Opinione

Pse koalicioni i ri qeverisës gjerman e shpall Gjermaninë “vend për të huaj”?

Autori: Gazeta inFokus 11:28 | 16 December 2021

Sepse sipas Entit Federal të Statistikave të shtetit gjerman nr. i vdekjeve në vit ka arritur në afro 1 mil., kurse i lindjeve në afro 780 mijë. Pastaj, mbi 1 mil. gjermanë e lëshojnë vendin në vit, kurse 1.2 mil. të huaj hyjnë brenda vitit. Telashja e madhe është se ata shumë gjermanë që e lëshojnë vendin janë shumica të shkolluar dhe lënë zbraztësira të mëdha në trurin dhe ekonominë gjermane.

Shkruan: Agron HOTI

E sikur të dëgjohej zëri i popullistëve të ekstremit të djathtë (AfD dhe Pegida) dhe kritikëve tjerë për të mos të lejuar fare të huaj, atëherë Gjermania për çdo vit humb nga 1.2 milionë njerëz (vdekjet plus ikjet minus lindjet).

-Advertisement-

Duke marrë parasysh tendencën tanimë në rënie të numrit të lindjeve dhe plakjen e popullsisë i bie që nëse Gjermania deri në vitin 2100 nuk pranon nga së paku 1 mil. të huaj në vit atëherë do të zhduket si komb.

Viti 2020 është viti i parë që nga 2011 kur Gjermania shënon zero rritje të popullsisë, sepse ishte Covidi që ndali imigracionin bashkë me rritjen e numrit të vdekjeve dhe rënien e lindjeve. Edhe qytetet e mëdha të Gjermanisë që nga viti 2020 janë ndalur së rrituri. Në vitin 2011 28.7% e qytetarëve kanë jetuar në qytete të mëdha, kurse në 2020 29.4% ose 24.5 milionë qytetarë. Nuk pritet më rritje e qyteteve të mëdha, përkundrazi.
Pra, po të pyesësh votuesit e popullistëve dhe jo vetëm, ata janë kategorikisht kundër të huajve, ndërsa shteti gjerman tanimë është dorëzuar para nevojës për sa më shumë të huaj ndaj dhe ka filluar ta ‘zbusë’ legjislacionin për të joshur imigracionin.

E qeveria aktuale do të duhet të notojë mes interesit kombëtar për sa më shumë të huaj, vështirësisë së integrimit të tyre dhe presionit të qytetarëve të mbështetur nga forcat politike sidomos ato populliste për të mos lejuar ndryshimin e strukturës së popullsisë. Shtyrja e moshës së pensionimit dhe rritja e automatizimit në punë do të zbusë sadopak nevojën për të huaj, por nuk do të mund ta zëvendësojë tërësisht atë.

Prandaj, nuk do të jetë fare çudi, që Gjermania kah viti 2080-2100 të ketë shumicën e popullsisë me prejardhje të huaj (Migrationshintergrund). Në vitin 2020 në Gjermani kishte 21.9 milionë qytetarë me prejardhje të huaj, pra 26.7% e popullsisë totale. Nga këta të huaj 7.9 milionë gëzonin të drejtën e votës në zgjedhjet parlamentare të shtatorit 2021 që përbënin 13% të numrit të të gjithë votuesve në Gjermani.

Ashtu siç është keq Gjermania, edhe më keq është Italia. Sfida për këto dy shtete dhe jo vetëm do të jetë se ku te gjejnë të rinj, mundësisht të shkolluar, për të mbajtur gjallë ekonomitë e tyre në rënie dhe sistemet sociale në tkurrje. Shqiptarët dhe tërë Ballkani nuk do të jenë në gjendje të prodhojnë fëmijë sa ka nevojë Gjermania, Italia dhe tërë pjesa e Evropës Perëndimore.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vetëm edhe 4 ditë nga Bootcamp me Alan Greenberg, ish-Drejtorin për Edukim në Apple, Apliko Tani

Të tjera