Opinione

Pse luajmë Brutin kundër Cezarit?

Autori: Gazeta inFokus 17:16 | 28 January 2023

Përderisa SHBA është vetë shpëtimtarja e kombit shqiptar duke i bërë shtete Shqipërinë dhe Kosovën për herë të parë në histori, një pjesë e skenës politike në Kosovë e Shqipëri në aleancë të heshtur mes vete në këto 3 apo 4 vitet e fundit ka investuar frikshmëm në rritjen e anti-amerikanizmit në hapësira shqiptare.

Kjo rritje e frikshme ka filluar të intensifikohet pas valës së parë brutale anti-amerikane të vitit 2020 në Kosovë dhe pas listës së zezë të SHBA-së në 2021 në Shqipëri. Derisa SHBA vazhdon të përballet me Rusinë në Ukrainë, në Kosovë e Shqipëri vazhdon të fitojë terren rritja e anti-amerikanizmit.

Përderisa Serbia po fiton terren në SHBA, Kosova po humb terren atje ashtu sikurse po humb edhe një pjesë e politikës në Shqipëri. Pra, ka një vijë të njëjtë në Shqipëri – sikurse ajo në Kosovë – që po investon në anti-amerikanizëm përmasash brutale. E maska për rritje të anti-amerikanizmit po funksionon duke u shitur patriot dhe shpëtimtar kombi.

-Advertisement-

Përderisa vetë qenia jonë kombëtare vazhdon të garantohet edhe sot nga SHBA dhe vetëm SHBA, Kosova dhe një pjesë e politikës në Shqipëri, në vend që ta ngrisnin anti-rusizmin, ata po e ngrisin anti-amerikanizmin. Nuk ka bukëpërmbysje më të madhe sesa t’i kthesh tytat atij që ta ka shpëtuar jetën.

Rritësit e anti-amerikanizmit në Kosovë e Shqipëri – edhe pse në rrethana krejtësisht tjera – po e luajnë Brutin që i kishte bërë atentat Cezarit, pavarësisht se ky i fundit i kishte shpëtuar jetën të parit në betejën kundër Pompeut në Greqi. Nuk ka gjë më të pashembullt sesa prerja në besë e SHBA-së, e cila edhe sot me ushtrinë e saj e ruan qenien shqiptare pikërisht kundër Rusisë dhe aleatëve të saj historikisht antishqiptarë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita në Las Vegas Market prezanton linjat e reja të dyshekëve për tregun amerikan

Të tjera