Opinione

Pse s’duhet ta harrojmë Srebrenicën

Autori: Gazeta inFokus 19:28 | 13 July 2018

Dunja Mijatovic

Çdo 11 korrik që nga viti 1995, qindra njerëz janë mbledhur në Qendrën Përkujtimore në Potoçarit për të përkujtuar gjenocidin e Srebrenicës, krimi më i tmerrshëm i kryer në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Të mbijetuarit dhe familjet e viktimave kërkojnë drejtësi, njohje dhe respekt.

-Advertisement-

Brenda pak ditësh atë korrik të 23 viteve më parë, më shumë se 8,000 djem dhe burra u ekzekutuan sistematikisht dhe brutalisht dhe 30,000 njerëz u zhvendosën me dhunë.

Që atëherë, të afërmit e viktimave – dhe në veçanti, nënat që kanë humbur bashkëshortët, djemtë, vëllezërit – kanë nisur një rrugë të gjatë dhe të guximshme drejt drejtësisë dhe njohjes.

Përgjatë kësaj rruge, ata kanë gjetur disa standarde. Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë ka vendosur se në Srebrenicë u krye gjenocid dhe dënoi disa nga kriminelët e luftës që e organizuan dhe morën pjesë në të. Dhe organizatat bazë po kapërcejnë pengesa të mëdha për të nisur rrugën e gjatë drejt pajtimit.

E gjithë kjo mbart një rëndësi të madhe, por mbetet ngushëllim i vogël për të mbijetuarit e gjenocidit dhe familjet e viktimave.

Ata kërkojnë të gjejnë të dashurit e tyre, por procesi i ngadaltë i identifikimit i shkakton atyre vuajtje shtesë. Ata kërkojnë kujdes shëndetësor për të trajtuar traumën e tyre dhe marrin terapi nën standard. Ata kërkojnë përgjegjësi, por shumë kriminelë lufte janë ende të lirë dhe të pandëshkuar. Ata kërkojnë njohje, por vuajtja e tyre shpërfillet, mashtrohet ose mohohet.

Kjo e fundit është sigurisht një nga gjërat më të egra që ata kanë qenë të detyruar të durojnë gjatë periudhës pas gjenocidit. E megjithatë ata kanë gjetur forcën për të vazhduar luftën e tyre për të vërtetën dhe drejtësi, pavarësisht nga mohimi dhe minimizimi i gjenocidit, të cilin e shohim po ndodh edhe në arsim.

Shkollat monoetnike dhe sistemi “dy shkolla nën një çati” ende karakterizojnë arsimin në Bosnje dhe Hercegovinë. Ai karakterizohet gjithashtu nga injoranca e së kaluarës dhe manipulimi i fakteve rreth luftës së fundit.

Një situatë e tillë përjetëson ndarjet etnike, të cilat bënë të mundura tensionet aktuale dhe ato të kaluara dhe pengojnë pajtimin dhe paqen. Ne duhet ta ndryshojmë këtë.

Viktimat civile të gjenocidit të Srebrenicës duhet të marrin mbrojtje adekuate sociale dhe ndihmë juridike të përmirësuar për të siguruar të drejtat e tyre dhe për të marrë dëmshpërblime.

Autoritetet politike dhe gjyqësore në Bosnje dhe Hercegovinë dhe në Serbi duhet të përmirësojnë bashkëpunimin e tyre për t’i dhënë fund mos ndëshkueshmërisë, duke identifikuar dhe ndëshkuar kriminelët e luftës.

Ata gjithashtu duhet të investojnë më shumë në identifikimin e të gjithë viktimave të gjenocidit dhe të sqarojnë fatin e atyre që mbeten të zhdukur. Ata duhet të shtojnë kërkimin për varre masive dhe të sigurohen që dëshmitarët që mund të zbulojnë informacione të nevojshëm për të identifikuar të gjithë vendet e tjera ku janë varrosur kufomat të ndihen të sigurt për ta bërë këtë.

Qeveritë dhe vendimmarrësit duhet të miratojnë politika largpamëse që krijojnë përgjegjësi dhe përqendrohen në arsim. Kjo duhet të bëhet një përgjegjësi e përbashkët, kryesisht për Bosnjën dhe Hercegovinën dhe Serbinë, por edhe për vendet e tjera evropiane, jo vetëm në ish-Jugosllavi.

Sistemet e arsimit në rajon duhet të bëhen më përfshirëse. Ata duhet t’i nxjerrin brezat e rinj nga shpellat e paragjykimit në të cilat realitetet e prodhuara turbullojnë të vërtetën dhe përhapin farën e urrejtjes.

Librat shkollorë, jo vetëm në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë, por në të gjithë Evropën, duhet të përfshijnë një dëshmi objektive të gjenocidit të Srebrenicës, duke e portretizuar atë pa konotacione politike ose etnike. Ata duhet të edukojnë për të kaluarën, të edukojnë për të zbutur mitet, të edukojnë për drejtësinë dhe barazinë për të gjithë.

Vendet evropiane duhet të ofrojnë më shumë mbështetje për nismat bazë për pajtim. Ata gjithashtu duhet t’i bëjnë më shumë presion politikanëve dhe figurave të tjera publike në Serbi dhe Bosnje dhe Hercegovinë për të ndaluar mohimin e së kaluarës dhe për të ndërtuar sisteme dhe shoqëri arsimore gjithpërfshirëse.

Ashtu si holokausti dhe gjenocidi në Ruanda, gjenocidi i Srebrenicës nuk ishte një aksident. Ai nisi shumë kohë para se të ndodhte.

Ai filloi kur qeniet njerëzore u veçuan për shkak të përkatësisë së tyre etnike. U rrit me një diskutim publik, të nxitur nga disa media, të cilat i dehumanizuan ato dhe margjinalizuan zërat kritikë. Ai mori formë në shfarosjen sistematike dhe industriale të një grupi të madh njerëzish, nën sytë e një komuniteti pasiv ndërkombëtar. Dhe vazhdon sot, me mohimin dhe mosndëshkimin.

Gjenocidi i Srebrenicës shënoi një nga faqet më të errëta të historisë evropiane. Nëse duam të shkruajmë një të ardhme më të ndritur, duhet të kujtojmë atë që ka ndodhur dhe t’i trajtojmë të gjitha viktimat si viktima, pa konotacione politike ose etnike.

Duhet të pranojmë vuajtjet e të mbijetuarve dhe të familjeve të viktimave. Ne duhet ta bëjmë luftën e tyre për drejtësi qëllimin tonë.

Si komisionere për të drejtat e njeriut, unë do të vazhdoj të kërkoj drejtësi për të gjitha viktimat e krimeve të ndodhura gjatë luftërave në Ballkan. Vetëm duke i shërbyer drejtësisë mund të përballemi të gjithë me të kaluarën dhe ta parandalojmë përsëritjen e saj. /BIRN/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera