vështira e SHBA-së kundër Gjermanisë në lindje dhe Japonisë në perëndim të SHBA-së s’ishte bërë as në tokë e as në qiell, por para se gjithash mbi dhe nën ujë dhe si e tillë kishte qenë lufta më e rëndë moderne që kishte njohur njerëzimi mes nëndetësve dhe anijeve amerikane kundër atyre japoneze dhe gjermane.
Vetëm pasi SHBA e kishte fituar luftën e detërave, ia kishta dalë ta çelte rrugën për luftën përfundimtare tokësore deri në gjunjëzimin përfundimtar të Gjermanisë dhe Japonisë. Ndërkohë që Japonia e Gjermania përmes nëndetësve dhe anijeve të tyre synonin që të ndalnin furnizimet amerikane në Evropë dhe Azi. Që nga Lufta e Dytë Botërore (L2B) e deri me sot, SHBA – e vetëdijshme për rrezikun e flotave të huaja ushtarake detare – të gjitha luftërat i bën në tokë. Përmes kësaj doktrine të luftës në tokë, SHBA mundohet që mos t’i nxisë dhe për më tepër t’i dekurajojë shtetet e ndryshme që të mos investojnë nëpër flota ushtarake, ku pastaj këto flota do të mund ta sfidonin seriozisht supremacinë detare të SHBA-së në detëra dhe oqeane.
Dhe nuk është e rastësishme që SHBA sot ka padyshim flotën detare më të fortë në glob, përmes së cilës siguron lirinë e navigimit anekënd globit si dhe lëvizjen e lirë të mallrave ku mbi 90% e tyre transportohen nëpër ujëra. Prandaj, flota detare amerikane sot kontrollon Oqeanin Atlantik dhe Evropën si mburojë e krahut lindor të saj, Oqeanin Paqësor me Japoninë, Korenë Jugore e Tajvanin si mburojë të krahut perëndimor të SHBA-së, si dhe Oqeanin Indian që shtrihet mes Atlantikut dhe Paqësorit, përmes të cilit kalon gati 2/3 e tregtisë dhe energjisë globale dhe ku flota amerikane mbikëqyr tërë rajonin. Pavarësisht që Atlantiku dhe Evropa janë mur i pakalueshëm SHBA po shtyen kufijtë e NATO-s dhe BE-së nga Finlanda në Turqi sa më afër kufirit rus.

Kontrolli i oqeaneve dhe parandalimi i aleancave

E vetëdijshme për përpjekje të vazhdueshme mes rusëve dhe shteteve të ndryshme evropiane (kryesisht Franca e Gjermania) për të krijuar Superfuqinë e Euroazisë siç u provua së fundmi (2000-2022) përmes binomit Putin-Schröder nën miratimin e Merkel dhe symbylljen e Francës për ta mbajtur Gjermaninë të poshtëruar nën kushte ruse, SHBA do ta shtyjë qendrën e zhvillimit të Evropës nga dualizmi franko-gjerman, te ai polako-ukrainas ku proamerikanizmi aty do të ngelet më i larti në Evropë mes shteteve të fuqishme.
Lufta në Ukrainë ka pikërisht këtë synim të SHBA-së, pra që të prishet, siç tanimë u prish, aleanca evropiano-ruse, si dhe që qendra zhvillimore gravitacionale e Evropës të zhvendoset në Poloni dhe Ukrainë si masë parandaluese mes Evropës Kontinentale dhe Rusisë për të krijuar një Euroazi, kjo e fundit do ta sfidonte seriozisht supremacinë globale të SHBA-së.
Ndërkohë thembra e Akilit për SHBA ka qenë, ngelet dhe do të jetë kontrolli i Oqeanit Paqësor me Kinën, Japoninë, Korenë, Tajvanin dhe Azinë Juglindore në rritje të paparë ekonomike e ushtarake. SHBA do të përpiqet që aq shumë ta lodhë Rusinë dhe Evropën duke ua lënë Poloninë dhe Ukrainën në mes, në mënyrë që kur të zhvendoset në Pacifik të mos ketë nevojë të shikojë më mbrapa se mos po rilind ndonjë Superfuqi e Euroazisë, sipas kushteve evropiane siç kishte provuar Bonaparta e Hitleri, apo sipas kushteve ruse siç kishte provuar Stalini dhe aktualisht Putini.
Ndërkohë që lufta e SHBA-së kundër terrorizmit në Lindje të Mesme dhe Azi Qendrore që zgjati nga viti 2001-2022 kundër një aleance mes Rusisë e Iranit me Afganistanin, Irakun dhe Sirinë, luftëra këto që u zhvilluan në tokë siç i konvenonte SHBA-së, i ka siguruar SHBA supremacinë detare në Oqeanin Indian, ku Rusia ëndërron të ketë dalje.

Përfshirje indirekte dhe indirekte në luftë

Përpos shmangies së luftërave në detëra, SHBA ka mësuar edhe një gjë që nga Lufta e Dytë Botërore: që hapja e dy fronteve të mëdha luftarake në të njëjtën kohë, aq më tepër kundër kombeve të mëdha, është tepër e kushtueshme dhe shumë vështirë e fitueshme. Prandaj, SHBA ka gjetur dy mënyra të përfshirjes në luftëra:

1) Përfshirje indirekte përmes mbështetjes së shteteve të caktuara kundër shteteve rivale shih mbështetjen e Irakut kundër Iranit, mbështetjen e Afganistanit kundër BRSS-së, mbështetja e Ukrainës kundër Rusisë, etj.;

2) Përfshirje direkte në luftë siç ishte rasti në Kore që rezultoi me ndarjen e Koresë në Veriore dhe Jugore, në Vietnam, në hapësira ish-jugosllave, në Irak, Afganistan, Libi, etj.
Jo luftëra të njëkohshme por njëra pas tjetrës

E vetëdijshme se sa shumë kushtojnë luftërat në dy apo më shumë fronte të mëdha njëkohësisht, SHBA që nga Lufta e Dytë Botërore e deri me sot, ka mbështetur luftëra që ndodhin kryesisht njëra pas përfundimit të tjetrës, ndaj dhe kjo i sillte avantazhe për të shmangur luftëra në dy apo më shumë fronte njëkohësisht, e avantazhet ishin se luftërat ishin më të izoluara, më të kontrollueshme dhe me kosto shumë më të vogël.
Shembulli më i mirë i luftërave njëra pas tjetrës janë: lufta në Slloveni, pastaj në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë, Kosovë, Preshevë dhe Maqedoni. Në shkallë globale ishte lufta e Koresë, pastaj e Vietnamit, vetëm lufta BRSS-Afganistan dhe Irak-Iran ishin pothuaj të njëkohshme, por meqë Iraku e Afganistani me armë amerikane po ia dilnin mbanë ta sfidonin BRSS-në që mbështese Iranin dhe sulmonte Afganistanin, atëherë SHBA ishte komode ngaqë këto dy luftëra kishin ngelur, sipas interesave të SHBA-së, të lokalizuara. Luftëra të tjera të njëpasnjëshme ishin lufta e SHBA-së në Afganistan, Irak, Siri, Libi, etj.
Aty ku SHBA është e sigurtë që një shtet i ka kapacitetet t’i kundërvihet shtetit rival, i ofron vetëm mbështetje financiare, ushtarake dhe logjistike. Kështu është duke ndodhur në luftën e Ukrainës kundër Rusisë. Ukraina ka relativisht numër të qëndrueshëm të popullsisë, pra nuk ka rrezik të mbetet për një kohë të shkurtër pa popullsi siç rrezikonte p.sh. Kosova, pastaj ka armatë të fuqishme, ndaj dhe SHBA i siguron mbështetje financiare, armë dhe mbështetje logjistike, kjo për faktin se Ukraina po ia arrin ta përballojë Rusinë. Lufta Ukrainë-Rusi – edhe pse për nga territori dhe arsenali ushtarak – është e përmasave gati sa Lufta e Dytë Botërore, ajo vazhdon të ngelet e lokalizuar vetëm mes Ukrainës dhe Rusisë që është edhe qëllimi kryesor i SHBA-së.

Ballafaqimi amerikano-rus në Kosovë

Tentimet e Rusisë që krahas Ukrainës të ndezë konflikt të ri në Ballkan (kryesisht në Bosnje e Hercegovinë e Kosovë) janë ato që më së paku i konvenojnë SHBA-së. Kjo, sepse një shpërthim konflikti në Ballkan, me shumë shpejtësi do të mund të përfshinte shumë shtete në të, duke filluar nga Kroacia, Serbia, Kosova, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Greqia, Turqia e Bullgaria. Një konflikt i tillë do të ishte shumë i kushtueshëm për SHBA dhe për më tepër i pakontrollueshëm, ndaj dhe SHBA do të duhej të përfshihej direkt vetë në të. Përmasat e një konflikti eventual në Ballkan, siç e ka dëshmuar historia, bëhen përnjëherë rajonale dhe një luftë rajonale është kundër interesave të SHBA-së ashtu siç është kundër tërë Perëndimit.
Prandaj, lidhur me ngjarjet më të fundit në veri të Kosovës vlen të theksohet se tani kur lufta Ukrainë-Rusi pritet të marrë një dimension të ri në favor të Ukrainës, në Kosovë ka një ballafaqim të tmerrshëm mes Rusisë dhe SHBA-së, ku Rusia me çdo kusht po mundohet ta ndezë konfliktin në Veri të Kosovës, ndërkohë që SHBA po mundohet me çdo kusht që të mos shpërthejë kurrfarë konflikti, sepse nëse një gjë e tillë do të ndodhte, atëherë konflikti shumë shpejtë do të mund të shpërthente në Bosnjë e Hercegovinë e Maqedoni të Veriut, ku i tërë rajoni pastaj do të futej në luftë. Një luftë në Ballkan do ta hidhte poshtë tërë punën dhe angazhimin e SHBA-së për ta futur tërë rajonin në NATO duke e rrethuar kështu Serbinë si oazë, e cila s’ka asnjë zgjidhje tjetër përpos kthimit kah Perëndimi.

Prandaj, Kosova duhet ta lexojë drejtë politikën e SHBA-së, e jo të thirret në ruajtje sovraniteti, sepse sovranitetin e Kosovës e ruan NATO jo Kosova. Sikur të zgjidhej problemi me zgjedhje lokale e polici, Kosova qysh moti do ta kishte zgjidhur problemin në veri. Nuk guxojmë me asnjë çmim të biem në grackën e Serbisë. Veriu i Kosovës ka qenë, është dhe derisa të zgjidhet do të jetë çështje politike dhe si i tillë do vetëm zgjidhje politike.

 

Shkruan: Agron Hoti

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera