Opinione

Pse nuk po ndërrohen ministrat e pasuksesshëm të Qeverisë Kurti 2?

Autori: Gazeta inFokus 22:12 | 05 May 2022

Publiku kosovar tashmë pas 14 muajsh qeverisjeje të ekzekutivit Kurti 2, e ka një informacion thuaja se të saktë, e ka krijuar njëfarë vlerësimi që është goxha bindës për ministritë e efektshme dhe për ato që kanë huqur jo pak në përmbushjen e objektivave të përcaktuara nga këto dikastere ministrore. Pse nuk po reformohet qeveria aktuale, përkatësisht pse nuk po ndërrohen ministrat që me performancën e tyre në këtë periudhë, nuk përmbushën premtimet dhe parashikimet qeveritare dhe vetanake?

Mehmet GJATA

U bënë 14 muaj qëkur Qeveria Kurti 2 nisi punën. Kjo periudhë kohore nuk është edhe aq e gjatë për t’u dëshmuar një qeveri, qoftë në përmbushjen e objektivave planifikuese, qoftë për dështimet dhe mossukseset e saja.

-Advertisement-

Por 14 muaj, megjithatë nuk janë edhe pak, nuk është një kohë e shkurtër, gjatë së cilës nuk do të mund të vëreheshin fare gjurmët e aktivitetit qeveritar, të akcilit dikaster, të suksesshmit dhe atij që nga “havaja” i shihet dështimi, vendnumërimi, mosefektiviteti i secilit ministër dhe i stafit të tij, sikundër që i shihen gjurmët dhe sukseset në përmbushjen e premtimeve, por edhe vizioneve planifikuese, të shpërfaqura publikisht që në fillim të uljes në postin ministror.

Publiku kosovar tashmë pas 14 muajsh qeverisjeje të ekzekutivit Kurti 2, e ka një informacion thuaja të saktë, e ka krijuar njëfarë vlerësimi që është goxha bindës për ministritë e efektshme dhe për ato që kanë huqur jo pak në përmbushjen e objektivave të përcaktuara nga këto dikastere ministrore. Opinioni, po kështu, tashmë i ka krijuar vlerësimet edhe për sukseset dhe mossukseset, për të mos thënë dështimet e ministrave, thuaja të secilit syresh. Informacionet për ministrat që në një mënyrë apo një tjetër ia kanë huqur përmbushjes së detyrimeve ministrore në këta 14 muaj, sikundër edhe për ata që nuk rreshtën për asnjë çast për të qenë të sukseshëm, që përkthehet për ata që ishin më të përkushtuar dhe më të shkathët në kryerjen e punëve të tyre, qoftë me apo pa pompë, goxha mirë dhe me disa rezultate imponuese, i ka tashmë edhe kreu i Qeverisë aktuale, ose së paku, do të duhej t’i kishte, gjithsesi.

Që në muajin e parë të këtij viti, Buletini Ekonomik duke u mbështetur në informacione nga burime të besueshme, pati shkruar se në Qeverinë e Kosovës kishte nisur të bëhet vlerësimi i performancës së ministrave aktual për periudhën qëkur kanë nisur punën në krye të dikastereve qeveritare dhe kjo punë do të përmbyllet deri më 18 janar.

Dhe nëse është bërë në janar ky vlerësim, saktësisht dhe konkretisht është pa se cili ministër i Qeverisë Kurti 2, në këtë periudhë, që kur VV-ja fitoi zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit të kaluar, përmbushi dhe realizoi detyrimet, parashikimet qeveritare dhe vetjake dhe cili dështoi në realizimin e pritshmërive të tij, vizioneve dhe premtimeve me rastin e marrjes së detyrës në krye të dikasterit përkatës.

Vlerësimet e performancës nënkuptojnë pra, “matjen, ose qitjen në peshore” të aftësive profesioniste dhe shkathtësive menaxheriale e ministrore të secilit ministër të Qeverisë Kurti 2. Dhe, kjo “matje”, ose ky vlerësim, pos tjerash, do të duhej t’i shërbejë kryeministrit Albin Kurti, që në rast të ndryshimit-reformimit eventual të përbërjes aktuale të Qeverisë, të vendosë për ikjen apo mbetjen edhe më tutje në postin e ministrit të secilit anëtar qeverie.

Në janar, po kështu flitej, se ka gjasë që fare shpejtë, ose brenda një periudhe të shkurtër kohore, të ketë ndërrime të ministrave në Qeverinë aktuale. Nuk ndodhi asgjë nga e gjithë kjo. E tërë “garnitura” ministrore, është ajo e fillimit të Qeverisë Kurti 2. Që i bie se të gjithë ministrat dhe zëvendësministrat dhe personeli tjetër i lartë zyrtar, paskan performuar mirë, kanë përmbushur detyrimet dhe objektivat e përcaktuara nga Qeveria dhe nga vet ata, dhe prandaj vazhdojnë të jenë aty ku janë, pa ua prishur kush për asnjë çast ‘terezinë’.

Megjithatë, nuk është e gjitha “vaj” te performanca e deritashme 14 mujore e kabinetit aktual qeveritar. Ka, madje jo pak, dështime, papërgjegjësi që në asnjë vend normal të botës nuk i lejohen një autoriteti qeveritar, ka neglizhecë të personelit zyrtar nëpër dikasteret qeveritare po edhe të vet ministrave.

Te disa ministra vazhdon të ketë mbyllje totale në vetvete dhe t’huajsim të pashembullt nga publiku, disa të tjerë vazhdojnë të dëshmohen arrogantë dhe pa sens në komunikimin me mediat.

Por më e keqja është e dhëna se shumë ministra të Qeverisë Kurti 2 brenda këtyre 14 muajve nuk kanë lënë asnjë gjurmë të vetme të punës së tyre, të efektshmërisë dhe rezultateteve, për çka janë të obliguar me kontratat e punës dhe me planet e tyre të aktivitetit të dikasterit që përfaqësojnë.

Shkurt, nuk ka rezultate, nuk ka as gjurmë të ndonjë suksesi eventual. Ka vetëm arsyetime të bëra tashmë bajate, ka vetëm fajësime për dështime të qeverive të kaluara. Ka edhe raste të pasurimit të shpejtë dhe të blerjeve të villave në lagjet elitare në kryeqytet e përreth tij nga ndonjë nga ministrat e Kurtit.

Për të qenë më konkret, a ka ndonjë njeri në Qeverinë Kurti 2 që mund të përmendë ndonjë gjurmë të vetme, që brenda këtyre 14 muajve ka lënë Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu? Cilën rrugë me interes kombëtar ose zhvillimor, e nisi apo e “bitisi”, çka bëri ai për përfundimin e autostradave që kanë hyrë në decenien e dytë, të lëna në gjysmë, çka ndërmorri Aliu, për të përfunduar zgjerimet e rrugëve Prishtinë – Podujevë, Prishtinë – Ferizaj, ose cilat punë i ka bërë ai për ta vazhduar përmbylljen më të shpejtë të Autostradës Prishtinë – Gjilan, që po bëhet historike për nga zgjatja e punëve siç janë bërë historike e tragjike autostradat Prishtinë-Mitrovicë dhe Prishtinë- Pejë?

Autorit të këtyre rreshtave i rastisi ta dëgjojë dy herë radhazi brenda 2-3 muajsh premtimin e Aliut se “brenda dy muajsh do të përfundojë zgjërimi i rrugës Podujevë – Prishtinë”. Ndërsa dihet që kjo rrugë, që ka fillar të zgjerohet tash e mbi 10 vjet, nuk është zgjeruar as në 12 kilometra të plotë. Kaq është distanca nga Podujeva deri në Lluzhan, ku akoma nuk është arritur që të përfundojnë edhe shumë punë për zgjerimin e kësaj distance. Se si do ta bëjë përfundimin e zgjerimit të rrugës Podujevë-Prishtinë, të gjatë 30 kilometra brenda 2 muajsh, ndoshta e di vetëm ministri Aliu.

Fundja, Liburn Aliu, por edhe vet Kurti duhet t’i tregojnë opinionit se kush është ministri i vërtetë në Ministrinë e Infrastuturës, Liburn Aliu, apo Hysen Durmishi, i cili ndjeshëm në këta muaj e ka lënë nën hije “shefin’ e tij, si për nga paraqitjet publike për t’u përgjigjur në interesimet e publikut dhe të mediave, poashtu edhe në nënshkrimin e kontratave, marrëveshjeve dhe dokumenteve të tjera, që përditë bëhen në ministri.

