Lajme

Pse po ikë Ramush Haradinaj?

Autori: Gazeta inFokus 14:54 | 07 June 2018

Kryeministri i Kosovës vazhdon të mos përgjigjet në interpelancat të cilat po thirren nga opozita. Disa prej interpelancave tanimë kanë kaluar një muaji që kur janë thirrur por kreu i ekzekutivit ende nuk ka shkuar në seancë për t’u përballë me deputetët e Kuvendit.

Këtë gjë e dëshmon edhe interpelanca e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar në institucionet dhe zyrtarët e lartë të Kosovës, e cila ishte në rend dite për t’u mbajtur në seancën e 16 prillit, por e cila ende nuk është mbajtur.

Deputetët e opozitës thonë se këtë gjë kryeministri po e bënë me qëllim, derisa monitoruesit e Kuvendit e quajnë neglizhencë totale të kreut të Qeverisë karshi legjislativit dhe mekanizmave të tij.

-Advertisement-

Deputeti i Vetëvendosjes, njëherit shef i grupit parlamentar, Glauk Konjufca, thotë se ky anashkalim i kryeministrit është si shpërfaqje të një mentalitet politik të vet kryeministrit.

Sipas tij, ky mentalitet politik i kryeministrit është se punën e Parlamentit e merr si tretësore, pasi ai ka punë primare dhe sekondare.

Konjufca: Kryeministri me qëllim i shtynë interpelancat

“Po kjo bëhet me qëllim për shkak që këtu ka pasur njëfarë lloj le të themi strategjie, dhe këtu nuk e përjashtoj asnjë qeveri në të kaluarën që Kuvendi të shkelet për shkak se Kuvendin kryeministri e identifikon me opozitën dhe mendon që aty ka të bëjë me kundërshtarët e vet politik, prandaj Kuvendi duhet të shkelet dhe anashkalohet. Do të thotë është një koncept primitiv, koncept anti demokratik. Ai nuk e dinë që, madje edhe vet deputetët e mazhorancës nuk e kuptojnë që Qeverinë mbi të gjitha nuk e kontrollin opozita, Qeverinë mbi të gjitha e kontrollon mazhoranca”, deklaroi Konjufca.

Edhe deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, këtë trend e sheh si tregues se opozita është shumë e përgatitur se sa pushteti.

Ai për KosovaPress, thekson se opozita po i trajton problemet e qytetarëve me kompetencë, prandaj secila prej interpelancave është e thirrur për të trajtuar dhe adresuar një problem të qytetarëve të Kosovës.

Abdixhiku: Qeveria po ndjehet e papërgatitur karshi opozitës

“Fatkeqësisht deri me tani pozita, Qeveria nuk ka qenë kompetente në adresimin e këtyre problemeve dhe në ardhjen e bërjen e debatit. Pra, ne kemi pasur shumë interpelanca në të cilën Qeveria ka munguar plotësisht, ministrat e resurseve përkatëse nuk kanë ardhur fare në interpelancë. Në anën tjetër edhe rekomandimet që janë miratuar në seancë nuk janë implementuar fare nga Qeveria. Unë po besoj që ky është një tregues i një opozite jashtëzakonisht të përgatitur mirë dhe një pozite jashtëzakonisht të dobët”, tha Abdixhiku.

Sipas Abdixhikut, ekzekutivit i vendit ka kuptuar fuqinë e dobët që ka në Parlament, prandaj dëshiron që ta dobësojë Parlamentin në mënyrë që të mos i jep llogari, e as të marrë përgjegjësi nga Parlamenti.

Por, ndryshe mendon partia e kryeministrit Ramush Haradinaj, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Shefi i deputetëve të partisë së Haradinajt, Ahmet Isufi, thotë për KosovaPress, se shefi i tij i partisë është i gatshëm të vije në Kuvend për t’iu përgjigjur interpelancave, porse ato opozita i ka shndërruar në temë ditore vetëm për ta bllokuar punën e legjislativit.

Isufi: Opozita po donë ta bllokoj punën e Kuvendit

“Interpelancat janë bërë temë ditore në Parlamentin e Kosovës, gjë që tregon se po duan vetëm ta bllokojnë punën e Kuvendit dhe kjo nuk është mënyrë e mirë për shkak se imazhin e Kuvendit e dobëson. Qeveria i ka punët, është duke funksionuar, kryeministri Haradinaj ka paraqitur gatishmërinë që çdo herë kur ka nevojë të jetë në interpelanca por duke llogaritur në agjendën e Qeverisë. Tani janë shtuar interpelancat, kanë mbetur për t’u vazhduar gjë që po i shtynë edhe temat tjera të rendit të ditës”, theksoi Isufi.

Isufi ka propozuar edhe një ide në kryesinë e Kuvendit, ku sipas tij, një ditë e veçantë duhet të jetë vetëm për interpelanca, një tjetër vetëm për shqyrtimin e ligjeve dhe një ditë tjetër vetëm për votimin e tyre.

Edhe monitoruesit e Kuvendit e shohin problematike mos përgjigjen e kryeministrit ndaj Kuvendit.

Artan Murati nga KDI-ja, e quan neglizhencë të kryeministrit Haradinaj mos pjesëmarrja në interpelanca në kohën e duhur kur ato thirrën, por i shtynë gjithmonë.

Sipas tij, sa i përket interpelancave, duhet të trajtohen dy probleme të cilat i kanë hasur gjatë legjislaturës së gjashtë.

Murati: Haradinaj po e neglizhon Kuvendin

“E para është koha kur janë ftuar interpelancat, kemi parë që kryesia e Kuvendit, Kuvendi në përgjithësi nuk i ka proceduar kërkesat për interpelancë në kohën reale kur ato janë shtruar dhe kemi parë rastet kur është diskutuar për njëqind ditëshin e Qeverisë pas dyqind ditëve të punës së kësaj Qeverie. Kemi edhe interpelanca që janë ftuar tash e disa muaj dhe ato ende faktikisht nuk kanë arritur që të realizohen në praktikë…Dhe e dyta, është neglizhenca totale e kryeministrit Haradinaj në këtë rast ndaj Kuvendit dhe mekanizmave të Kuvendit për mbikëqyrje ndaj Qeverisë. Sepse kemi parë tendenca nga kryeministri që të caktohen orare se kur të mbahen interpelancat”, u shpreh Murati.

Kryeministri i vendit pos interpelancës për korrupsionin, do të duhej të përballej edhe të hënën me dy interpelanca tjera, por që i ka shtyrë ato duke kërkuar që seanca të mbahet të premten meqë vetëm atë ditë ka mundësi të jetë i pranishëm në seancë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Hej, hej, hej, erdhi Black Friday me zbritje deri në 75% në Comodita Home
-Advertisement-

Të tjera