Lajme

Pse modeli i Tirolit Jugor po shihet si i dëmshëm për Kosovën

Autori: Gazeta inFokus 07:04 | 17 May 2023

Qeveria e Kosovës tashmë është përcaktuar se për Asociacion, preferon ta ndjekë modelin kroat. Por nga diplomatë të huaj jo rrallë është përmendur edhe modeli i Tirolit Jugor. Ky model një ditë më parë u përmend edhe nga eurodeputeti austriak Lukas Mandl.

Modeli kroat dhe Tiroli Jugor janë dy prej modeleve më të dëgjuara ditëve të fundit, kur bëhet fjalë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kryeministri Kurti në Bruksel, por edhe në Prishtinë, po e promovon modelin kroat, ndërsa austriakët e shohin Tirolin Jugor të Italisë si zgjidhje për serbët e Kosovës. Këtë e ritheksoi edhe të hënën eurodeputeti austriak, Lukas Mandl.

-Advertisement-

Derisa modeli kroat vepron si Këshill Kombëtar i Serbëve dhe merret me vetëqeverisjen e serbëve që jetojnë në Kroaci, si dhe me aspektin e të drejtave të njeriut dhe integrimit të tyre në shoqërinë kroate, Tiroli Jugor është provincë autonome me nivel të lartë të vetëqeverisjes, me të drejta të zgjeruara legjislative dhe ekzekutive, dhe një regjim fiskal që e lejon të mbajë për vete 90 për qind të të ardhurave.

Se çfarë modeli është, e thotë njëri nga ambasadorët që përfaqësoi Kosovën në Itali.

”Është autonomi e koncentruar, territoriale, administrative, politike, legjislative, nuk mendoj se në Kosovë një autonomi e koncentruar, do ta shndërrojë Kosove në një administrim funksional,me qeverisjen qendrore do të jetë i vështire”, tha për RTK-në Albert Prenkaj, ish ambasador i Kosovës në Itali.

Njëjtë mendon edhe profesori universitar, Afrim Hoti.

“Kur flasim për këtë model flasim për ndryshim rrënjësor të rendit kushtetues dhe ligjor të Kosovës. Modeli kroat do të mund të ishte më i përafërt, ndërkohë që modeli i Tirolit Jugor, shënon forma të avancuara territoriale, do të ishte i dëmshëm në rastin e Kosovës dhe i pazbatueshëm”, ka thënë Afrim Hoti- profesor universitar.

E kur flasim për modelin kroat, Ana Holjevac-Tukovic, që dikur ka kontribuar në arritjen e marrëveshjes për integrimin e pakicave në Kroaci, mendon se ky model i përgjigjet rastit të Kosovës.

“Modeli kroat është një praktikë e mirë në procesin e integrimit paqësor, që nuk cenon integritetin territorial të shtetit dhe nuk krijon as ndarje politike, duke respektuar po ashtu simbolet e shtetit amë. Ky model mund të aplikohet edhe në Kosovë, nëse serbët e Kosovës krijojnë komunikim me Prishtinën dhe respektojnë legjislacionin e shtetit kosovar, siç ndodh në Kroaci”, ka thënë Ana Holjevac-Tukoviç nga Qendra e Arkivit të Luftës në Kroaci.

Derisa Kosova, Brukseli dhe Uashingtoni kanë thënë se janë kundër krijimit të një Republike Serbe, Serbia vazhdimisht insiston që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Vetëm edhe 4 ditë nga Bootcamp me Alan Greenberg, ish-Drejtorin për Edukim në Apple, Apliko Tani
-Advertisement-

Të tjera