Lajme

Pse janë të diskutueshme “alarmet” e KEDS-KESCO-s për situatën elektroenergjetike në Kosovë?

Autori: Gazeta inFokus 11:22 | 09 December 2023

Pa pretenduar të adresojmë ndonjë fajësi konkrete, apo të mbajmë anë, në polemikën “e pakëndshme” dhe me tone fajësuese të KEDS-KESCO-s dhe KEK-ut, duhet sqaruar shumë çështje të ngritura në këto reagime dhe kundërreagime, në të cilat, megjithatë u lanë anash dhe nuk u sqaruan shumë fakte të domosdoshme, në situatat e këtilla, sidomos në rrethanat e tendencave për ta hedhur fajin te pala tjetër.

Mehmet GJATA

Dje, (e enjte, 7 dhjetor 2023) Buletini Ekonomik dhe disa medie të tjera nëpërmjet një teksti njoftonin se ka ditë, që nuk ka fare këmbim të energjisë elektrike Kosovë-Shqipëri, ndërsa arsyeja e vetme e stopimit momental të këmbimit të rrymës, sipas zyrtarëve të KEK-ut është mos pasja nevojë e konsumeve të dy korporatave energjetike (të KESH-it dhe të KEK-ut) për energji shtesë për nevojat e konsumeve të veta.

-Advertisement-

Zyrtarë të KEK-ut (emrat e tyre janë në redaksinë tonë) i kanë thënë dje Buletinit Ekonomik se ofertat nga të dy anët për energji shtesë janë në tavolinë, dhe po qe se ka nevoja për rrymë shtesë për të plotësuar nevojat e konsumit me rrymë, qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë, sistemet elektroenergjetike të dy vendeve janë fare të gatshme të aktivizojnë këmbimin e rrymës. Por, pa kaluar dy-tre orë nga plasimi në disa medie të vendit të këtij informacioni, në redaksitë e medieve kosovare ka arritur një komunikatë nga KEDS-KESCO, me përmbajtje përgënjeshtruese ndaj zyrtarëve të KEK-ut për situatën aktuale elektroenergjetike në Kosovë.

Në komunikatën e KEDS-it, thuaja tërësisht me përmbajtje të kundërt me atë të KEK-ut për gjendjen momentale elektroenergjetike, alarmohej se “kompanitë KEDS dhe KESCO aktualisht janë duke importuar energji elektrike mbi 1 milionë euro në ditë, si pasojë e rritjes së konsumit dhe prodhimit jo të mjaftueshëm të energjisë në vend”.

Këto dy kompani kanë thënë se për sasinë e munguar në mes të prodhimit dhe kërkesës, po detyrohen që të importojnë mbi 7,500 megavatë brenda 24 orëve, apo deri në 400 megavat në orë.

ëSipas komunikatës së KEDS-it, “kjo po ndodhë pasi kërkesa ka arritur në mbi 1.100 megavatë në orë, ndërsa prodhimi vendor nuk mund të tejkalojë më tepër se 700 megavatë në orë. Pra, po importohet në kohë piku mbi 35 për qind e energjisë elektrike që konsumohet nga konsumatorët”.

Në komunikatën e KEDS–it, me tone goxha ultimative, thuhet se “prodhimi aktual është më i ulët se bilanci energjetik që është paraqitur dhe sipas KEDS, është kërkuar nga KEK-u që t’i përmbahet planit, sepse çdo devijim nga plani, në këtë rast mbi 120 megavatë në orë minus, paraqet barrë të rëndë për dy kompanitë dhe e vë në vështirësi komplet sistemin elektroenergjetik”.

Dhe pas ca orësh, në po të njëjtën ditë, ka pasuar një kundërreagim i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK-ut) kundrejt Kompanisë për Distribuim dhe Furnizim (KEDS) dhe Kompanisë për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), në të cilën ndër të tjera thuhet se “KEK sipas marrëveshjes për furnizim me shumicë krijon obligim kontraktual, përkatësisht të deklarojë VETËM njësitë gjeneruese që ka në dispozicion në baza ditore dhe atë një ditë para” dhe se “obligimi i KEK-ut mbetet vetëm prodhimi i energjisë elektrike, ndërsa obligimi i KESCO është FURNIZIMI i konsumatorëve me energji elektrike”.

KEK-u e konteston KEDS-in dhe KESCO-n duke shtuar se “adresimi i KESCO dhe KEDS përmes mjeteve të informimit përveç se nuk ka pasqyruar gjendjen reale, ka shkaktuar edhe huti në opinion”.

Thënë më konkretisht, sipas KEK-ut, “KEDS dhe KESCO po fajsojnë KEK-un për përgjegjësitë e veta”.

Pa pretenduar të adresojmë ndonjë fajësi konkrete, apo të mbajmë anë në këtë polemikë “të pakëndshme” dhe me tone fajësuese të të dyja palëvve, duhet sqaruar shumë çështje të ngritura në këto reagime dhe kundërreagime, në të cilat, megjithatë u lanë anash dhe nuk u sqaruan shumë fakte të domosdoshme, në situatat e këtilla, sidomos në rrethanat e tendencave për ta hedhur fajin te pala tjetër.

Duhet thënë se KEDS-i, sado që kishte apostrofuar boll shumë shifra për të alarmuar gjendjen energjetike, në reagimin e vet nuk përmend në asnjë rast të vetëm nivelin aktual të konsumit mesatar ditor as në kohën e orëve të pikut në Kosovë. Dhe, prandaj, nuk mjafton vetëm të thuhet se “kërkesa ka arritur në mbi 1.100 megavatë në orë, ndërsa prodhimi vendor nuk mund të tejkalojë më tepër se 700 megavatë në orë”, ose se “për sasinë e munguar në mes të prodhimit dhe kërkesës, po detyrohen që të importojnë mbi 7,500 megavatë brenda 24 orëve, apo deri në 400 megavat në orë.

Të dhënat e apostrofuara, thjesht, për njohësit e rrethanave elektroenergjetike në vend, janë të pabesueshme, aq më parë kur dihet se sipas të dhënave të vet KEDS/KESKO-s, të bëra publike nga zyrtarë të KESCO-s më 28 nëntor 2023, me ardhjen e ditëve të ftohta dhe të acarta në Kosovë, krahasuar me dyjavorshin e parë të nëntorit, kur konsumi mesatar ditor ishte diku rreth 15 mijë megavatë-orë dhe piku shkonte te 900 megavatëshi, tani në këto ditë të ftohta, konsumi mesatar ditor ka arritur në 17 mijë megavatë-orë ndërsa në orët e pikut ka shkuar në 1.110 megavatë”.

Më konkretisht, konsumi në orët e pikut (dy-tre orë të buzëmbrëmjes vlerësohet si piku i shpenzimit të energjisë elektrike), nuk është në asnjë mënyrë konsumi mesatar ditor, që e kalkulon KEDS si nivel të rritjes së konsumit. Të dhënat konkrete të nivelit të konsumit mesatar ditor në Kosovë tregojnë se edhe përkundër uljes së temperaturave (ende në Kosovë nuk janë shënuar temeratura ekstreme të ulëta, madje as sosh nën zero), konsumi mesatar nuk ka tejkaluar në asnjë mënyrë 1.000 megavatëshin. Prandaj është shumë e diskutueshme edhe e dhëna se KEDS/KESCO “aktualisht janë duke importuar energji elektrike mbi 1 milionë euro në ditë, si pasojë e rritjes së konsumit dhe prodhimit jo të mjaftueshëm të energjisë në vend”.

Fundja, asnjëherë deri më sot, as në ditët e krizës së egër energjetike në Kosovë, nuk është importuar 1 milionë euro energji elektrike brenda ditës. Është e vërtetë se në ditët me mungesa shumë të theksueshme të energjisë elektrike është importuar më shumë energji dhe herë-herë me çmime enorme të larta, por duhet sqaruar një herë e mirë se gjithnjë deri më tash kompenzimin për energjinë e importuar e ka bërë shteti i Kosovës, më saktësisht qeveria nëpërmjet dikastereve përkatëse.

Po kështu, është fare i paqëndrueshëm fakti i apsotrofuar në “alarmin” e KEDS/KESCO-s se mjafton vetëm të thuhet se “prodhimi vendor nuk mund të tejkalojë më tepër se 700 megavatë në orë”. Ndërkohë që dihet: Në Kosovë, ka kohë që nga termocentralet e Kosovës që gjenden në prodhim, respektivisht nga blloku B1 dhe B2 të Kosovës B, me kapacitet të secilit bllok prej 260 megavatë-orësh dhe A3 dhe A5 të Kosovës A, me gjithsej 260 megavatë-orë, janë prodhuar thuaja në vazhdimësi diku afër 800 megavatëshit. Kësaj sasie të energjisë elektrike të prodhuar nga TC-të, duhet shtuar ditëve me të reshura dhe me erë goxha intensive – plus më së paku rreth 100 megavatë nga kapacitetet e energjisë së ripërtëritshme (hidrocentralet e vogla të Kosovës dhe nga parqet e energjisë në bazë të erës në Shalë të Bajgorës dhe në Kitkë të Anamoravës). Dhe, po e përsërisim, sipas zyrtarëve të KEK-ut të deklaruar për Buletinin Ekonomik të enjten (më 7 dhjetor 2023), kjo sasi e energjisë elektrike, ende është e mjaftueshme për të furnizuar pa probleme të theksuara konsumin e vendit.

Aktualisht, sipas tyre, gjendja e furnizimit të konsumit të vendit nga prodhimi vetanak është stabil dhe nuk ka ndonjë mungesë të theksueshme të rrymës. Prandaj, sipas zyrtarëve të KEK-ut, “arsyeja e vetme e stopimit momental të këmbimit të rrymës Kosovë- Shqipëri, është mos pasja nevojë e konsumeve të dy korporatave energjetike (të KESH-it dhe të KEK-ut) për energji shtesë për nevojat e konsumeve të veta”.

Madje, sipas tyre, edhe mosaktivizimi deri më tani i bllokut A4 të termocentraleve Kosova A, fare i gatshëm teknikisht dhe i bërë me remonte të planifikuara gjatë këtij viti, ka mbetur për shkak se deri më tash nuk ka pasur nevojë, ndërkohë që ky bllok është ruajtur për ditë më të vështira të mungesës së rrymës gjatë dimrit. Këto janë faktet dhe ato qartazi po tregojnë se ose KEDS-KESCO, ose KEK-u po gënjejnë dhe me gënjeshtra po manipulojnë publikun e Kosovës, duke e shqetësuar dhe frikësuar me alarmimet për milionat e shpenzuara për import të energjisë elektrike. Disa njohës të zhvillimeve elektroenergjetike të vendit, madje janë të prirur të konstatojnë që nisja e këtyre polemikave KEDS/KESCO– KEK, është vetëm një “uvertyrë” për t’ia nisur kërkesave për të rishtrenjtuar çmimin e rrymës. Kështu, ka ndodhur deri më tash. Mbetet të shihet ku e kanë qëllimin polemikat dhe akuzat e djeshme mes dy palëve. /Buletini Ekonomik/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Po, Po 31 Vetura Dacia Logan shpërblim për konsumator nga ETC

Të tjera