Çka ka bërë në këta 14 muaj Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, pos aktualizimit të përditshëm të problemit të subvencioneve, të cilat kanë mbetur si të tilla, sot e kësaj dite? Çka ka bërë Peci, pos fajësimeve të parreshtura të pararendësve të vet, të cilët ç’është e vërteta kanë lënë një varg problemesh në agrarin kosovar dhe kanë fajin e madh për gjendjen e deritashme në bujqësinë e vendit? Por, çka ka bërë Ministri i Bujqësisë për të tejkaluar, apo zbutur problemet e trashëguara, çka ka bërë për të realizuar planin e mbjelljeve vjeshtore dhe pranverore dhe pse njëherë të vetme nuk e ndien vetën përgjegjës për gjithë këto toka djerrë dhe për dështimin e realizimit të mbjelljeve në hektarët e planifikuar?

Peci duhet të sqarojë se pse deri në përmbyllje të kohës optimale të mbjelljeve pranverore janë mbjellë vetëm pak mbi gjysma e sipërfaqeve të planifikuara me misër.

Cilin projekt konkret, qoftë edhe me kapacitet modest elektroenergjetik të energjisë së rinovueshme e solli ministrja Artane Rizvanolli, në këtë kohë krize evidente të mungesës së rrymës në Kosovë, kryekëput për shkak të mungesës së kapaciteteve energjetike. Çka bëri ajo për t’i sanuar dëmet në minierat e mbyllura të kompleksit minerar të Kishicës (Miniera e Kishnicës, e Badovcit, e Hajvalisë dhe pjesa më e madhe, ose horizontet e shumta të Artanës)? Pse ajo në këta 14 muaj, nuk shkoi një herë të vetme t’i vizitojë këto miniera dhe të bindet që ato janë mbyllur dhe vazhdojë të mbesin të mbyllura tash e 23 vjet për shkak të mungesës së një pompe për pomimin e ujit nga to, që kushton hiç më shumë se dhjetëra mijëra euro?

Cilën gjurmë e la në këta muaj ministrja Rozeta Hajdari dhe disa të tjerë? Nuk po shihen dhe nuk po preken nga kosovarët ato. Nuk i sheh në asnjë mënyrë rezultatet që nuk janë, që mungojnë, pra as Kurti, kreu qeveritar, të cilit i besoi përtej parashikimeve elektorati kosovar, dhe megjithë këto që u thanë më lartë, po vazhdon t’i besojë akoma. Edhe po i beson ende, por edhe po e mbështet në të gjitha punët, veprimet dhe ndërmarrjet ekzekutive dhe politike që po dëshmohen të suksesshme dhe po veçohen shumë nga ato të qeverive të kaluara. Kurti po mbështetet nga kosovarët në të gjitha mënyrat edhe në luftën e tij kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në reformimin e sistemit të drejtësisë, në ngritjen e të drejtave dhe lirive të medieve dhe në përfaqësimin dinjitoz të vendit të vet në organizmat ndërkombëtarë, por edhe për konsistencën e tij në bisedimet me palën serbe.

Këto, janë fakte. Prandaj, Kurti, është mirë, pa u vonuar, të bëjë reforma në Qeveri, të gjejë ministra që do të punojnë me zell dhe nuk do të krekosen me arrogancë ndaj kritikëve dashamirës dhe nuk do të mbyllen në guacën brenda për brenda dikasterit që përfaqësojnë, siç po bëjnë disa nga ministrat aktual. Qeveria, ministrat që kanë ngecur në ‘vendnumëro’, që bëjnë gabime personale, që nuk janë të aftë të përmbushin premtimet, ndërrohen në të gjitha shtetet normale të botës. Pse Kurti nuk e bënë këtë veprim? Nuk pritet pafundësisht derisa të dëshmohen dështakët. Reformimi i Qeverisë është në favor të vendit, të vetë ekzekutivit dhe të përmbushjeve të vizioneve dhe synimeve të vet Albin Kurtit. Sepse, fundja, zgjedhjet nuk janë shumë larg. Dy vjet e sa kohë që kanë mbetur deri të zgjedhjet e reja ikën sa çel e mbyllë sytë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera