Opinione

PSE KOSOVA DUHET TË PRANOHET MË SHPEJT NË NATO?

Autori: Gazeta inFokus 09:50 | 14 July 2021

Qeveria jonë pa humbur kohë duhet të bëjë kërkesë për anëtarësimin e Kosovës në NATO, si një tregues real i përkushtimit që ka populli i Kosovës dhe të gjitha komunitetet ndaj vlerave euro-atlantike. Vetëm një Kosovë në NATO, mund të mbyllen vrimat e zeza në Ballkan dhe ky është hapi më vendimtar që do të hidhte Perendimi drejt tkurrjes së hartës së ndikimit rus në Ballkan.

Nga Mehmet PRISHTINA

“Nëse Mali i Zi nuk do të ishte anëtarësuar në NATO dhe nëse nuk do të kishte qenë në derën e Bashkimit Evropian, unë jam i sigurt se një luftë civile do të kishte shpërthyer në Malin e Zi deri tani. Por, për fat të mirë, kjo nuk do të ndodhë,” tha për Al Jazeera, Metropoliti i Kishës Ortodokse Malazeze Mihailo (CPC) pasi përkujtoi viktimat e gjenocidit të Srebrenicës të dielën. Ai është udhëheqësi i parë i një kishe ortodokse që erdhi në kompleksin përkujtimor në Potocari afër Srebrenicës në 2005 për të bërë homazhe ndaj myslimanëve të vrarë dhe për të siguruar mbështetje për familjet e tyre.
Në Ballkanin Perendimor ende ka vrima të zeza të cilat shfrytëzohen nga Rusia dhe satelitës e saj për ta destabilizuar rajonin. Sipas kësaj logjike destabilizuese, Kosova dhe BeH janë dy fushat ideale ku “kuajt e apokalipsës” mund të kalërojnë deri sa të arrijnë në cakun që e dëshirojnë kalorësit e rinjë të ideve të vjetra antieuro-atlantike.
Ura e Ibrit në Mitrovicë është kufiri ku ndeshet Perendimi dhe Lindja, demokracia dhe destruktiviteti pansllavist, ndërkohë që Kosova si shtet do të tregohej e pafuqishme të mbrojë këtë “mur gjeopolitik” nga shkërmoqja, sikur të mos ishin të dislikuara forcat ushtarake të KFOR-it. Pra, stabilitetin e Kosovës dhe rrezikun e ndëryhrjes ushtarake nga Serbia, tani për tani po e mbron KFOR-i, e jo edhe forcat e sigurisë së Kosovës. Kjo edhe për faktin se vite më parë ish udhëheqja e Kosovës kishte nënshkruar një marrëveshje për mosndërhyrje të FSK-së në veri të Kosovës, pa miratimin e gjeneralëve të NATO-s.
Nëse i referohemi rrethanave politike dhe të sigurisë në Mal të Zi, letësisht mund të konkludohet roli që ka NATO në ruajtjen e stabilitetit të këtij shteti të vogël ballkanik. Serbia provoi disa herë të imponojë skenarë për të përmbysur pushtetin në Mal të Zi, dhe përmes grushtshtetit të dhunojë vullnetin politik e shtetëror në Podgoricë, në favor të ideve ekspansioniste, ku Rusia do të kishte një qasje të papengueshme në këtë krah mesdhetar të NATO-s.
A duhet të ndodhin skenarë të ndryshëm destabilizues të Serbisë në Kosovë, për t’u bindur se sa është i nevojshëm pranimi i Kosovës në NATO?
Shumë kush do të mundohet të paraqesë kundërargumente ndaj kësaj ideje, duke pretenduar se mjafton prania aktuale KFORI-it për të ruajtur stabilitetin e Kosovës.
Por, vërtetë a mjafton kjo?
Ushtarët e KFOR-it kanë hyrë në Kosovë me 12 qershor 1999 bazuar në marrëveshjen e Kumanovës dhe rezolutën 1244 të OKB-së, të cilët ofrojnë siguri dhe liri të lëvizjes për të gjitha bashkësitë etnike e fetare në Kosovë.
Me 9 qershor të vitit 1999, NATO dhe ushtria e Serbisë, patën nënshkruar marrëveshjen e njohur si marrëveshja e Kumanovës, ku Serbia detyrohej të tërhiqte të gjitha forcat e saj policore dhe ushtarake nga Kosova. Ndër të tjera në marrëveshje parashihej: që nga Kosova të largohen të gjithë personat dhe organizatat me aftësi militare duke përfshirë armatën e rregullt dhe forcat e marinës, civilë të armatosur, paramilitarë, forcat ajrore, garda kombëtare, policia kufitare, rezervistët, policia ushtarake, shërbimet informative, MUP-it, dhe policia lokale.
U caktua po ashtu një zonë sigurie ajrore 25 kilometra përtej kufirit të Kosovës, ndërsa, në një zonë tjetër prej 5 kilometrash përtej kufirit me Kosovën, ushtria serbe nuk lejohej të vendoste armatime të rënda, përveç ushtarëve kufitarë. Marrëveshja e Kumanovës u arrit pas fushatës së bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe, e cila ka zgjatur për 78 ditë.
Misioni i KFORit brenda mandatit që ka , sipas deklaratave të gjeneralëve që drejtojnë këtë forcë shumëkombëshe, nuk është ndryshe nga ai që kishte para 22 viteve më parë. Ky mision vjen drejtpërdrejt nga Rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së 1244 dhe KFORi në Kosovë konsiderohet si një forcë ndërkombëtare që jep siguri. Ajo që dallon tani nga 21 vite më parë, është se KFORi tani nuk është i vetmi institucion i sigurisë në Kosovë, për arsye se tani funskionion edhe policia e Kosovës, policia kufitare e Kosovës, Forcat e Sigurisë së Kosovës. Rrjedhimisht KFORi vepron si faktor i katërtë për të ruajtur sigurinë në Kosovë.
Sipas mandatit që ka, komandanti i KFOR-it po ashtu ka përgjegjësi të ruajë marrëdhëniet me shefin e forcave ushtarake serbe. Kjo marrëdhënie është periodike, por mund të vendoset në çdo kohë kur krizat mund të shpërthejnë. Në ato raste komandantët e KFORIt kontaktojnë drejtpërdrejt, në përpjekje për të zbutur çfarëdo situate përshkallëzimi, që mund të sjellë ndonjë incident ndërkombëtar.
Ish-kreu i Forcës shumëkombëshe Paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR), Michele Risi, lidhur me operacionet e autoriteteve të Kosovës në veri të Mitrovicës, kohë më parë u deklaroi mediave se Policia e Kosovës mund të kryejë operacione atje në mënyrë të pavarur pa u konsultuar me KFOR-in, por për ndërhyrjen e Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) në këto operacione, ai tha se nevojitet autorizim nga KFOR-i.
NATO- përpos që është një mekanizëm ndërkombëtar i sigurisë kolektive, është edhe struktura më e përgatitzur politiko-sushtarake që kujdeset për balancat gjeopolitike e gjeostrategjike në botë. Dimesnioni politik i kësaj strukture është e njël rëndsie të veçantë, sidomos në raport me pretendimet ruse për të penguar procesin e demokratozimit dhe liberalizimit në disa shtete të Evropës Qendrore dhe Lindore. Prandaj Moska e sheh me sy jo të mirë zgjerimin e NATOs në kufinjt e saj lindor.
As Kosova nuk bën përjashtim nga ky fërkim gjeopolitik, ku NATO përbën gurin e peshorës që përcakton qartë kufirin se ku përfundon ndikimi rus dhe ku fillon demokracia euro-atlantike.
Mandati i tanishëm i KFOR-it mund të konsiderohet si i pamjaftueshëm për të mbyllur të gjitha vatrat e krizës që mund të shpërthejnë në këtë pjesë të Evropës Juglindore, ku Serbia po tregohet mjaft agresive në fuqizimin e saj ushtarak me armë të sofistikuara ruse, si shantazh i drejtpërdrejt ndaj NATOs dhe BE-së. Këtë fuquzim rus nuk mund ta ndalë mandati i kufizuar KFORit, por vetëm struktura politke-ushtarake e NATOs, e cila do të duhej ta pranojë në gjiun e saj Kosovën, si anëtare e barabartë, në mënyrë që siguria, stabiliteti, ekuilibri gjeopolik të ruhen brenda parametrave të kënaqshëm.
Pa dyshim që roli i deritanishëm i KFORit ka qenë kolosal në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit të Kosovës, por kjo forcë shumëkombëshe në shumë raste pëngjan në një zjarrfikës me veprim lokal e të kufizuar, ndërkohë që Kosovës i kanoset një “zjarr” më i madh nga piromanët e Beogradit, për shuarjen e të cilit nuk do të mjaftonin “zjarrifëkësit” aktual të KFORit.
Qeveria jonë pa humbur kohë duhet të bëjë kërkesë për anëtarësimin e Kosovës në NATO, si një tregues real i përkushtimit që ka populli i Kosovës dhe të gjitha komunitetet ndaj vlerave euro-atlantike. Vetëm një Kosovë në NATO, mund të mbyllen vrimat e zeza në Ballkan dhe ky është hapi më vendimtar që do të hidhte Perendimi drejt tkurrjes së hartës së ndikimit rus në Ballkan.

-Advertisement-

Prishtinë, 13 korrik, 2021

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera